Politika 20 September 2026, 14:25 Nga VNA

Saimir Korreshi, antikomunisti i Facebook-ut që nxori nga konteksti një grua të përndjekur dhe ia la rrjetit ta masakrojë padrejtësisht

Ndaje në Whatsapp
Saimir Korreshi, antikomunisti i Facebook-ut që nxori nga konteksti

Ka raste kur gabimi mund të ndreqet me një sqarim. Ka raste kur keqkuptimi mund të mbyllet me një ndjesë. Por ka edhe raste kur një politikan, pasi nxjerr nga konteksti fjalët e një qytetareje, e ekspozon atë publikisht dhe pastaj, në vend që të tërhiqet, vendos të mbrojë deri në fund gabimin e vet. Ky është rasti i deputetit të PD-së, Saimir Korreshi.

Korreshi publikoi një video ku një zonjë recitonte disa vargje që, të shkëputura nga e gjithë fjala e saj, mund të krijonin përshtypjen e një recitimi nostalgjik për diktaturën. Por videoja e plotë tregon një tjetër histori. Zonja, e identifikuar si Flora Ngucaj, flet gjatë për vuajtjet e familjes së saj gjatë regjimit komunist dhe e quan Enver Hoxhën diktator. Vargjet që Korreshi i përdori si provë propagande komuniste, sipas saj, ishin shkruar nga babai i saj në mënyrë metaforike për ditën kur diktatori vdiq.

Mund të diskutohet për metaforën. Mund të diskutohet për shijen, për gjuhën, për mënyrën si lexohen sot vargje të një kohe tjetër. Por ajo që nuk mund të bëhet është të merret një fragment, të shkëputet nga rrëfimi i plotë i një gruaje që flet për persekutimin e familjes dhe të përdoret si material politik për rrjete sociale. Aq më pak kur pas këtij ekspozimi, rrjeti nis ta masakrojë publikisht zonjën, ndërsa deputeti vazhdon të këmbëngulë sikur problemi nuk është manipulimi i kontekstit, por mungesa e duartrokitjes për të.

Në reagimin e fundit, Korreshi flet për rezoluta, për ndalimin e recitimeve në institucione publike dhe për “kredo politike”. Por pyetja është shumë më e thjeshtë: a e dëgjoi ai të plotë zonjën para se ta publikonte? A e kuptoi çfarë po thoshte? A e pa që ajo nuk po lavdëronte diktatorin, por po rrëfente plagën e një familjeje të goditur nga regjimi? Sepse nëse e pa dhe e publikoi ashtu, është problem etik. Nëse nuk e pa dhe e publikoi, është problem edhe më i rëndë profesional dhe njerëzor.

Ironia është se gjithë kjo bëhet në emër të antikomunizmit. Një deputet i Partisë Demokratike del të japë leksione për komunizmin, ndërkohë që partia e tij drejtohet nga Sali Berisha, një ish-komunist i regjimit, dhe ndër vite ka dështuar t’u japë ish-të përndjekurve atë që u premtoi: dinjitet, drejtësi, zhdëmtim real dhe përfaqësim të ndershëm. Antikomunizmi nuk është status Facebook-u. Nuk është fragment videoje. Nuk është gjueti ndaj një gruaje të moshuar që rrëfen historinë e familjes së saj. Antikomunizmi fillon nga e vërteta, nga konteksti dhe nga respekti për viktimat.

Në këtë histori ka edhe një përgjegjësi institucionale. Nëse një qytetare ekspozohet publikisht përmes një manipulimi të tillë dhe bëhet objekt linçimi, nuk mjafton të thuhet se “rrjeti e ka vetë”. Politikanët kanë përgjegjësi për atë që hedhin në publik. Sidomos kur bëhet fjalë për njerëz të zakonshëm, jo për figura publike që kanë zgjedhur vetë të jenë pjesë e betejës politike.

Dhe këtu lind pyetja për Jorida Tabakun, si kryetare e Komisionit për Median, Informimin dhe të Drejtat e Njeriut: ku është përgjegjësia kur një deputet përdor një qytetare jashtë kontekstit dhe e kthen në tabelë qitjeje për rrjetet sociale? A vlejnë të drejtat e njeriut vetëm në rezoluta, apo edhe kur një grua konkrete poshtërohet publikisht nga një politikan që kërkon kredo politike mbi kurrizin e saj?

Saimir Korreshi mund të vazhdojë të flasë për komunizmin, për rezolutat dhe për institucionet. Por në këtë rast, çështja nuk është komunizmi. Çështja është më e thjeshtë dhe më e rëndë: një deputet mori një pjesë të një historie personale, e nxori nga kuptimi i saj, e përdori për politikë dhe pastaj, kur iu tregua konteksti, zgjodhi të mbrojë gabimin.

Në politikë, gabimi ndodh. Por kur gabimi kthehet në qëndrim, nuk është më gafë. Është karakter.

Video

Qindra qytetarë u mblodhën mbrëmjen e së dielës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të protestuar kundër vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së. Protestuesit valëvitën një flamur gjigant të UÇK-së dhe brohoritën “UÇK”. Protesta janë zhvilluar edhe jashtë Kosovës. Në Vjenë, shqiptarë të shumtë u mblodhën me thirrjet “Liria ka emër”, “Jo në emrin tim” dhe “Liri për çlirimtarët e Kosovës”.

Një avion i kompanisë Volaris është detyruar të kthehet në aeroportin e Las Vegasit, pasi një prej motorëve të tij mori flakë pak pas ngritjes. Avioni Airbus A321 po fluturonte nga Las Vegas drejt Guadalajara-s në Meksikë, kur ekuipazhi raportoi një zjarr të mundshëm në motor. Pilotët vendosën të ktheheshin menjëherë dhe avioni u ul në mënyrë të sigurt në Aeroportin Ndërkombëtar Harry Reid. Autoriteti amerikan i aviacionit, FAA, ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e incidentit.

Forcat amerikane kanë kryer një sulm ndaj një mjeti lundrues në Karaibe, i cili dyshohej se përdorej për trafikimin e lëndëve narkotike. Sipas Komandës Jugore të Shteteve të Bashkuara (SOUTHCOM), mjeti ishte i përfshirë aktivisht në trafik narkotikësh në momentin e goditjes. Si pasojë e operacionit u vranë katër persona, të cilët autoritetet ushtarake amerikane i përshkruan si “narko-terroristë”.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme