
Autoritetet greke vijojnë kërkimet për Alket Rizain, i cili nuk u kthye në burgun e Domokosit pas përfundimit të lejes së tij dhe tashmë konsiderohet zyrtarisht i arratisur. Deri më tani nuk ka gjurmë të tij, ndërsa mediat greke ngrenë dyshime se ai mund të jetë larguar drejt Shqipërisë.
Rizai kishte dalë me leje nga burgu më 7 shtator dhe duhej të rikthehej mëngjesin e 14 shtatorit, në orën 08:30. Pasi nuk u paraqit brenda afatit, drejtoria e burgut njoftoi policinë dhe nisën kërkimet për lokalizimin e tij.
Zhdukja e tij ndodhi pas një incidenti me armë në një lokal plazhi në Anavyssos, në juglindje të Athinës. Rizai dyshohet se ishte i përfshirë në konfliktin ku mbetën të plagosur dy persona, një 20-vjeçar grek dhe një 41-vjeçar pakistanez. Pas ngjarjes, ai dhe personat që e shoqëronin u larguan nga zona.
Sipas raportimeve, policia greke po shqyrton lëvizjet e fundit të Rizait dhe mundësinë që ai të ketë kaluar kufirin drejt Shqipërisë, megjithëse deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar se ndodhet në territorin shqiptar.
Rizai njihet për dy arratisjet e tij nga burgu i Koridallos me helikopter, në vitet 2006 dhe 2009. Që prej vitit 2021 ai kishte përfituar disa leje të rregullta nga burgu dhe, sipas raportimeve, ishte rikthyer brenda afatit në rastet e mëparshme.






















