Kronika 16 September 2026, 18:18 Nga VNA

Samir Mane 2 orë në SPAK, pas vëllezërve Eftimi të “Atelier 4”; Hetimet lidhen me dosjen Balluku dhe vilën në Palasë

Ndaje në Whatsapp
Samir Mane 2 orë në SPAK, pas vëllezërve Eftimi të

Biznesmeni i njohur Samir Mane u paraqit këtë të mërkurë në Prokurorinë e Posaçme,ku qëndroi 2 orë, në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen “Balluku” dhe më konkretisht me vilën luksoze në kompleksin “Green Coast” në Palasë.

Mane ka mbërritur në ambientet e SPAK rreth orës 18:00, ndërsa gjatë ditës së sotme në Prokurorinë e Posaçme janë paraqitur edhe arkitektët Alban dhe Olsi Eftimi, dy drejtuesit e studios “Atelier 4”. Burime bëjnë me dije se prania e tyre lidhet me verifikimet që SPAK po kryen për vilën nr. 188/1 në Palasë, pronë e sekuestruar nga Prokuroria e Posaçme dhe për të cilën hetuesit dyshojnë se zotërohej faktikisht nga ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.

Emri i “Atelier 4” është shfaqur në dosjen hetimore për shkak të materialeve, projekteve dhe komunikimeve elektronike që lidhen me këtë vilë. Sipas të dhënave të publikuara nga dosja, në kompjuterët e studios janë gjetur preventivë, planimetri dhe dokumente që lidhen me arredimin dhe punimet në vilën e Palasës.

Në qendër të hetimit janë edhe komunikimet e Alban Eftimit me Ballukun. Në një email të shtatorit 2020, Eftimi i dërgonte ish-zv.kryeministres rishikime të projektit dhe detaje të arredimit të pronës, duke përfshirë pishinën “infinity”, vaskat hidromasazhi, përdorimin e drurit “teak” dhe mermerit. Një tjetër komunikim përmbante planimetritë dhe projektet e dy vilave.

Sipas SPAK, vila deri në fazën e karabinasë dyshohet se ishte financuar nga ish-futbollisti Igli Tare, ndërsa punimet e mëtejshme dhe pishina dyshohet se janë financuar nga biznesmeni Arbër Abazi, administrator i “Alko Impex General Construction”. Në dokumentet e sekuestruara në “Atelier 4”, sipas raportimeve mbi dosjen, rezultojnë pagesa të kompanisë së Abazit në vlera që shkojnë nga 288 mijë deri në 410 mijë euro.

Pikërisht lidhja e kësaj prone me kompleksin “Green Coast”, ku është ndërtuar vila e sekuestruar, e sjell në fokus edhe emrin e Samir Manes. Më herët, BKH ka ushtruar kontrolle në vilën dhe zyrat e biznesmenit, ndërsa gjatë kontrollit është sekuestruar edhe telefoni i tij celular. Në atë fazë, hetimet lidhnin emrin e Manes me verifikimet për investime të dyshuara në projektin “Green Coast” në Palasë.

Paraqitja e Manes sot në SPAK për 2 orë, pas marrjes në pyetje të vëllezërve Eftimi, tregon se Prokuroria e Posaçme po zgjeron rrethin e personave që mund të kenë dijeni për mënyrën si është porositur, projektuar, financuar dhe finalizuar vila që SPAK dyshon se është pasuri e fshehur e Belinda Ballukut.

Dosja ndaj ish-zv.kryeministres përfshin dyshime për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Deri në këtë fazë bëhet fjalë për dyshime të organit të akuzës dhe jo për përfundime gjyqësore të formës së prerë.

Lexo gjithashtu

Video

Protestuesit janë zhvendosur këtë të enjte edhe para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme, ku kanë kërkuar lirimin e personave të arrestuar pak ditë më parë. “Lironi çunat”, kanë qenë thirrjet e përsëritura gjatë tubimit para SPAK. Sot shënohet dita e 110-të e protestës qytetare.

Një kalë që kishte mbetur i bllokuar në një pellg në Valencia të Spanjës u shpëtua përmes një operacioni me helikopter. Kali u nxor në mënyrë të sigurt nga uji dhe më pas iu dorëzua pronarit.

Samir Mane për 2 orë në SPAK, pas vëllezërve Eftimi të “Atelier 4”. Hetimet lidhen me dosjen “Balluku” dhe vilën e sekuestruar në kompleksin “Green Coast” në Palasë, për të cilën SPAK dyshon se është pasuri e fshehur e Belinda Ballukut. Dokumentet, projektet, financimi i punimeve dhe personat që mund të kenë dijeni për pronën janë në fokus të hetuesve. Çfarë po heton SPAK dhe si lidhen emrat e përfshirë me vilën?

Lajmi i Fundit/ Pas dy orësh, del nga ambientet e SPAK Samir Mane. Biznesmeni u pyet në kuadër të hetimeve për Belinda Ballukun.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme