Sociale 30 September 2026, 15:53 Nga VNA

E denoncoi VNA/ KPP rrëzon tenderin 2.2 mln euro të Ujësjellësit të Pogradecit, skualifikohet kompania e Yzedin Bozhajt dhe rrezikon përjashtimin nga prokurimet

Ndaje në Whatsapp

ijoklmh.jpeg

Komisioni i Prokurimit Publik ka rrëzuar tenderin e Ujësjellësit të Pogradecit me vlerë mbi 202 milionë lekë, ose rreth 2.2 milionë euro, për ndërtimin e ujësjellësit në fshatrat Urakë, Kotodesh dhe Katjel të Prrenjasit.

KPP ka shfuqizuar vendimin që shpallte fituese kompaninë “Shëndelli” SHPK dhe ka urdhëruar Shoqërinë Rajonale e Ujësjellës Kanalizimeve Pogradec të rivlerësojë procedurën, duke skualifikuar këtë operator për mosplotësimin e kritereve të veçanta teknike.

1111111111.png

Vendimi i jep një kthesë të fortë një procedure prokurimi për të cilën VNA kishte ngritur më herët pikëpyetje, duke denoncuar përzgjedhjen e “Shëndelli” pavarësisht se në garë ishte paraqitur një ofertë më e ulët.

Gjithçka ndryshoi pas ankesës së bashkimit të kompanive “Balili Konstruksion”, “Apis Construction” dhe “Avduli”. Ky bashkim kishte ofruar rreth 185 milionë lekë për realizimin e punimeve, kundrejt 195.3 milionë lekëve të ofruara nga “Shëndelli”.

Por këtë herë, diferenca prej më shumë se 10 milionë lekësh mes ofertave nuk ishte problemi i vetëm.

Gjatë shqyrtimit të dokumentacionit, KPP konstatoi se “Shëndelli” nuk provonte se dispononte një prej makinerive kryesore të kërkuara nga tenderi, sondën HDD për shpim horizontal të drejtuar, pajisje e domosdoshme për realizimin e mikrotunelit të ujësjellësit.

Pikërisht këtu nisi të zbërthehej dokumentacioni me të cilin kompania ishte kualifikuar.

Sipas vendimit të KPP-së, në kontratat e paraqitura nga “Shëndelli” figuronin makineri të modeleve “Sandvik DX700” dhe “Tamrock”. Nga shqyrtimi rezultoi se këto ishin sonda shpimi për gurore dhe shkëmbinj dhe jo pajisje për shpim horizontal të drejtuar, siç kërkohej shprehimisht në dokumentet e tenderit.

KPP evidentoi gjithashtu probleme me formën e dokumentacionit. Një prej kontratave të qirasë, e lidhur me shoqërinë “Ekologjik Standart Internacional EKSI”, nuk ishte noterizuar, ndonëse një formë e tillë kërkohej nga dokumentet standarde të tenderit.

Në përfundim, Komisioni vlerësoi se “Shëndelli” nuk kishte arritur të provonte se dispononte makinerinë e kërkuar dhe për këtë arsye urdhëroi skualifikimin e kompanisë dhe rivlerësimin e procedurës.

VNA kishte ngritur më herët pikëpyetjet

Zhvillimi merr një tjetër peshë edhe për faktin se VNA kishte denoncuar më herët problematikat që shoqëronin këtë tender.

Në denoncimin e saj, VNA ngrinte pikëpyetje mbi mënyrën se si Ujësjellësi i Pogradecit kishte favorizuar ofertën e “Shëndelli”, në pronësi të biznesmenit Yzedin Bozhaj, ndërkohë që në garë kishte oferta që i kushtonin më pak buxhetit publik.

Tashmë çështja ka kaluar nga pikëpyetjet mbi diferencën financiare te dokumentacioni teknik me të cilin kompania kishte siguruar kualifikimin.

Vendimi i KPP-së ndryshon edhe renditjen e garës. Pas skualifikimit të “Shëndelli” dhe rivlerësimit të ofertave, bashkimi “Balili Konstruksion”, “Apis Construction” dhe “Avduli” mbetet në pozicion për të marrë kontratën.

Ndërkohë, për “Shëndelli”, në pronësi të Yzedin Bozhajt, pasojat mund të shkojnë përtej humbjes së tenderit. Mospërputhjet e konstatuara mes vetëdeklarimit dhe dokumenteve provuese mund ta ekspozojnë kompaninë ndaj një procedure përjashtimi nga prokurimet publike, nëse institucionet përgjegjëse vlerësojnë se janë plotësuar kushtet e parashikuara nga ligji.

Vendimi i KPP-së për tenderin e denoncuar më herët nga VNA rikonfirmon shqetësimin që kemi ngritur prej kohësh: riorganizimi i ujësjellësve në shoqëri rajonale nuk është reflektuar domosdoshmërisht në një administrim më të mirë të fondeve publike. Sepse, ndërsa struktura ka ndryshuar, mënyra e dhënies së tenderave duket se ka mbetur e njëjtë dhe emrat e përfituesve vijojnë të përsëriten. Ndryshimi më i dukshëm është zhvendosja e vendimmarrjes, nëse më parë tenderat zhvilloheshin nga ujësjellësit e bashkive, me drejtues të emëruar në nivel vendor, tashmë ato menaxhohen nga shoqëritë rajonale, me administratorët e tyre dhe me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë e bashkitë si aksionere.

Kështu, përtej reformave, centralizimit dhe premtimeve për eficiencë e mirëmenaxhim, mbetet ende pyetja thelbësore, sa mirë po administrohen paratë publike? Sepse në fund janë qytetarët ata që paguajnë faturën, me shpresën e pashtershme se milionat e shpenzuara për ujësjellës do të sjellin më në fund atë për të cilën janë dhënë, ujë në rubinet.

Video

Revoltë në burgun “Don Bosco” të Pizës. Tensionet shpërthyen pasi disa dhjetëra të dënuar pretendojnë se zbuluan mikrokamera dhe pajisje elektronike të fshehura në qeli. Ngjarja mori vëmendje të madhe pasi u transmetua LIVE nga brenda burgut në faqen e Kozakut në TikTok, ku një i dënuar shqiptar denoncoi situatën dhe tregoi pamje nga revolta. Për disa orë një repart mbeti nën kontrollin e të burgosurve, ndërsa jashtë u mobilizuan policia, karabinierët dhe policia penitenciare. Situata raportohet se është vendosur nën kontroll, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë rrethanat e vendosjes së pajisjeve dhe nëse ato ishin pjesë e një procedure hetimore të autorizuar.

Mediat ndërkombëtare kanë publikuar pamjet në ish-qendrën e paraburgimit të Degës 215 të Inteligjencës Ushtarake Siriane në Damask, e njohur për mbajtjen e të burgosurve politikë dhe kundërshtarëve të qeverisë së Bashar al-Assad. Objekti është lidhur prej vitesh me akuza për tortura, keqtrajtim dhe zhdukje të detyruara të të ndaluarve. Brenda qelive vazhdojnë të jenë të dukshme shkrime në gjuhën arabe dhe ruse, të lëna në muret e ambienteve të paraburgimit.

Të paktën 50 persona kanë humbur jetën dhe 58 të tjerë janë plagosur pas një sulmi ajror të ushtrisë mbi një treg në qytetin Kyauktaw, në shtetin Rakhine të Mianmarit. Ekipet e ndihmës paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet, pasi disa trupa dyshohet se janë shkrumbuar nga zjarret e shkaktuara pas bombardimit. Sulmi konsiderohet ndër më vdekjeprurësit e kohëve të fundit në luftën civile të vendit. OKB-ja deklaroi se dhuna e vazhdueshme në Rakhine nuk krijon kushtet për kthimin e sigurt dhe të qëndrueshëm të refugjatëve dhe personave të zhvendosur, përfshirë Rohingya-t. Sipas të dhënave të OKB-së, afro gjysmë milioni njerëz jetojnë të zhvendosur në Rakhine si pasojë e konfliktit.

Një ngjarje sa e pazakontë, aq edhe komike, është regjistruar në një komisariat policie në Florianópolis të Brazilit. Një i arrestuar, i ndaluar nën dyshimet për dhunë në familje, arriti të kalonte përmes hapësirës së qelisë që përdorej për dhënien e ushqimit. Pasi doli, ai nuk harroi as këpucët: i mori dhe u largua nga komisariati sikur të kishte përfunduar procedurat normalisht. “Liria” megjithatë zgjati pak. Policia e kapi sërish të arratisurin, ndërsa qelia u mbyll për modifikime sigurie, me sa duket për t’u siguruar që “sporteli i ushqimit” të mos shërbejë më edhe si derë daljeje.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme