Kronika 19 September 2026, 09:13 Nga VNA

Vdekja e gruas së Alban Hoxhës, Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimin për dy mjekët

Ndaje në Whatsapp
Vdekja e gruas së Alban Hoxhës, Gjykata e Lartë lë në

Gjykata e Lartë vendosi mospranimin e rekursit dhe la në fuqi dënimin për dy mjekët Elona Burba dhe Petrit Rexhepi, të cilët u cilësuan fajtorë për akuzën e “mjekimit të pakujdesshëm” në dëm të Dorjana Hakës, gruas së ish-portierit Alban Hoxha.

Burba u dënua me 1 vit burgim, i cili iu konvertua në dy vite shërbim prove, ndërsa iu hoq e drejta e ushtrimit të profesionit të mjekut për një periudhë prej dy vitesh.

Petrit Rexhepi u dënua me 6 muaj burgim, që iu konvertua në shërbim prove prej 1 viti.

Mjekja Burba iu drejtua me rekurs Gjykatës së Lartë, por kjo e fundit, pasi e shqyrtoi çështjen në tërësi, vendosi të mos e pranojë atë, për shkak se nuk konstatoi asnjë shkelje.

Vdekja e gruas

Nga shqyrtimi gjyqësor i çështjes, rezulton se prokuroria, mbi bazën e kallëzimit të Enver Hakës, më datë 24.12.2014 ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Mjekimi i pakujdesshëm”. Haka sqaron se, më datë 04.11.2014, vajza e tij, Dorjana Haka, është shtruar në Spitalin “Koço Gliozheni” për lindje. Vajzën për në spital e kanë shoqëruar ai vetë, bashkëshortja e tij, Hamide Haka, vjehrra e vajzës, si dhe bashkëshorti i vajzës, Alban Hoxha. Në momentin e shtrimit, vajza ishte në gjendje shëndetësore normale, pa ndonjë shqetësim.

Sipas tij, vjehrra e vajzës kishte biseduar me një mikeshë të saj, të quajtur Elona, e cila punon si anesteziste në spitalin “Koço Gliozheni” dhe kishin planifikuar datën dhe orën e shtrimit të vajzës për lindje. Në atë datë, vajza u dërgua në spital sipas planifikimit. Më datë 04.11.2014, rreth orës 09:00, kanë shkuar në spital për ta shtruar vajzën, siç ishte planifikuar nga spitali. Tek dera e jashtme e spitalit ka dalë Elona, anestezistja, e cila e ka marrë Dorjanën me shpejtësi dhe është futur me të brenda në spital.

Pas rreth gjysmë ore doli infermierja dhe u tha se operacioni kishte përfunduar me sukses dhe se fëmija ishte shumë mirë. Të gjithë pjesëtarët e familjes shkuan dhe panë vajzën dhe fëmijën e porsalindur dhe, si vajza, ashtu edhe fëmija ishin mirë. Aty doli edhe mjeku që kishte kryer operacionin dhe i tha bashkëshortit të Dorjanës se kishte qenë një lindje shumë e mirë, pa probleme.

Vajza ka qëndruar në një dhomë më vete, së bashku me fëmijën dhe me të në dhomë kanë qëndruar pjesëtarë të familjes, si nëna e vajzës, motra dhe vjehrra e saj, gjatë gjithë kohës, për ta ndihmuar. Gjatë kësaj kohe e ka takuar edhe kallëzuesi. Vajza ishte mirë dhe doktoresha i kishte thënë se do të dilte të nesërmen.

Ditën e tretë pas operacionit, rreth orës 15:30, vjehrra e vajzës i ka telefonuar nënës së Dorjanës, duke i thënë se Dorjanës i dhembte pak koka. Menjëherë kanë shkuar nëna dhe motra në spital dhe e kanë gjetur vajzën në reanimacion, ku u thanë se kishte dhimbje koke dhe se do t’i kalonte. Më pas, kanë telefonuar Enverin, duke i thënë të vinte se vajza po vdiste.

