
Një fluturim i Flydubai nga Dubai drejt Tel Avivit është devijuar papritur drejt Arabisë Saudite, pasi gjatë udhëtimit u sinjalizua një emergjencë që për disa minuta mori edhe kodin e përdorur për rrëmbimin e avionit.
Fluturimi FZ1073, me rreth 150 persona në bord, shumica izraelitë, ishte nisur drejt aeroportit Ben Gurion, por përfundoi në aeroportin e Tabukut, në Arabinë Saudite.
Sipas të dhënave të Flightradar24, rreth dy orë pas nisjes avioni sinjalizoi kodin 7700, që tregon një emergjencë të përgjithshme. Pak minuta më vonë u aktivizua kodi 7500, i përdorur për ndërhyrje të paligjshme apo rrëmbim avioni, përpara se sinjali të rikthehej përsëri në 7700.
Zyra e Kryeministrit izraelit bëri të ditur se ngjarja nuk besohet të ketë qenë një rrëmbim.
Sipas raportimeve të mediave izraelite, që citojnë zyrtarë të mbrojtjes, dyshohet se situata e jashtëzakonshme u shkaktua nga një konflikt fizik mes pilotit dhe bashkëpilotit. Flydubai deri tani ka konfirmuar vetëm se avioni “përjetoi një incident gjatë rrugës” dhe se kompania po bashkëpunon me autoritetet përkatëse për sqarimin e plotë të ngjarjes.
Incidenti shkaktoi alarm edhe në Izrael. Forcat Ajrore izraelite ngritën avionë luftarakë, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu zhvilloi konsultime urgjente pas devijimit të fluturimit.
Situata u bë veçanërisht delikate pasi avioni me shumicë pasagjerë izraelitë u detyrua të ulej në Arabinë Saudite, vend që nuk ka marrëdhënie të plota diplomatike me Izraelin.






















