Kronika 30 September 2026, 21:01 Nga VNA

Video intime në rrjet, Policia e Tiranës nis hetimet kryesisht: Në fokus portalet, profilet dhe gjurma digjitale

Ndaje në Whatsapp
Video intime në rrjet, Policia e Tiranës nis hetimet kryesisht:

Policia e Tiranës ka nisur hetimet kryesisht pas publikimit dhe shpërndarjes në disa portale dhe platforma online të materialeve filmike me përmbajtje intime, një rast që ka rikthyer edhe një herë në vëmendje kufirin mes interesit publik dhe dhunës digjitale ndaj jetës private.

Sipas njoftimit zyrtar, Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka nisur veprimet për identifikimin e adresave IP, faqeve, profileve dhe çdo gjurme tjetër elektronike që lidhet me publikimin apo shpërndarjen e këtyre materialeve. Paralelisht, policia po ndjek procedurat për heqjen e videove nga platformat ku janë publikuar.

Çështja i është referuar Prokurorisë për disa vepra penale, mes tyre “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.

Rasti vjen në një klimë ku rrjetet sociale dhe portalet e dyshimta janë kthyer shpesh në gjykata publike pa ligj, ku privatësia e individit copëtohet për klikime, moralizim dhe konsum masiv. Hetimi pritet të sqarojë jo vetëm kush i ka publikuar materialet, por edhe kush i ka shpërndarë më tej, duke i dhënë një përmasë edhe më të rëndë një akti që ligji e trajton si cenim të jetës private dhe keqpërdorim të të dhënave digjitale.

Nëse hetimi shkon deri në fund, kjo nuk do të jetë vetëm një çështje policore. Do të jetë edhe një provë për mënyrën se si shteti, mediat dhe shoqëria reagojnë kur intimiteti kthehet në mall publik dhe kur turpi kërkohet te viktima, jo te ata që e prodhojnë, e hedhin në rrjet dhe e shpërndajnë.

Video

Revoltë në burgun “Don Bosco” të Pizës. Tensionet shpërthyen pasi disa dhjetëra të dënuar pretendojnë se zbuluan mikrokamera dhe pajisje elektronike të fshehura në qeli. Ngjarja mori vëmendje të madhe pasi u transmetua LIVE nga brenda burgut në faqen e Kozakut në TikTok, ku një i dënuar shqiptar denoncoi situatën dhe tregoi pamje nga revolta. Për disa orë një repart mbeti nën kontrollin e të burgosurve, ndërsa jashtë u mobilizuan policia, karabinierët dhe policia penitenciare. Situata raportohet se është vendosur nën kontroll, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë rrethanat e vendosjes së pajisjeve dhe nëse ato ishin pjesë e një procedure hetimore të autorizuar.

Mediat ndërkombëtare kanë publikuar pamjet në ish-qendrën e paraburgimit të Degës 215 të Inteligjencës Ushtarake Siriane në Damask, e njohur për mbajtjen e të burgosurve politikë dhe kundërshtarëve të qeverisë së Bashar al-Assad. Objekti është lidhur prej vitesh me akuza për tortura, keqtrajtim dhe zhdukje të detyruara të të ndaluarve. Brenda qelive vazhdojnë të jenë të dukshme shkrime në gjuhën arabe dhe ruse, të lëna në muret e ambienteve të paraburgimit.

Të paktën 50 persona kanë humbur jetën dhe 58 të tjerë janë plagosur pas një sulmi ajror të ushtrisë mbi një treg në qytetin Kyauktaw, në shtetin Rakhine të Mianmarit. Ekipet e ndihmës paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet, pasi disa trupa dyshohet se janë shkrumbuar nga zjarret e shkaktuara pas bombardimit. Sulmi konsiderohet ndër më vdekjeprurësit e kohëve të fundit në luftën civile të vendit. OKB-ja deklaroi se dhuna e vazhdueshme në Rakhine nuk krijon kushtet për kthimin e sigurt dhe të qëndrueshëm të refugjatëve dhe personave të zhvendosur, përfshirë Rohingya-t. Sipas të dhënave të OKB-së, afro gjysmë milioni njerëz jetojnë të zhvendosur në Rakhine si pasojë e konfliktit.

Një ngjarje sa e pazakontë, aq edhe komike, është regjistruar në një komisariat policie në Florianópolis të Brazilit. Një i arrestuar, i ndaluar nën dyshimet për dhunë në familje, arriti të kalonte përmes hapësirës së qelisë që përdorej për dhënien e ushqimit. Pasi doli, ai nuk harroi as këpucët: i mori dhe u largua nga komisariati sikur të kishte përfunduar procedurat normalisht. “Liria” megjithatë zgjati pak. Policia e kapi sërish të arratisurin, ndërsa qelia u mbyll për modifikime sigurie, me sa duket për t’u siguruar që “sporteli i ushqimit” të mos shërbejë më edhe si derë daljeje.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme