Për shumë gra, skenari tradicional ka qenë i qartë: fillimisht partneri, më pas martesa dhe në fund fëmijët. Por një numër në rritje grash po vendosin të ndryshojnë rendin dhe të mos presin më për një partner për t’u bërë nëna.
Të njohura si “single mothers by choice”, ose nëna të vetme me zgjedhje, ato po përdorin donatorë sperme dhe trajtime fertiliteti për të krijuar familje sipas kushteve të tyre.
The Guardian sjell historitë e grave me ngjyrë në SHBA që kanë zgjedhur këtë rrugë, një vendim që për shumë prej tyre erdhi pasi kuptuan se dëshira për të pasur një fëmijë nuk duhej domosdoshmërisht të varej nga gjetja e partnerit të duhur në një afat të caktuar.
Për disa, vendimi vjen në të 30-at apo të 40-at, kur koha biologjike fillon të peshojë më shumë në zgjedhjet për të ardhmen.
Në vend që të vazhdojnë të presin për një marrëdhënie që mund të vijë ose jo, ato vendosin ta ndajnë dëshirën për mëmësi nga dëshira për partneritet.
Por rruga nuk është e thjeshtë.
Trajtimet e fertilitetit mund të jenë të kushtueshme dhe procesi përfshin vendime të rëndësishme, që nga zgjedhja e donatorit deri te mënyra se si fëmijës do t’i shpjegohet origjina e tij.
Mbi të gjitha është pyetja praktike: si rritet një fëmijë kur nuk ekziston një partner me të cilin ndahen përgjegjësitë e përditshme?
Pikërisht për këtë arsye, disa prej grave po ndërtojnë atë që e quajnë “village”, një rrjet mbështetjeje me familjarë, miq dhe nëna të tjera që kanë bërë të njëjtën zgjedhje.
Në këto komunitete shkëmbehen jo vetëm këshilla për fertilitetin dhe prindërimin, por edhe ndihmë praktike, përvoja dhe mbështetje emocionale.
Për gratë me ngjyrë, historia ka edhe një dimension tjetër. Ato flasin për mungesën e përfaqësimit në materialet mbi fertilitetin dhe për nevojën për të parë familje që nuk përputhen me modelin tradicional të nënës, babait dhe fëmijëve.
Megjithatë, të qenit “nënë e vetme me zgjedhje” nuk do të thotë domosdoshmërisht se këto gra kanë hequr dorë nga dashuria apo nga ideja e një partneri.
Dallimi është se nuk duan që ardhja e një partneri të përcaktojë nëse do të bëhen apo jo nëna.
Dhe ndërsa teknologjitë riprodhuese po krijojnë gjithnjë e më shumë mundësi, edhe përkufizimi i familjes po bëhet më i gjerë.
Për këto gra, pyetja nuk është më “a duhet të pres derisa të gjej dikë?”.
Është: “Nëse e di se dua të bëhem nënë, pse duhet të pres?”.






















