Kur Arthur Plummer doli në pension në moshën 65-vjeçare, bleu një biçikletë të përdorur. Në atë kohë ndoshta nuk e imagjinonte se pothuajse tri dekada më vonë biçikleta do të ishte ende një nga pjesët më të rëndësishme të jetës së tij. Sot Plummer është 92 vjeç dhe vazhdon të përshkojë mijëra kilometra çdo vit.
Ai jeton në Waterloo, Ontario, në Kanada, dhe këtë vit kishte bërë tashmë rreth 4,270 kilometra kur dha intervistën për The Guardian. Objektivi i tij është të arrijë rreth 5 mijë kilometra në vit. Historia me biçikletën nisi falë motrës së tij, e cila ishte pjesë e një klubi çiklizmi për të moshuarit. Kur Plummer iu bashkua grupit në moshën 65-vjeçare, ishte ndër anëtarët më të rinj. Sot është më i moshuari.
Në fillimet e tij mund të ruante një shpejtësi rreth 25 kilometra në orë. Sot lëviz zakonisht me 15 deri në 20 kilometra në orë dhe ka reduktuar distancat që synon të përshkojë, por nuk ka ndërmend të ndalojë. Për të, biçikleta nuk është thjesht mënyrë për të bërë aktivitet fizik, por është liri.
Kjo u bë edhe më e rëndësishme në fund të të 80-ave, kur Plummer u prek nga polymyalgia rheumatica, një sëmundje inflamatore që shkakton dhimbje dhe ngurtësi, veçanërisht në shpatulla, qafë dhe ije. Gjendja arriti deri në pikën që ai e kishte të vështirë të ecte dhe përdorte karrige me rrota. Por Plummer bëri një zbulim të pazakontë: edhe pse nuk mund të ecte mirë, mund të pedalonte.
Edhe sot ecja mund t’i shkaktojë shqetësime dhe hapi i tij është më i shkurtër, por këmbët vazhdojnë të kenë forcë për biçikletën. Plummer thotë se ka përshkuar pothuajse çdo rrugë ku mund të kalohet me biçikletë në një zonë prej rreth 260 kilometrash katrorë rreth shtëpisë së tij. Kur dëshiron të zbulojë vende të tjera, e merr biçikletën në autobus dhe vazhdon udhëtimin më larg.
Pasioni i tij nuk ka qenë pa rrezik. Në një prej aksidenteve më të rënda, Plummer u përplas nga një makinë që nuk ndaloi në semafor. Ai ra me kokë në asfalt, helmeta iu thye dhe humbi ndjenjat. Kur u përmend, sipas njerëzve që ndodheshin aty, një nga shqetësimet e tij të para ishte biçikleta. Aksidenti nuk e bëri të hiqte dorë.
Megjithatë, mosha e ka bërë më të kujdesshëm. Në moshën 90-vjeçare vendosi të ndalonte skijimin, pikërisht për të shmangur një dëmtim serioz. Biçikletën, megjithatë, nuk dëshiron ta lërë. Prej disa vitesh jeton në një apartament dhe biçikletën e tij Cannondale prej fibrash karboni e mban pranë shtratit. E quan “mikun e tij më të mirë”.
Plummer nuk ishte sportist në rini. U rrit në një familje me pak të ardhura, më pas punoi për vite dhe rriti tre vajza si prind i vetëm. Biçikleta hyri seriozisht në jetën e tij vetëm pas pensionit. Pikërisht kjo e bën historinë e tij të pazakontë: pasioni që sot e mban aktiv në moshën 92-vjeçare nuk është diçka që e ka bërë gjithë jetën. E nisi në 65 vjeç dhe 27 vjet më vonë vazhdon të hipë në biçikletë, të kërkojë rrugë të reja dhe të numërojë kilometrat.






















