“Ne jemi aty ku të tjerët nuk janë, sigurojmë informacione që të tjerët nuk i kanë dhe bëjmë më të mirën për sigurinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve.”
Kjo është dicitura me të cilën hapet faqja zyrtare e SHISH-it në internet. E bukur. Bashkëkohore. Komfortuese, për një institucion që duhet të ishte, gjithë këtë kohë, boshti i vetë shtetit modern shqiptar.
Por, që nga mëngjesi i djeshëm, edhe pa dashje, kjo diçiturë është kuptimplote deri në ironi të hidhur: Vlora sot nuk është “aty ku të tjerët nuk janë”, është atje ku askush s’do të donte të ishte: para ligjit! SHISH-i, rezulton se ka pasur prej kohësh informacione që tashmë i kanë edhe ata që nuk duhej t’i kishin kurrë, krimi i organizuar! “E mira e shqiptarëve” dhe “siguria e Shqipërisë”, të cilave institucioni u betohet në faqen e vet të parë, tashmë janë dëmtuar nga vetë SHISH-i. Realiteti e ka përgënjeshtruar që në mëngjes dje, këtë sllogan.
Masa e arrestit në burg për Vlora Hysenin dhe sidomos pezullimi i menjëhershëm nga detyra, mbi akuzat e “përkrahjes së autorit të krimit” dhe, mbi të gjitha, “zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete”, është ndoshta ngjarja më tronditëse që i ka ndodhur shtetit shqiptar prej 35 vitesh. Tronditëse sepse SPAK, edhe njëherë, tregoi jo vetëm seriozitet dhe profesionalizim, por edhe guximin për të goditur nivelet më të larta e më të mbrojtura të shtetit, të paktën ata dy prokurorë të çështjes konkrete. Janë pikërisht raste të tilla që rrisin figurën, besueshmërinë dhe integritetin e institucionit. Por siç rritet besueshmëria, rritet edhe pritshmëria publike për “hapin e radhës”, në mënyrë pothuajse eksponenciale. Në këtë kuptim, mund të thuhet lehtësisht se SPAK është viktimë e suksesit të vet.
Të vendosësh masë arresti në burg dhe të pezullosh nga detyra drejtuesen e SHISH-it, do të ishte pak ta quash këtë “fundi i shtetit”. Por vlen ta shohim më me kujdes. Ka institucione që, për nga natyra e tyre, menaxhojnë para publike, kanë kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët, ofrojnë shërbim në sportel, dhe pikërisht kjo ekspozim i bën të prekshme ndaj gërryerjes së korrupsionit. Është e kuptueshme, në këtë logjikë, që p.sh., Kadastra e Vlorës, QSUT-ja, Albpetrol në Fier, AKBN-ja apo Drejtoria e Rrugëve të penetrohen nga interesa të errëta: aty qarkullojnë para dhe ndikim. Por kur objektiv i krimit bëhet vetë SHISH-i, organi që nuk ka asnjë nga këto ekspozime strukturore, kjo nuk është më simptomë e gjendjes së një institucioni të vetëm. Është simptomë e gjendjes së vetë arkitekturës së shtetit shqiptar. As më shumë, as më pak: jemi përballë një panorame të plotë të asaj që literatura e quan state capture, kapje e shtetit.
Ky koncept meriton saktësi, sepse përdoret shpesh gabimisht si sinonim i thjeshtë i korrupsionit. U formalizua nga Banka Botërore në fund të viteve ’90, në kuadrin e studimeve mbi ekonomitë post-komuniste, dhe përkufizohet si aftësia e aktorëve privatë, individë, firma, grupe interesi, për të formësuar vetë rregullat themelore të lojës (ligje, rregullore, dekrete) në favor të tyre, përmes pagesave të paligjshme drejt zyrtarëve publikë.
Dallimi thelbësor nga korrupsioni klasik është ky: korrupsioni i zakonshëm është devijim nga zbatimi i rregullit, zyrtari merr ryshfet për të mos zbatuar një ligj, ose për ta zbatuar në mënyrë të favorshme. Kapja e shtetit, përkundrazi, është ndikim mbi vetë prodhimin e rregullit, jo blerja e një vendimi të vetëm, por blerja e procesit që prodhon vendimet. Literatura akademike dallon disa forma të saj: kapje legjislative (ndikim mbi hartimin e ligjeve në favor të interesave të ngushta ekonomike); kapje ekzekutive-administrative (kontroll mbi vendimmarrjen diskrecionale të agjencive rregullatore); kapje gjyqësore (ndikim mbi emërimet dhe vendimet e gjyqtarëve); dhe, forma më e rëndë e më pak e studiuar, kapje e organeve të sigurisë dhe inteligjencës, sepse aty prekët vetë struktura që duhet të mbikëqyrë ligjshmërinë e shtetit. Kur kjo strukturë kapet, humbet edhe mekanizmi që do të zbulonte kapjet e tjera.
Po pse është më e rrezikshme se korrupsioni i zakonshëm? Sepse korrupsionin klasik sistemi mund ta “kapë” vetë, një prokuror i pavarur, një media e lirë, një gjykatë funksionale mund ta identifikojnë dhe ndëshkojnë. Kurse “kapja e shtetit” neutralizon paraprakisht pikërisht këta antikorpe institucionalë. Nëse gjyqësori, organet e sigurisë apo vetë procesi legjislativ janë të kapur, sistemi humbet aftësinë e vet-korrigjimit. Kjo e bën kapjen e shtetit kusht strukturor paraprak, jo thjesht një kategori shtesë krimesh.
Pikërisht kjo gjëmë i ka ndodhur shtetit të shqiptarëve. Me këtë ngjarje që SPAK e nxori në dritë, ne, si shoqëri, mbetemi të pambrojtur. Nga politika prej vitesh nuk mbrohemi, përkundrazi, abuzohemi. Paratë e tona vidhen në mënyrë flagrante dhe sistematike. Shërbimet nuk na jepen si duhet edhe pse paguajmë shtrenjtë. Rendi publik është në mëshirë të humorit të krimit. Mbrojtja kombëtare, shyqyr që jemi pjesë e NATO-s, s’dihet ende sa e testuar është realisht. Ekonomia është në duar të parasë së krimit. Drejtësia, në shumicën e saj, është e mpirë, përveç SPAK-ut dhe GJKKO-s. Dhe tani, edhe SHISH-i rezulton në duar të krimit, ndoshta edhe të duarve armiqësore ndaj Shqipërisë.
Që kjo të mos tingëllojë thjesht si ligjëratë akademike, le t’i vëmë vetes pyetjet konkrete. Kush duhet të veprojë nëse ka rrezik për sigurinë kombëtare, një agresion nga jashtë p.sh.? Kush na mbron nga penetrimi i shërbimeve të huaja inteligjente në integritetin, pavarësinë dhe rendin tonë kushtetues? Kush na paralajmëron kundër një akti terrorist masiv, apo kundër fenomeneve të ekstremizmit të çdo natyre? Po kundër krimeve mjedisore? Kush parandalon prodhimin dhe përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë? Kush merret me kërcënimet ndaj sigurisë ekonomike, me kërcënimet kibernetike e hibride? Kush mbledh informacion mbi kërcënimet ndaj infrastrukturës kritike të Republikës? Kush paraprin informacionin mbi krimin e organizuar që cenon sigurinë kombëtare?
Këto janë rreziqet më të mëdha me të cilat përballet një vend. Dhe përgjigjja është një e vetme: shërbimi i inteligjencës, i pari, dhe pas tij, agjencitë e zbatimit të ligjit (policia, ushtria, drejtësia) që SHISH duhet t’i furnizojë me informacion.
Ajo që ka ndodhur, pra, nuk është thjesht një gabim dhe faj individual i Vlora Hysenit, siç e paraqiti sot Rama në reagimin e tij nga larg e pa hapur sytë mirë. Hyseni nuk është një nëpunëse e rëndomtë administrate, pavarësisht se dukshëm ashtu e ka trajtuar veten, por personi me aksesin më të plotë e më gjithëpërfshirës në informacionin zyrtar sekret e sensitiv të shtetit. Dhe sipas SPAK-ut, ajo nuk e ka thjesht “zbuluar” këtë informacion. Mëshumë se kaq, ajo ia ka dorëzuar drejtpërdrejt eksponentëve të krimit të organizuar. Asnjë siguri nuk ka, që ky informacion të jetë edhe në duart e vendve jomiqësore me ne. Me fjalë të tjera, shëndeti, jeta, pasuria, siguria, rendi, qetësia, ekonomia dhe vetë ekzistenca e paqjes sociale janë, sipas dyshimit të SPAK, në duart e Agasit e shokëve të tij. Kjo nuk është thjesht përgjegjësi individuale e një nëpunëseje të administratës së Ramës, e cila, nëse procedohet, dënohet apo shkarkohet, i mbyll pasojat aty ku mbyllet dosja e saj penale. E arrestuar, e ndaluar, e pezulluar apo e arratisur, kjo tashmë pak rëndësi ka dhe është thjesht kronikë gjyqësore a policore. Ajo që mbetet pas saj është pasiguria totale, rreziku i keqpërdorimit të informacionit të ndarë prej kohësh nga një institucion që, mesa duket, ka qenë në duar jo të shtetit, por të krimit, dhe rreziku vetëm rritet, ditë pas dite.
Një reagim i menjëhershëm do të duhej të vinte nga dikush. Shpresë të madhe nuk është se ka, se përderisa ka rënë kështjella e SHISH-it, vështirë të besosh se ka shpëtuar pa u prekur ndonjë strukturë tjetër shtetërore. Por të paktën hipokritët e zakonshëm e të përditshëm, qofshin në Presidencë apo në Parlament, nuk mund të rrinë e të bëjnë sehir, ndërsa shoqëria që ata pretendojnë ta qeverisin është sot më jetime se kurrë, më e pasigurt se dje, dhe më e pambrojtur nesër sesa sot. Të paktën sa për sy e faqe: një mbledhje të Këshillit të Sigurimit Kombëtar, banori i Presidencës mund ta kishte thirrur, ka ndodhur kjo edhe në mes të plumbave të ’97-s. Parlamenti nga ana e tij, mund të ishte mbledhur me urgjencë në seancë të jashtëzakonshme, qoftë edhe me dyer të mbyllura. Komisioni i sigurisë, të paktën, mund të kishte vizituar SHISH-in, për të mbështetur ato struktura që kanë mbetur pa kokë, që të mos shpërbëhen edhe ato. Partnerëve ndërkombëtarë duhet t’u jepet një sinjalizim reagimi minimal të paktën.
Se përsa i takon Kryeministrit, ai e tha atë çka do mbajë si qendrim: përgjegjësia është individuale. Znj. Hyseni ishte vajzë e mirë, por tani duhet të përballet vetë me drejtësinë, sepse kësaj çështje ai “nuk i del për zot”. Halli është i saj, jo i qeverisë dhe jo i Kryeministrit.
Po këtu qëndron edhe kleçka e alibisë së Ramës, i cili riktheu të njëjtën këngë që i ka mbajtur për të gjithë të përzgjedhurit e tij që binin në rrjetën e drejtësisë (çuditërisht, vetëm në rastin Balluku nuk e mbajti këtë qendrim). Por Vlora nuk është thjesht “e Vlorës”. Vlora është e Kryeministrit, dhe pjesërisht edhe e Presidentit. Ligji për SHISH-in është i qartë kur thotë, në nenin 4, se “Shërbimi Informativ i Shtetit është institucion qendror, që varet nga Kryeministri.” Nëse Vlora ka faj, faj të paktën po aq të madh ka edhe Kryeministri. Dhe jo thjesht sepse ishte ai që dikur e emëroi. Përgjegjësia e tij është direkte, sepse në vazhdimësi i njëjti ligj i jep atij edhe detyrimin edhe instrumentin për ta kontrolluar, jo vetëm drejtorin e kur hargaliset me eksponentë krimi, por të gjithë institucionin. Neni 12 i ligjit parashikon që Këshilli i Ministrave emëron një Inspektor të Përgjithshëm, përgjegjës për inspektimin e veprimtarisë së SHISH-it, i cili i raporton drejtpërsëdrejti Kryeministrit; i cili ka të drejtë të ushtrojë kontroll mbi veprimtarinë e institucionit; i cili informon drejtorin për shkeljet e ligjit dhe problemet serioze të hasura; i cili rekomandon veprime korrigjuese.
Kryeministri, pra, nuk mund t’i lajë duart kaq lehtë. Nuk mund të thotë se “nuk ishte i interesuar për raportet që i sillte drejtori i SHISH-it, apo se punët e agjencive të inteligjencës nuk i pëlqejnë prej natyre, apo se ia kishte ngarkuar këtë përgjegjësi dikujt tjetër në stafin e tij”. Përgjegjësia ligjore është pikërisht ajo lloj përgjegjësie që kurrë nuk delegohet. Me fjalë të tjera pra, Rama na thotë qartë “as pashë, as dëgjova, as fola”. Kjo nuk e shfajëson nga përgjegjësia, është heqje dorë nga vetë detyrimi ligjor, për të cilën përgjegjësia mbetet po aq e madhe, ndoshta edhe më e madhe, sesa do të ishte përfshirja aktive. Sigurisht, tek një personazh politik i dalluar jo për neglizhencë a indiferencë, por përkundrazi për përqendrim ekstrem të punëve e të pushtetit, deri në atë shkallë sa fut hundët edhe në çështje që nuk i takojnë, kjo alibi tingëllon e pabesueshme.
Sido që të jetë, nuk pritet ndonjë lëvizje as nga Presidenti, as nga Parlamenti. Tentakulat e “Gyshit” të AKSHI-t dhe të rrjetit të Vlorës e SHISH-it, mesa duket, s’kanë lënë qelizë pushteti apo sektor shteti pa kontaminuar, dhe të gjithë mekanizmat politikë e institucionalë duken ose të paralizuar, ose të kapur.
Përveç SPAK-ut.
Pikërisht SPAK-u. I vetmi ishull ligjor që duket i pakapur. Prova është kjo e sotmja. Në këtë situatë të rëndë ku ndodhet Republika dhe shoqëria shqiptare, rruga e vetme, dhe e detyrueshme, për t’u ndjekur, është që SPAK ta çojë deri në fund atë që nisi. Skandale të kësaj përmase kërkojnë një reagim disa herë më të fortë e më serioz. Shteti ka rënë në duart e disa palaçove me kollare dhe të disa kriminelëve me shumë pare. Në diskutim është fati i shtetit tonë, i Republikës së shqiptarëve, i jetës, shëndetit dhe përditshmërisë sonë. Nuk është koha të vajtojmë për situatën e rëndë ku, jo befas, gjendemi. As është koha të thurim lavde, sado të merituara, për prokurorët e SPAK. Masa e arrestit në burg për Vlorën dhe pezullimi i saj nga detyra thjesht ka hapur kraterin e një gropë të zezë, e cila duhet eliminuar menjëherë, përndryshe do të na përthithë të gjithëve. Dhe ky sukses i SPAK-ut s’duhet ta kthejë vetë SPAK-un në viktimë të vetvetes. Hetimi i shpejtë, madje agresiv, identifikimi i pjesëtarëve, urdhëruesve dhe udhëzuesve të këtij projekti të dorëzimit të sigurisë kombëtare në duar të krimit apo në duar armiqësore, duhet të jetë prioritar, deri në krye të funksionarëve më të lartë të shtetit, të detyruar nga ligji të kujdesen për këtë siguri kombëtare. Kur dikush thotë “as nuk dija, as nuk pashë, as nuk fola”, ai vetë ka marrë paraprakisht pozicionin e të pandehurit. Sepse përgjegjësia penale është po aq e qartë, po aq e fortë, edhe për ata që shkelin për mospërmbushje detyre shtetërore!






















