
Në mbledhjen e sotme parlamentare, pyetja drejtuar Ministrisë së Arsimit mbi masat e sigurisë pas tragjedisë ku mbeti i vrarë një nxënës pranë shkollës „Fan Noli“ mori një përgjigje që shpërfaqi dështimin institucional dhe mospërgjegjësinë e strukturave shtetërore.
Sipas të dhënave zyrtare, në Shqipëri numërohen mbi 1,700 shkolla të arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm. Megjithatë, përballë këtij rrjeti të madh arsimor, zv.ministrja e Arsimit, Orjana Osmani, pranoi pa kompromis dështimin e mbulimit:
„Aktualisht në shkollat tona, me fillimin e vitit të ri shkollor, ne kemi rreth 400 oficerë sigurie dhe sigurisht jemi duke riparë edhe një herë udhëzimin për numrin e nxënësve që duhet të ketë, pra raporti: numër nxënësish me oficerë sigurie.“
Kjo shifër zbulon skandalin se mbi 1,300 shkolla në të gjithë vendin nuk kanë asnjë oficer sigurie, duke i lënë fëmijët krejtësisht të pambrojtur ndaj dhunës dhe incidenteve fatale.
Në vend që t'i kërkonte llogari urgjente përfaqësueses së qeverisë, Kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj, zgjodhi ta relativizojë tërësisht rëndësinë e kësaj pyetjeje kritike. Përmes një ndërhyrjeje që zbehu përgjegjësinë e momentit, Xhafaj u shpreh:
„Sidoqoftë, mund të jetë e shkurtër pergjigja, sepse pas pak javësh ministrja do të jetë këtu për sigurinë në shkolla... Kjo ishte sa për një ndërhyrje kështu. Por, ok, mundet shkurt nga një minutë për secilën pyetje.“
Komisioni i udhëhequr nga Xhafaj fajësohet drejtpërdrejt se mbylli syte e nuk ngriti zërin përballë shifrave alarmante, duke preferuar të fshihet pas procedurave burokratike dhe duke pritur shfaqjen e radhës të vetë ministres në Kuvend.
Kur u përball me pyetjen e deputetes Antoneta Dhima mbi masat konkrete, zv.ministrja Osmani kaloi me shpejtësi thelbin e problemit dhe u fut në retorikë të përgjithshme, duke ia kaluar diskutimin kurrikulave arsimore dhe përshtatjes me biznesin:
„...duhet të afrohet ajo që ne ofrojmë në shkollat tona me tregun e punës. Se ky ka qenë synimi kryesor i ndryshimit të kurrikulave. Jemi duke përgatitur strategjinë e re, besojmë, jemi duke punuar...“
Ministria e Arsimit mban përgjegjësi të plotë për mospërmbushjen e premtimeve minimale për sigurinë në shkolla. Ndërsa prindërit kërkojnë siguri fizike për jetën e fëmijëve të tyre në dyert e shkollave, zyrtarët e Ministrisë dhe parlamentarët e shumicës vazhdojnë të anashkalojnë llogaridhënien.






















