Editorial 30 September 2026, 12:57 Nga VNA

Kush ka frikë nga telefonat? Rama zbulon privatësinë, ndërsa ish-të besuarit e tij luftojnë me dosjet e njëri-tjetrit

Ndaje në Whatsapp

Nga Desada Metaj

Ka një luftë që po zhvillohet sot në Tiranë dhe nuk ka nevojë as për mitingje, as për deklarata lufte. Armët janë dosjet, telefonat, përgjimet, mediat dhe informacionet që njerëzit e pushtetit kanë për njëri-tjetrin. Ish-bashkëpunëtorë, ish-të besuar dhe njerëz që deri dje kishin çdo interes të heshtnin, sot kanë gjithnjë e më shumë arsye të flasin. Dhe pikërisht kur kjo luftë ka nisur të dalë nga kontrolli, Edi Rama ka vendosur të marrë vetë në dorë një temë që për më shumë se një vit kishte ecur kryesisht në tryezat e ekspertëve: rregullat se çfarë mund të shohë drejtësia në telefonat e të hetuarve, çfarë mund të përdorë dhe çfarë duhet të asgjësojë.

Është një koincidencë politike shumë e bukur për të kaluar pa u vënë re.

Telefonat kanë qenë aty prej vitesh. Përgjimet po ashtu. Edhe rrjedhja e materialeve hetimore nuk lindi këtë shtator. Ajo që ka ndryshuar është se tani brenda tyre gjenden gjithnjë e më shpesh njerëz, marrëdhënie dhe sekrete që çojnë drejt oborrit të pushtetit. Dhe kur dosjet nuk prodhojnë më vetëm telashe për kundërshtarët, por fillojnë të prodhojnë telashe brenda shtëpisë, privatësia merr papritur një tjetër peshë politike.

Rishikimi i legjislacionit penal nuk nisi sot dhe as me Edi Ramën në foltore. Është një proces i hapur prej më shumë se një viti, i zhvilluar përmes konsultimeve me ekspertë dhe juristë, ku ndër emrat e përfshirë ka qenë edhe ish-Prokurori i Përgjithshëm Arben Rakipi. Pikërisht për këtë arsye ajo që po ndodh tani është edhe më interesante: një proces që deri dje ecte kryesisht në tryezat e ekspertëve ka marrë fytyrën, zërin dhe argumentet e Kryeministrit.

Rama ka zgjedhur të bëhet vetë protagonisti i fazës së ndryshimeve që prek një nga pikat më të ndjeshme të hetimeve të viteve të fundit: telefonat, përgjimet, materialet e sekuestruara dhe kufijtë e përdorimit të tyre. Dhe këtë po e bën në një moment krejt tjetër nga ai kur nisi procesi. Dosjet e SPAK-ut kanë hyrë tashmë thellë në territorin e pushtetit dhe materialet e dala prej tyre kanë ekspozuar marrëdhënie, komunikime dhe konflikte mes njerëzve që për vite kanë qenë pjesë e të njëjtit sistem.

Prandaj pyetja nuk është pse po ndryshohet Kodi. Ky proces ka historinë e vet dhe ka nisur shumë më herët. Pyetja është pse, në këtë fazë dhe në këtë klimë, Edi Rama ka vendosur t’i marrë vetë frenat politike dhe të shpjegojë publikisht se deri ku duhet të hyjë prokurori në një telefon, çfarë duhet të përdorë nga përgjimet dhe çfarë duhet të zhduket nga dosja.

Kryeministri kërkon që kontrolli i pajisjeve elektronike të mos bëhet pa autorizim gjykate, që në rastet urgjente veprimi t’i nënshtrohet më pas kontrollit gjyqësor dhe që materialet e marra nga telefonat, kompjuterët apo pajisjet e tjera, kur nuk kanë lidhje me hetimin, të asgjësohen. Të njëjtin kufizim e kërkon edhe për përgjimet: të përdoret vetëm ajo që lidhet me objektin e procedimit.

