
Pushtuesit izraelitë sulmuan sot herët tri fshatra palestineze në Bregun Perëndimor, duke u vënë zjarrin shtëpive dhe automjeteve dhe duke sulmuar një grua të moshuar, ndërsa forcat izraelite bastisën disa zona në territorin e pushtuar.
Në Jalud, në jug të Nablusit, në veriun e Bregut Perëndimor, një grup i madh pushtuesish sulmuan dy shtëpi në pronësi të familjes Al-Tubasi dhe u vunë zjarrin, disa orë pasi familja ishte kthyer me vendim të një gjykate izraelite, pas gati dy muajsh zhvendosjeje, thanë burimet lokale për Anadolu.
Zjarret shkaktuan dëme të mëdha në dy shtëpitë ndërsa sulmi shkaktoi panik te banorët, thanë ata. Banorët e fshatit u përpoqën të përballeshin me pushtuesit, para se në vendngjarje të mbërrinin forca të mëdha të ushtrisë izraelite, shtuan burimet.
Sipas burimeve, forcat izraelite nuk e ndaluan sulmin, por përkundrazi u siguruan mbrojtje pushtuesve dhe dërguan përforcime të tjera ushtarake në zonë. Forcat i detyruan anëtarët e familjes Al-Tubasi të largoheshin sërish nga shtëpia nën kërcënimin e armëve, shtuan burimet.
Mahmoud Al-Tubasi, pronar i një prej shtëpive, tha për Anadolu se familja ishte kthyer në bazë të vendimit të gjykatës, por kishte gjetur dëme të mëdha të shkaktuara nga pushtuesit, të cilët kishin marrë nën kontroll pronën dhe kishin penguar pronarët të hynin në të.
Pushtuesit u kthyen gjatë natës dhe i vunë zjarrin shtëpisë, duke e shkatërruar dhe duke e bërë të pabanueshme, shtoi ai.






















