Turneu i Ed Sheeran është përfshirë në një debat të fortë pas largimit të reperit Macklemore nga koncertet e tij në SHBA, ndërsa disa prej artistëve të tjerë që shoqëronin turneun kanë njoftuar gjithashtu tërheqjen e tyre.
Macklemore u hoq nga formacioni pas deklaratave të tij pro-palestineze gjatë një koncerti në New Jersey, ku performoi këngën “Hind’s Hall” dhe shprehu mbështetjen për palestinezët në Gaza. Vendimi shkaktoi reagime të forta, ndërsa vetë Sheeran tha se vendimi për largimin e reperit ishte marrë nga promotorët e turneut dhe se ai kishte tentuar të ndërmjetësonte me ambientet ku zhvilloheshin koncertet.
Pas largimit të Macklemore, disa prej artistëve që ishin pjesë e turneut njoftuan tërheqjen. Finneas, Lukas Graham, Aaron Rowe dhe grupi irlandez Beoga dolën publikisht në mbështetje të reperit dhe konfirmuan se nuk do të vazhdonin me turneun e Sheeran.
Përballë kësaj situate, Sheeran u përball edhe me reagime në rrjetet sociale. Sipas të dhënave të Social Blade të raportuara nga NME, këngëtari humbi 149,636 ndjekës në Instagram në 24 orët pas njoftimit për largimin e Macklemore dhe rreth 50 mijë të tjerë më pas, duke e çuar humbjen e raportuar në mbi 200 mijë ndjekës. Në të njëjtën periudhë, Macklemore fitoi më shumë se 1.6 milionë ndjekës.
Situata kulmoi në koncertin e Sheeran në Filadelfia, ku këngëtari iu drejtua publikut përpara performancës. Sheeran tha se ishte futur në mes të një debati të rëndësishëm mbi lirinë e shprehjes dhe konfliktin në Gaza, duke pranuar se kishte marrë vendime të vështira dhe se mund të kishte bërë edhe gabime.
“Kam pasur një javë shumë të vështirë. Kam marrë dhe duhet të marr vendime të vështira dhe kam bërë gabime”, tha Sheeran gjatë koncertit, sipas raportimeve nga mediat amerikane.
Këngëtari deklaroi gjithashtu se ajo që po ndodh në Gaza është “katastrofike dhe e pajustifikueshme”, ndërsa theksoi se nuk kishte dashur që muzika e tij të shndërrohej në një platformë politike.
Debati rreth largimit të Macklemore ka vendosur kështu turneun e Sheeran në qendër të një përplasjeje më të gjerë mbi lirinë e shprehjes, politikën dhe rolin e artistëve në reagimet ndaj luftës në Gaza.






















