Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në zonën e Zogut të Zi në Tiranë, ku 58-vjeçarja Lumturie Patushi ka humbur jetën pas një konflikti në banesë.
Sipas Policisë, rreth orës 10:20, në rrugën “Panorama”, bashkëshorti i saj, Hysni Patushi, 68 vjeç, dyshohet se e ka goditur me mjet prerës. Si pasojë e plagëve të marra, Lumturie Patushi ka humbur jetën.
Mësohet se në momentin e ngjarjes në banesë ka qenë edhe nipi 14-vjeçar i çiftit, i cili dyshohet se ka parë skenën dhe ka alarmuar banorët e zonës dhe Policinë.
Ndërkohë, sipas të dhënave paraprake, Hysni Patushi dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes. Pas krimit, 68-vjeçari është larguar nga vendi i ngjarjes dhe vijon të jetë në kërkim nga Policia.
Forcat e rendit po punojnë për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes.
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 10:20, në rrugën “Panorama”, dyshohet se, pas një konflikti në banesë, shtetasi H. P., 68 vjeç, ka goditur me mjet prerës bashkëshorten e tij, shtetasen L. P., 58 vjeçe, e cila ka humbur jetën.
Autori i dyshuar, shtetasi H. P., 68 vjeç, është larguar nga vendngjarja. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.






















