Bota 30 September 2026, 19:31 Nga VNA

Panik në fluturimin Dubai-Tel Aviv: Piloti plagoset në kabinë, avioni zbret me urgjencë në Arabinë Saudite

Ndaje në Whatsapp
Panik në fluturimin Dubai-Tel Aviv: Piloti plagoset në kabinë,

Tetëdhjetë e katër minuta paniku në ajër. Një fluturim i Flydubai nga Dubai drejt Tel Avivit u detyrua të bënte ulje emergjente në aeroportin ndërkombëtar të Tabukut, në Arabinë Saudite, pas një incidenti të rëndë në kabinën e pilotimit.

Sipas raportimeve paraprake, në bordin e avionit Boeing 737 Max 8, me rreth 180 pasagjerë, dyshohet se ka pasur një përplasje fizike në kabinë, ku piloti dhe bashkëpiloti janë parë të gjakosur. Një video e filmuar nga pasagjerët, që po qarkullon në rrjet, tregon pilotin të plagosur dhe pothuajse në gjendje të rënduar, ndërsa bashkëpiloti shihet i neutralizuar me duart pas shpine.

Në video, një pasagjer izraelit dëgjohet t’i thotë pilotit: “Ti shpëtove avionin”. Një tjetër pasagjer tregon personin e shtrirë në tokë dhe thotë: “Ky është njeriu që e goditi me thikë”.

Ngjarja ndodhi rreth një orë pas nisjes nga Dubai. Avioni po fluturonte në hapësirën ajrore të Arabisë Saudite, në lartësi mbi 10 mijë metra, kur pësoi një ulje të papritur dhe të fortë. Sipas të dhënave të fluturimit, në më pak se një minutë ai zbriti nga rreth 10 mijë metra në afro 5 mijë metra, ndërsa shpejtësia u rrit ndjeshëm.

Pak minuta më vonë, avioni transmetoi kodin 7700, që tregon emergjencë të përgjithshme. Më pas u raportua edhe kodi 7500, sinjal ndërkombëtar për ndërhyrje të paligjshme në bord ose dyshim për rrëmbim.

Autoritetet izraelite dhe saudite kanë nisur hetimet, ndërsa pasagjerët po merren në pyetje. Izraeli po e trajton rastin si një incident të mundshëm terrorist dhe po verifikon nëse ka pasur tentativë për rrëzimin e avionit.

Për shkak të alarmit, aviacioni ushtarak izraelit ngriti avionë luftarakë, ndërsa zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu u njoftua për situatën në kohë reale.

Për momentin, shumë detaje mbeten ende të pakonfirmuara. E sigurt është se fluturimi FZ1073 nuk mbërriti në Tel Aviv, por u ul në Tabuk në gjendje emergjence, pas një prej incidenteve më të pazakonta dhe më shqetësuese të raportuara së fundmi në aviacionin civil.

Video

Revoltë në burgun “Don Bosco” të Pizës. Tensionet shpërthyen pasi disa dhjetëra të dënuar pretendojnë se zbuluan mikrokamera dhe pajisje elektronike të fshehura në qeli. Ngjarja mori vëmendje të madhe pasi u transmetua LIVE nga brenda burgut në faqen e Kozakut në TikTok, ku një i dënuar shqiptar denoncoi situatën dhe tregoi pamje nga revolta. Për disa orë një repart mbeti nën kontrollin e të burgosurve, ndërsa jashtë u mobilizuan policia, karabinierët dhe policia penitenciare. Situata raportohet se është vendosur nën kontroll, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë rrethanat e vendosjes së pajisjeve dhe nëse ato ishin pjesë e një procedure hetimore të autorizuar.

Mediat ndërkombëtare kanë publikuar pamjet në ish-qendrën e paraburgimit të Degës 215 të Inteligjencës Ushtarake Siriane në Damask, e njohur për mbajtjen e të burgosurve politikë dhe kundërshtarëve të qeverisë së Bashar al-Assad. Objekti është lidhur prej vitesh me akuza për tortura, keqtrajtim dhe zhdukje të detyruara të të ndaluarve. Brenda qelive vazhdojnë të jenë të dukshme shkrime në gjuhën arabe dhe ruse, të lëna në muret e ambienteve të paraburgimit.

Të paktën 50 persona kanë humbur jetën dhe 58 të tjerë janë plagosur pas një sulmi ajror të ushtrisë mbi një treg në qytetin Kyauktaw, në shtetin Rakhine të Mianmarit. Ekipet e ndihmës paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet, pasi disa trupa dyshohet se janë shkrumbuar nga zjarret e shkaktuara pas bombardimit. Sulmi konsiderohet ndër më vdekjeprurësit e kohëve të fundit në luftën civile të vendit. OKB-ja deklaroi se dhuna e vazhdueshme në Rakhine nuk krijon kushtet për kthimin e sigurt dhe të qëndrueshëm të refugjatëve dhe personave të zhvendosur, përfshirë Rohingya-t. Sipas të dhënave të OKB-së, afro gjysmë milioni njerëz jetojnë të zhvendosur në Rakhine si pasojë e konfliktit.

Një ngjarje sa e pazakontë, aq edhe komike, është regjistruar në një komisariat policie në Florianópolis të Brazilit. Një i arrestuar, i ndaluar nën dyshimet për dhunë në familje, arriti të kalonte përmes hapësirës së qelisë që përdorej për dhënien e ushqimit. Pasi doli, ai nuk harroi as këpucët: i mori dhe u largua nga komisariati sikur të kishte përfunduar procedurat normalisht. “Liria” megjithatë zgjati pak. Policia e kapi sërish të arratisurin, ndërsa qelia u mbyll për modifikime sigurie, me sa duket për t’u siguruar që “sporteli i ushqimit” të mos shërbejë më edhe si derë daljeje.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme