Gjithçka nisi në një lice në Créteil, në periferi të Parisit. Disa vende mësuesish kishin mbetur bosh dhe nxënësit vendosën të bllokonin shkollën. Nëntë ditë më vonë, protesta lokale është shndërruar në një lëvizje që ka përfshirë qindra lice në të gjithë Francën dhe ka nxjerrë në sipërfaqe një pakënaqësi shumë më të thellë ndaj sistemit arsimor francez.
Të martën, më 29 shtator, Ministria franceze e Arsimit raportoi se mbi 330 lice ishin prekur nga protesta dhe bllokime. Një ditë më parë ishin 180. Nga periferitë e Parisit, lëvizja është përhapur në Marseille, Lille, Lyon, Montpellier dhe në jug të Francës.
Në portat e shkollave nuk flitet vetëm për politikë. Nxënësit ankohen për mësues që mungojnë dhe nuk zëvendësohen, klasa me deri 35 nxënës, godina të amortizuara, orare të stërzgjatura dhe presionin e Parcoursup, sistemit që vendos një pjesë të madhe të së ardhmes së tyre universitare. Në Aubervilliers, nxënësit tregojnë për kompjuterë që nuk përballojnë programet e mësimit; në Montreuil, për mungesë tavolinash dhe karrigesh dhe ditë të gjata mes shkollës dhe transportit.
Por tashmë revolta e bankave të shkollës ka dalë jashtë tyre.
Rrjetet sociale e kanë përhapur me shpejtësi protestën dhe në disa vende bllokimet janë shoqëruar me zjarr, dëmtime dhe përplasje me policinë. Autoritetet raportuan 440 arrestime gjatë mobilizimeve të së martës, ndërsa pati edhe nxënës e punonjës të arsimit të plagosur. Megjithatë, pjesa më e madhe e protestave u zhvillua pa incidente serioze.
Një video e shpërndarë gjerësisht e ka bërë situatën edhe më shpërthyese. Në Saint-Ouen-l’Aumône, një 14-vjeçar u godit në fytyrë nga një predhë e lëshuar me një Cougar në distancë shumë të afërt, duke humbur disa dhëmbë. Prokuroria ka hapur dy hetime: një për veprimet e nxënësit ndaj një polici dhe një tjetër për përdorimin e armës nga policia.
Dhe pikërisht këtu historia e mungesës së mësuesve është kthyer në betejë politike.
Qeveria e kryeministrit Sébastien Lecornu akuzon La France Insoumise se po përpiqet të instrumentalizojë revoltën. Deputetë të LFI-së janë shfaqur në bllokime dhe kanë bërë thirrje që protesta të zgjerohet. Nga ana tjetër, Jean-Luc Mélenchon akuzon qeverinë për “represion”, ndërsa shumë prej vetë nxënësve refuzojnë idenë se dikush po i nxjerr në rrugë.
Një 16-vjeçare e intervistuar nga Le Monde e përmblidhte përplasjen më mirë se shumë politikanë: kur protestojnë, thotë ajo, i trajtojnë si fëmijë; kur dërgojnë policinë, i trajtojnë si të rritur.
Protesta e të rinjve nuk është ndërkohë e vetmja vatër pakënaqësie. Të njëjtën ditë, 206 mijë punonjës të sektorit publik dolën në protesta në të gjithë Francën kundër ngrirjes së pagave të parashikuar për vitin 2027; 30 mijë vetëm në Paris.
Kjo është arsyeja pse ajo që po ndodh në lice nuk mund të lexohet më thjesht si rebelimi i disa adoleshentëve që kanë mbyllur portat e shkollës. Ata kanë prekur një nerv shumë më të madh: ndjesinë se shërbimet publike franceze po kërkojnë gjithnjë e më shumë nga qytetarët, ndërsa u japin gjithnjë e më pak.
Franca i njeh mirë protestat. Por këtë herë ka një ndryshim që qeveria nuk mund ta injorojë lehtë: në krye të tyre po dalin fëmijët e saj.






















