Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka nisur një hetim lidhur me çështjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në kuadër të hetimeve, mësohet se janë sekuestruar dokumente në ambientet e Kuvendit dhe në Ministrinë e Financave.
Hetimi lidhet me mënyrën e hartimit dhe miratimit të skemës së re të pagave për magjistratët, ndërsa SPAK po verifikon dokumentacionin dhe procedurat e ndjekura nga institucionet përgjegjëse.
Veprimet hetimore vijnë në një kohë kur propozimi për ndryshimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka shkaktuar debat të fortë politik dhe institucional. Opozita ka kundërshtuar draftin e paraqitur nga mazhoranca, duke ngritur pretendime mbi mënyrën e hartimit të tij dhe përputhshmërinë me parimet kushtetuese dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë.
Sekuestrimi i dokumenteve nga Kuvendi dhe Ministria e Financave synon të sigurojë materialet që lidhen me procesin e përgatitjes, diskutimit dhe miratimit të ndryshimeve të propozuara.






















