Një nga premtimet e Ministrisë së Arsimit për grupet pas shkollore duket se ka ngecur që në nisje të vitit shkollor. Ajo që u prezantua si “risi” për t’u ardhur në ndihmë prindërve dhe nxënësve, në terren ka nisur me njoftime të paqarta, ushqim të munguar dhe fëmijë të përjashtuar nga programi me short.
Në një denoncim të mbërritur në VNA, prindërit e një shkolle fillore në Tiranë janë njoftuar për programin pas shkollor, por bashkë me lajmin e “risisë” u është kërkuar edhe që t’u japin fëmijëve bukë me vete. Kjo, megjithëse ishte premtuar që ushqimi do të ofrohej falas nga shteti.
Pra, programi që duhej të lehtësonte prindërit nis me një udhëzim shumë praktik: shteti premton, prindi paketon bukën.
Por problemi nuk ndalet këtu. Sipas denoncimit, në shkollën “26 Nëntori” në Tiranë, disa nxënës janë lënë jashtë programit pas një shorti të organizuar nga shkolla. Arsyeja që u është dhënë prindërve është se mësuesit e kanë të pamundur të mbajnë dhe të kujdesen për të gjithë nxënësit.
Me fjalë të tjera, një program i shpallur si mundësi për të gjithë, në praktikë paska nevojë për fat. Kush del nga shorti, qëndron pas shkolle; kush nuk del, kthehet te zgjidhjet e vjetra të prindërve.
Programi pas shkollor u lançua me bujë nga ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, si një nismë që do t’u jepte mundësi nxënësve të mësonin më gjatë në shkollë dhe prindërve të kishin më shumë lehtësi në organizimin e ditës. Por denoncimet tregojnë një tjetër pamje: mungesë kapacitetesh, paqartësi me oraret dhe prindër që sërish duhet të gjejnë vetë zgjidhje.
Probleme janë raportuar edhe me oraret e programit, pasi ato varen nga grafiku mësimor dhe jo çdo prind ka mundësi të marrë apo të çojë fëmijën në orare të ndërmjetme.
Kështu, një nismë që u shit si mbështetje për familjet, rrezikon të kthehet në një tjetër premtim të bukur në konferenca dhe të çalë në korridoret e shkollave.






















