Në ditën e parë në detyrë, Ervin Demo zgjodhi të vizitojë zjarrfikësit. Si gjest institucional, nuk ishte zgjedhje e gabuar. Një ministër i ri i Brendshëm që nis punën duke shkuar te një strukturë emergjencash, në një vend ku zjarret, siguria civile dhe reagimi institucional shpesh trajtohen më shumë si propagandë se si sistem, mund të lexohej edhe si sinjal serioziteti.
Por politika shqiptare rrallë e lë një pamje të jetë thjesht pamje. Në videon e publikuar nga kjo vizitë, përkrah Ervin Demos u shfaq edhe Alban Dokushi, tashmë një nga figurat më të dukshme në Bashkinë e Tiranës pas arrestimit të Erion Veliajt. Dhe kjo dalje nuk është më një rastësi protokollare. Është një tjetër gur në mozaikun që po ndërtohet prej ditësh: Dokushi po vendoset publikisht si njeriu që zëvendëson fizikisht Veliajn në terren.
Pak ditë më parë, Alban Dokushi u pa edhe në rreshtin e parë në një takim të Edi Ramës. Sot, me praninë përkrah ministrit të ri të Brendshëm, sinjali bëhet edhe më i qartë. Nëse formalisht Bashkia e Tiranës vijon të ketë një kryetar të zgjedhur që ndodhet në burg, praktikisht skena po mbushet nga një tjetër emër. Dokushi po merr rolin e njeriut që shfaqet, pret, shoqëron, përfaqëson dhe mban në këmbë fytyrën publike të institucionit.
Kjo e bën të pashmangshme pyetjen: Alban Dokushi është thjesht mëkëmbësi i Erion Veliajt, apo po projektohet si figura që do të administrojë politikisht Bashkinë e Tiranës deri në zgjedhjet e ardhshme?
Sepse në politikë, sidomos në Partinë Socialiste, daljet publike nuk janë të pafajshme. Nuk mjafton të jesh aty. Duhet të të lejojnë të jesh aty. Dhe kur një figurë shfaqet fillimisht në rreshtin e parë pranë Edi Ramës, më pas në terren me ministrin e ri të Brendshëm, kjo nuk është më thjesht prani administrative. Është ekspozim politik.
Pyetja tjetër është edhe më interesante: Dokushi po ruan karrigen e Veliajt, apo po ngjit shkallët e veta drejt pushtetit në PS? Nëse ai është njeriu i besuar për të mbajtur gjallë mekanizmin e Bashkisë së Tiranës në mungesë të kryetarit, atëherë roli i tij është më shumë se teknik. Është politik. Nëse ai po vendoset gradualisht në sy të publikut si fytyra funksionale e bashkisë, atëherë kemi të bëjmë me një tranzicion të heshtur pushteti.
Ka edhe një pyetje tjetër që nuk mund të shmanget: çfarë raporti do të ketë Dokushi me trashëgiminë politike të Veliajt? Do të jetë administratori i besuar i sistemit që la pas kryebashkiaku i arrestuar, apo do të tentojë të ndërtojë një profil të vetin, të pranueshëm për Ramën dhe të përdorshëm për PS-në në prag të zgjedhjeve vendore?
Dhe më në fund, pyetja më e rëndësishme: kush e drejton sot realisht Bashkinë e Tiranës? Në letër, institucioni ka procedura, hierarki dhe vendimmarrje formale. Në terren, pamjet tregojnë diçka tjetër: një figurë që po del gjithnjë e më shpesh në krah të pushtetit qendror dhe po merr rolin e njeriut të parë të pranishëm aty ku Veliaj nuk mund të jetë më.
Për Ervin Demon, vizita te zjarrfikësit ishte dita e parë në detyrë. Për Alban Dokushin, mund të jetë një nga daljet që shënon një etapë të re. Jo më thjesht si funksionar bashkie, por si njeriu që PS po e lejon të duket, të lëvizë dhe të zërë hapësirën që ka mbetur bosh pas arrestimit të Veliajt.
Për momentin, Alban Dokushi nuk është më thjesht emri që del në krah të të tjerëve. Është figura që po shfaqet aty ku Veliaj mungon, po lëviz aty ku bashkia duhet të ketë fytyrë dhe po testohet në publik si njeriu që mund të mbajë institucionin në këmbë deri në zgjedhjet e ardhshme. Në këtë kuptim, Dokushi nuk po mbetet më vetëm Dokushi. Në mungesën e Veliajt, ai po bëhet “dikushi”.






