Ai ka shkuar menjëherë në spital dhe ka gjetur nusen dhe fëmijët duke qarë. Aty ka takuar anestezisten, e cila nuk kishte qenë në orar pune, por ishte telefonuar nga vjehrra e vajzës. Anestezistja po interesohej në reanimacion për serumet e vajzës, duke thënë të vendosnin këtë apo atë serum. Enveri e ka pyetur Elonën se çfarë kishte pasur vajza, por ajo, e nxehur, i ka thënë: “Nuk po e shikon që po interesohem unë më shumë se ti?”.

Vajza ishte në gjendje shumë të rëndë, nuk komunikonte fare dhe ishte me serum dhe me oksigjen. Gjatë gjithë natës vajza ka qëndruar në gjendje shumë të rëndë, deri të nesërmen rreth orës 14:30, kur pas interesimit erdhi ambulanca e Spitalit Amerikan, e cila e mori vajzën nga reanimacioni i Spitalit “Koço Gliozheni” dhe e dërgoi në Spitalin nr. 2, në Tiranë.

Aty i bënë rezonancën dhe doli një mjek i cili tha se vajza ishte në gjendje kritike për jetën. Pas një ore, pas interesimeve të shumta, i njëjti mjek që më parë kishte thënë se vajza ishte në gjendje kritike për jetën, tha se ajo do të transferohej në Spitalin nr. 5, tek mjeku Mentor Petrela.

Më pas, erdhi një ambulancë e Spitalit nr. 2 dhe vajza u dërgua në Spitalin nr. 5, ku u shtrua dhe, pasi i bënë skanerin, rezultoi se ishin bllokuar mushkëritë dhe truri. Pasi pa analizat, doktori Mentor Petrela i ka thënë kallëzuesit se vajza ishte në gjendje të rëndë.

Pas 5–6 ditësh, doktori Mentor tha se bllokimi i mushkërive kishte kaluar, por tani kishin një problem më të rëndë në kokë. Vajza ka qëndruar e shtruar në Spitalin nr. 5 për një periudhë prej 15 ditësh dhe ditën e 16-të ka ndërruar jetë në spital.

Gjatë periudhës së shtatzënisë, deri në shtrimin në spital për lindje, vajza është vizituar dhe ndjekur nga mjekja A. M., në klinikën e saj private, në rrugën “Myslym Shyri”, dhe nuk ka pasur shqetësime. Dy-tre javë para lindjes, mjekja A. i ka kryer vizitën dhe analizat vajzës dhe i ka thënë se fëmija ishte në pozicion të keq dhe se lindja mund të kryhej me operacion. Njëkohësisht, i ka thënë se kishte aritminë pak të lartë dhe se, në rast se do të bëhej operacioni, nuk kishte nevojë të merrte ilaçe.

Vajza ka lindur me operacion. Kallëzuesi ka theksuar se vdekja e vajzës ka ardhur si pasojë e neglizhencës së mjekëve të Spitalit “Koço Gliozheni”, pasi, sipas dijenisë së tij, vajza është futur në operacion pa iu bërë më parë analizat, por është shtruar dhe operuar menjëherë, pa qëndruar në spital për kryerjen e analizave.

Arsyetimi i Gjykatës së Lartë

Kolegji vlerëson se rekursi i paraqitur nga e gjykuara Elona Burba nuk është i bazuar dhe nuk e cenon vendimin e gjykatës së apelit, objekt rekursi. Kolegji konstaton se e gjykuara nuk pajtohet me vendimin e gjykatës së apelit, si sa i takon vërtetimit të përgjegjësisë penale për veprën penale “Mjekimi i pakujdesshëm”, ashtu edhe sa i takon dënimit të caktuar ndaj të gjykuarës. Lidhur me fajësinë e të gjykuarës Elona Burba për kryerjen e veprës penale “Mjekimi i pakujdesshëm”, Kolegji vlerëson se argumentet e dhëna nga gjykata e apelit janë të drejta dhe rrjedhojë e një analize të kujdesshme dhe në respekt të ligjit. Nuk rezulton që nga kjo gjykatë të ketë shkelje të ligjit material ose procedural penal.

Kolegji, ndryshe nga sa pretendohet, vlerëson se Gjykata e Apelit ka bërë një vlerësim të kujdesshëm të provave, duke treguar kujdesin e duhur edhe në procesin e marrjes së tyre gjatë shqyrtimit të çështjes në apel, pasi ka riçelur shqyrtimin gjyqësor, duke mos pasur kontestime nga palët lidhur me aspekte procedurale, por vetëm mbi themelin e argumenteve në bazë të procesit vlerësues. Kjo gjykatë ka analizuar provat në tërësi, pa mbivlerësuar a nënvlerësuar ndonjërën prej tyre, duke përfshirë në analizën e saj edhe pretendimet e të gjykuarve gjatë procesit dhe ka arritur në një përfundim të bazuar e logjik mbi provat e marra, të cilat kanë qenë të afta të vërtetojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm përgjegjësinë penale të të gjykuarës.

Gjykata e Apelit nuk e ka gjetur të bazuar në prova pretendimin e të gjykuarve për pafajësi. Gjykata e Apelit ka vlerësuar se: “Pacientja Dorjana Haka, përpara ndërhyrjes kirurgjikale i është nënshtruar disa analizave bio-kimike laboratorike dhe disa ekzaminimeve në Klinikën private “M…”, analiza që rezultojnë të jenë kryer brenda afatit një mujor që parashikon protokolli nr. 77, datë 31.1.2012, por konstatohet se asaj pacienteje nuk i janë kryer të gjitha analizat e parashikuara nga ky protokoll. Referuar akt ekspertizës së kryer nga ekspertë të caktuar nga Gjykata e Apelit, sipas protokollit mjekësor në fuqi në kohën e ngjarjes, pacientes duhej t’i kryheshin detyrimisht Testet e koagulimit (INR APTT), të cilat rezulton fare qartë se pacientes Dorjana Haka nuk i janë kryer përpara ndërhyrjes kirurgjikale.

Ekspertët mjeko-ligjorë Pavllo Diamandi, Mirela Rista e Alfred Ibrahimi, në akt ekspertizën e tyre shprehen se: “Në çdo intervent kirurgjikal në përgjithësi ka 2 komplikacione kryesore, siç është hemorragjia ose e kundërta me të, tromboza e llojeve të ndryshme. Për mënjanimin e trombozave përdoren antikoagulantët (barna që pengojnë mpiksjen e gjakut). Gjithashtu, referuar konstatimeve shkencore të ekspertëve të sipërcituar, ndërhyrja kirurgjikale (section cezarea), por edhe shtatzënia, janë dy faktorë risku që mund të bëhen shkak për shkaktimin tek pacientja me lindje cezariane të “Trombozës”. Në këto kushte, për të evituar një situatë të tillë (trombozën), ekipi përkatës mjekësor që merr përsipër këtë ndërhyrje kirurgjikale duhet të tregojë vigjilencën e duhur që pacientes, përpara ndërhyrjes t’i jenë kryer të gjitha analizat laboratorike dhe ekzaminimet e domosdoshme mjekësore për të përcaktuar gjendjen e saj shëndetësore dhe për të përcaktuar nëse ajo është gati për ta realizuar interventin kirurgjikal, pa i sjellë asaj pasoja shëndetësore.

Në rastin konkret, provohet se pacientes Dorjana Haka nuk iu krye në përputhje me protokollin mjekësor një analizë mjekësore e domosdoshme që ishte Testet e koagulimit. Gjykata e Apelit, bazuar në konstatimet e ekspertëve mjeko-ligjorë, por edhe në përmbajtjen e dokumentacionit mjekësor ku përfshihen kartela e Klinikës “Manaj” për pacienten Dorjana Haka, kartelat klinike të Spitalit Universitar “Koço Gliozheni” dhe QSUT “Nënë Tereza”, Shërbimi i Neurokirurgjisë, deklarimet e dëshmitarëve dhe provave të tjera të administruara, çmon se shkaku i përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të viktimës Dorjana Haka ishte tromboza cerebrale, ndërsa shkaku i vdekjes së saj ka qenë arresti kardiak i induktuar nga tromboza e venave cerebrale dhe edema e trurit që e ka shoqëruar këtë trombozë.

Përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të pacientes së ndjerë Dorjana Haka mund të ishte shmangur, nëse personeli mjekësor, përfshirë dy të pandehurit në këtë proces, do të kishin kryer Testet e koagulimit (INR APTT), përpara realizimit të interventit kirurgjikal, datë 4.11.2014. Realizimi i këtij testi ishte detyrim që buron nga protokolli nr. 77, datë 31.1.2012 dhe, nëpërmjet atij testi mund të përcaktohej nëse ishte e nevojshme që aplikimi i antikoagulantit të fillonte përpara operacionit, t’i jepej pacientes përpara realizimit të ndërhyrjes kirurgjikale.

Të pandehurit, anestezistja Elona Burba dhe kirurgu obstetër Petrit Rexhepi, ishin përpara një operacioni të planifikuar, pra ata kishin në dispozicion gjithë kohën e nevojshme që të siguroheshin se pacientes Dorjana Haka iu kryen të gjitha analizat dhe ekzaminimet mjekësore të parashikuara nga protokolli mjekësor në fuqi. Të pandehurit e dinin se shtatzënia dhe sectio cezarea ishin faktorë rreziku të shtuar për trombozë dhe duhej të merrnin të gjitha masat, nëpërmjet kryerjes së plotë të analizave dhe ekzaminimeve mjekësore sipas protokollit për shmangien, parandalimin e saj (trombozës).

Për Gjykatën e Apelit, moskryerja e Testit të koagulimit (INR APTT) tek pacientja e ndjerë Dorjana Haka, përpara ndërhyrjes së interventit kirurgjikal përbën neglizhencë mjekësore të pajustifikueshme. Rezulton, gjithashtu, se sipas ekspertëve të caktuar nga Gjykata e Apelit, edhe dhënia e antikoagulantit pas operacionit është bërë me vonesë. Gjykata e Apelit vlerëson se të pandehurit Petrit Rexhepi dhe Elona Burba mbajnë përgjegjësi penale për mjekim të pakujdesshëm, vepër penale e parashikuar nga neni 96 i Kodit Penal në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, për shkak të veprimeve të tyre neglizhente të sipërcituara, me pasojë përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të pacientes Dorjana Haka, pasojë e cila më pas rezultoi fatale për këtë paciente, duke çuar në humbjen e jetës së saj.

Në lidhje me pretendimin e të pandehurve Petrit Rexhepi e Elona Burba se mungesa e autopsisë nuk mund të përcaktojë shkakun determinant të vdekjes së të ndjerës Dorjana Haka dhe, për pasojë, mungon lidhja shkakësore dhe kjo i bën ata të pafajshëm, Gjykata e Apelit e konsideron të pabazë një pretendim të tillë. Gjykata e Apelit çmon se të pandehurit mbajnë përgjegjësi që, me veprimet e tyre neglizhente, që lidhen me moskryerjen e testit të koagulimit tek pacientja Dorjana Haka përpara operacionit, sollën si pasojë shkaktimin e trombozës cerebrale tek kjo paciente, e cila më pas çoi në humbjen e jetës së saj. Prandaj, Gjykata e Apelit i gjen të pabazuara në prova e në ligj pretendimet e të pandehurve Elona Burba e Petrit Rexhepi për pafajësi, për veprën penale “Mjekimi i pakujdesshëm”, dhe çmon se drejt ka vepruar gjykata e shkallës së parë që i deklaroi ata fajtorë për atë vepër penale”.

Nga analiza tërësore e provave, edhe atyre të kundërta, Gjykata e Apelit ka arritur në një përfundim logjik të pacenueshëm lidhur me vërtetimin, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, të fajësisë së të gjykuarës. Fakti se mund të ketë qenë e nevojshme shtrirja e hetimeve edhe ndaj personave të tjerë nuk ka relevancë në fajësinë e të gjykuarës, e cila rezulton se është vërtetuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Gjithashtu, nuk ka ndërprerje të lidhjes shkakësore midis mosveprimit të të gjykuarës dhe pasojës së ardhur. Kryerja e testit të koagulimit ka qenë i domosdoshëm dhe vendimtar për ecurinë e ndërhyrjes dhe suksesin e saj.

Suksesi i ndërhyrjes nuk konsiston vetëm në momentin e kryerjes së saj, apo në infektimin ose jo të plagës, por dhe në pasojat që shkakton. Një ndërhyrje e kryer pa marrë masat e nevojshme, të detyrueshme sipas protokollit mjekësor, është e pasuksesshme dhe tregues i një mjekimi të pakujdesshëm. Referuar këtij arsyetimi, ndryshe nga sa pretendohet, nuk rezulton të jetë zbatuar protokolli mjekësor. Po ashtu, nuk qëndron pretendimi se ndodhemi përballë komplikacioneve objektivisht të pashmangshme sipas shkencës mjekësore, pasi protokolli mjekësor parashikonte kryerjen e testit të koagulimit, me qëllim shmangien e një komplikacioni të tillë të mundshëm.

Pasoja e ardhur në organizmin e pacientes së ndjerë ka qenë pikërisht shkaktimi i trombozës cerebrale, e cila është manifestuar në shenja klinike shumë të rënda për pacienten. Sipas aktit të ekspertimit, gjendja e saj është rënduar në mënyrë akute dhe ka rënë në koma që në fillim të sëmundjes (tregues që flet për prognozë të varfër).

Pretendimi i të gjykuarës për mungesën e autopsisë, si një akt ekspertimi që pengon vërtetimin e shkakut të vdekjes është i pabazuar. Nga ekspertiza është e qartë se shkaku kryesor i vdekjes ka qenë tromboza e venave cerebrale, në funksion të shmangies së të cilës është kryerja sipas protokollit e testeve të koagulimit, rezultatet e të cilëve duhet të konsultohen nga stafi mjekësor para kryerjes së ndërhyrjes kirurgjikale, sidomos kur kjo është e planifikuar më parë dhe përgjegjësinë kryesore për kryerjen e së cilëve e kishte e gjykuara, që ka paraqitur rekurs.

Video

Një anije e Rojës Bregdetare kineze përplasi një anije filipinase që po mbështeste peshkatarët në Detin e Kinës Jugore. Sipas autoriteteve të Filipineve, incidenti ndodhi rreth 100 kilometra nga ishulli Palawan, brenda zonës ekonomike ekskluzive të vendit. Manila akuzon anijen kineze se e goditi qëllimisht mjetin filipinas. Nga përplasja pati dëme materiale, por nuk raportohen persona të lënduar. Kina jep një version tjetër, duke thënë se anija filipinase nuk iu bind paralajmërimeve dhe kreu manovra që shkaktuan përplasjen. Ngjarja ka shtuar tensionet mes Kinës dhe Filipineve, të cilat prej vitesh kanë mosmarrëveshje për ujërat dhe territoret në Detin e Kinës Jugore.

Tre persona kanë humbur jetën dhe tetë të tjerë janë plagosur pas të shtënave me armë në një shkollë të mesme në Mindanao, në jug të Filipineve. Ngjarja ndodhi pas pushimit të drekës në Shkollën e Mesme Kombëtare Banga. Sipas autoriteteve, autori i dyshuar ishte një nxënës 16-vjeçar, i cili hapi zjarr ndaj nxënësve dhe më pas vrau veten. Mes viktimave janë dy nxënës 14-vjeçarë, ndërsa katër prej të plagosurve raportohet se ndodhen në gjendje kritike.

Një anije e Rojës Bregdetare kineze përplasi një anije filipinase që po mbështeste peshkatarët në Detin e Kinës Jugore. Sipas autoriteteve të Filipineve, incidenti ndodhi rreth 100 kilometra nga ishulli Palawan, brenda zonës ekonomike ekskluzive të vendit. Manila akuzon anijen kineze se e goditi qëllimisht mjetin filipinas. Nga përplasja pati dëme materiale, por nuk raportohen persona të lënduar. Kina jep një version tjetër, duke thënë se anija filipinase nuk iu bind paralajmërimeve dhe kreu manovra që shkaktuan përplasjen. Ngjarja ka shtuar tensionet mes Kinës dhe Filipineve, të cilat prej vitesh kanë mosmarrëveshje për ujërat dhe territoret në Detin e Kinës Jugore.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme