Hysni Patushi, 68 vjeç, i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Lumturie Patushi, është arrestuar nga Policia në Kamëz, pas disa orësh kërkime.
Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e sotme në rrugën “Panorama” në Tiranë, pas një konflikti në banesë. Sipas Policisë, 68-vjeçari dyshohet se ka goditur me mjet prerës bashkëshorten e tij, 58-vjeçaren Lumturie Patushi, e cila humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.
Në momentin e ngjarjes, në banesë ndodhej edhe nipi 14-vjeçar i çiftit, i cili dyshohet se ka parë skenën dhe ka alarmuar banorët e zonës dhe Policinë. Ndërkohë, sipas të dhënave paraprake, Hysni Patushi dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes.
Pas largimit nga vendi i ngjarjes, 68-vjeçari është lokalizuar nga shërbimet e Policisë në Kamëz, ku edhe është vënë në pranga.
Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Tiranë
Vrau me mjet prerës bashkëshorten, vihet në pranga 68-vjeçari.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak më parë, bëjmë me dije se, shtetasi H. P., 68 vjeç, i dyshuar se ka goditur me mjet prerës bashkëshorten e tij, shtetasen L. P., 58 vjeçe, e cila si pasojë ka humbur jetën, është lokalizuar dhe vënë në pranga nga shërbimet e Policisë.
Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.






