Marrjet në pyetje dhe veprimet kryesore procedurale do të regjistrohen me zë dhe figurë. Personi duhet të ketë të drejtën të dijë se ndaj tij është regjistruar një procedim dhe hetimet e fshehta nuk duhet të kthehen në rutinë. Rama kërkon gjithashtu që prezumimi i pafajësisë të mos mbetet një parim që vlen vetëm brenda sallës së gjyqit.

Pastaj vjen fjalia që ndoshta thotë më shumë se të gjitha nenet bashkë: “Gjyqi në pazar përpara gjyqit në sallë nuk është drejtësi”.

Për fenomenin mund të ketë të drejtë. Dosjet hetimore nuk mund të shndërrohen në magazina ku ekspozohet pa kriter jeta private e kujtdo dhe prezumimi i pafajësisë nuk mund të vlejë vetëm pasi mbyllen kamerat. Por shqetësimi për “pazarin” bëhet shumë më interesant kur në atë pazar kanë nisur të qarkullojnë bisedat, lidhjet dhe sekretet e njerëzve që kanë qenë pranë pushtetit të tij.

Sepse ndërkohë, brenda rrethit të njerëzve që kanë ndarë pushtet dhe interesa për vite me radhë, ka nisur një betejë tjetër. Dosjet përdoren kundër njëri-tjetrit, mediat ushqehen me materiale, informacionet hidhen në qarkullim dhe ajo që njëri di për tjetrin po kthehet në monedhën më të shtrenjtë të një lufte për mbijetesë.

Kjo është shumë më e vështirë për t’u administruar sesa opozita.

Për vite me radhë Rama ka pasur luksin të mbajë nën kontroll politik konfliktet brenda kampit të vet. Kur drejtësia hyn mes tyre, megjithatë, interesat ndryshojnë. Ai që deri dje kishte arsye të heshtte, sot mund të ketë arsye të flasë; ai që kishte interes të mbronte tjetrin, nesër mund të ketë nevojë ta fundosë për të shpëtuar veten. Në atë pikë dosja nuk është më vetëm instrument i prokurorit. Bëhet armë mes njerëzve që njohin shumë mirë sekretet e njëri-tjetrit.

Dhe ndoshta ky është makthi i vërtetë politik i Ramës. Jo vetëm ajo që mund të gjejë SPAK-u, por ajo që mund t’i çojnë SPAK-ut njerëzit e tij kur secili të vendosë se lëkura e vet vlen më shumë se besnikëria e djeshme.

Pikërisht për këtë ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale duhen lexuar me lupë. Privatësia duhet mbrojtur dhe prokuroria nuk mund të ketë një çek të bardhë mbi gjithë jetën e një personi vetëm sepse i ka sekuestruar telefonin. Por mes mbrojtjes së jetës private dhe mbrojtjes së pushtetit nga ajo që një hetim legjitim mund të zbulojë ekziston një vijë shumë e hollë.

Nëse këto ndryshime janë standard europian, duhet të funksionojnë njësoj për këdo: për qytetarin e zakonshëm, ministrin, biznesmenin dhe njeriun më të afërt të Kryeministrit. Nëse mbrojnë privatësinë pa cenuar provën dhe hetimin, janë një korrigjim i nevojshëm. Por nëse kufijtë e rinj përfundojnë duke u kthyer në perde që pengojnë zbulimin e marrëdhënieve relevante mes të hetuarve dhe pushtetit, atëherë nuk kemi mbrojtur privatësinë. Kemi mbrojtur sistemin nga dosjet e veta.

Dhe këtu Edi Rama ka një problem që nuk ia zgjidh dot as Kodi i Procedurës Penale.

Sepse beteja nuk zhvillohet më vetëm mes SPAK-ut dhe njerëzve që heton SPAK-u. Ajo po zhvillohet edhe mes njerëzve që njohin sekretet e njëri-tjetrit dhe që, sa më shumë ndihen të rrezikuar, aq më pak arsye kanë t’i ruajnë ato.

Rama mund të vendosë rregulla të reja për telefonat. Mund të kufizojë përdorimin e përgjimeve. Mund të kërkojë asgjësimin e materialeve që nuk lidhen me hetimin dhe t’i shpallë luftë “gjyqit në pazar”. Mund edhe të përpiqet të rimarrë kontrollin e një narrative që deri dje ishte specialiteti i tij.

Por ka diçka që nuk asgjësohet me vendim gjykate.

Kujtesa e njerëzve që kanë qenë aty.

Nëse ish-të besuarit kanë nisur tashmë luftën me dosjet e njëri-tjetrit, problemi i Kryeministrit nuk është më çfarë ka në telefonat e tyre.

Është çfarë dinë ata për njëri-tjetrin.

Dhe, mbi të gjitha, çfarë dinë për të.

Video

Revoltë në burgun “Don Bosco” të Pizës. Tensionet shpërthyen pasi disa dhjetëra të dënuar pretendojnë se zbuluan mikrokamera dhe pajisje elektronike të fshehura në qeli. Ngjarja mori vëmendje të madhe pasi u transmetua LIVE nga brenda burgut në faqen e Kozakut në TikTok, ku një i dënuar shqiptar denoncoi situatën dhe tregoi pamje nga revolta. Për disa orë një repart mbeti nën kontrollin e të burgosurve, ndërsa jashtë u mobilizuan policia, karabinierët dhe policia penitenciare. Situata raportohet se është vendosur nën kontroll, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë rrethanat e vendosjes së pajisjeve dhe nëse ato ishin pjesë e një procedure hetimore të autorizuar.

Mediat ndërkombëtare kanë publikuar pamjet në ish-qendrën e paraburgimit të Degës 215 të Inteligjencës Ushtarake Siriane në Damask, e njohur për mbajtjen e të burgosurve politikë dhe kundërshtarëve të qeverisë së Bashar al-Assad. Objekti është lidhur prej vitesh me akuza për tortura, keqtrajtim dhe zhdukje të detyruara të të ndaluarve. Brenda qelive vazhdojnë të jenë të dukshme shkrime në gjuhën arabe dhe ruse, të lëna në muret e ambienteve të paraburgimit.

Të paktën 50 persona kanë humbur jetën dhe 58 të tjerë janë plagosur pas një sulmi ajror të ushtrisë mbi një treg në qytetin Kyauktaw, në shtetin Rakhine të Mianmarit. Ekipet e ndihmës paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet, pasi disa trupa dyshohet se janë shkrumbuar nga zjarret e shkaktuara pas bombardimit. Sulmi konsiderohet ndër më vdekjeprurësit e kohëve të fundit në luftën civile të vendit. OKB-ja deklaroi se dhuna e vazhdueshme në Rakhine nuk krijon kushtet për kthimin e sigurt dhe të qëndrueshëm të refugjatëve dhe personave të zhvendosur, përfshirë Rohingya-t. Sipas të dhënave të OKB-së, afro gjysmë milioni njerëz jetojnë të zhvendosur në Rakhine si pasojë e konfliktit.

Një ngjarje sa e pazakontë, aq edhe komike, është regjistruar në një komisariat policie në Florianópolis të Brazilit. Një i arrestuar, i ndaluar nën dyshimet për dhunë në familje, arriti të kalonte përmes hapësirës së qelisë që përdorej për dhënien e ushqimit. Pasi doli, ai nuk harroi as këpucët: i mori dhe u largua nga komisariati sikur të kishte përfunduar procedurat normalisht. “Liria” megjithatë zgjati pak. Policia e kapi sërish të arratisurin, ndërsa qelia u mbyll për modifikime sigurie, me sa duket për t’u siguruar që “sporteli i ushqimit” të mos shërbejë më edhe si derë daljeje.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme