Dikur ishte një furçë, pak pastë dhëmbësh dhe dy minuta para pasqyrës. Sot larja e dhëmbëve po kthehet në një industri teknologjike, me furça elektrike që lidhen me telefonin, përdorin inteligjencë artificiale, analizojnë mënyrën si i lëvizim dhe na tregojnë nëse kemi lënë ndonjë zonë pa pastruar. Disa prej modeleve më të avancuara mund të kushtojnë rreth 600 paund.
Por a kemi vërtet nevojë për kaq shumë teknologji për të pasur dhëmbë të pastër? The Guardian e ka ngritur pikërisht këtë pyetje, duke krahasuar furçat tradicionale me modelet elektrike dhe pajisjet më të shtrenjta të tregut. Përfundimi i ekspertëve është më i thjeshtë sesa mund të sugjerojnë reklamat: teknologjia mund të ndihmojë, por mënyra si i lajmë dhëmbët vazhdon të jetë më e rëndësishme se çmimi i furçës.
Furçat elektrike moderne ofrojnë funksione që deri pak vite më parë do të dukeshin të tepërta për një produkt të tillë. Disa kanë sensorë që paralajmërojnë kur shtypim shumë fort mishrat e dhëmbëve, të tjera matin kohën e larjes, ndërsa modelet më të sofistikuara krijojnë një hartë të gojës dhe përmes aplikacionit tregojnë zonat që mund të kemi anashkaluar.
Ka edhe furça që përdorin algoritme për të analizuar rutinën e përdoruesit dhe për t’i dhënë këshilla të personalizuara. Por të gjitha këto funksione kanë një çmim dhe diferenca mes një furçe bazë dhe një modeli premium mund të jetë qindra paund.
Studimet kanë treguar se furçat elektrike mund të kenë avantazh ndaj furçave manuale në reduktimin e pllakës bakteriale dhe problemeve të mishrave të dhëmbëve, veçanërisht kur përdoren për një kohë të gjatë. Kjo nuk do të thotë, megjithatë, se modeli më i shtrenjtë është automatikisht ai që pastron më mirë.
Një prej avantazheve më praktike të furçave elektrike është fakti se ato e bëjnë më të lehtë respektimin e teknikës. Kohëmatësi mund të sigurojë që larja të zgjasë dy minuta, ndërsa sensori i presionit mund të parandalojë dëmtimin e mishrave nga fërkimi shumë i fortë. Për njerëzit me lëvizshmëri të kufizuar të duarve, furça elektrike mund të jetë gjithashtu dukshëm më e lehtë për t’u përdorur.
Por dentistët theksojnë se edhe një furçë manuale shumë e lirë mund ta bëjë punën mirë nëse përdoret siç duhet. Dhëmbët duhen larë rregullisht, me pastë që përmban fluor dhe pa harruar zonat mes dhëmbëve. Një pajisje qindra paundëshe nuk mund të kompensojë një rutinë të dobët.
Në fund, diferenca më e madhe mund të mos jetë mes furçës 30-paundëshe dhe asaj 600-paundëshe, por mes personit që i lan dhëmbët siç duhet dhe atij që nuk e bën këtë. Inteligjenca artificiale mund t’ju tregojë se cilin dhëmb keni harruar, por ende jeni ju që duhet ta lani.






















