Çfarë kanë të përbashkët një këngë, një recetë që kalon nga gjyshja te mbesa, një video në TikTok dhe mënyra si një shimpanze mëson të përdorë një mjet?
Të gjitha mund të kopjohen, ndryshojnë dhe transmetohen.Dhe pikërisht kjo ka shtyrë biologun Jonathan Loh të ngrejë një pyetje të pazakontë: a duhet ta shohim kulturën si një formë jete më vete?
Ideja nis nga mënyra si funksionon evolucioni biologjik.
Gjenet transmetohen nga një brez te tjetri. Gjatë procesit ndodhin ndryshime dhe disa prej tyre mbijetojnë më mirë se të tjerat.
Por diçka e ngjashme ndodh edhe me informacionin kulturor.Një këngë mësohet nga një person tjetër.Një recetë ndryshohet pak nga secila familje.Një histori përsëritet për breza. Një mënyrë e re të foluri mund të nisë nga një grup i vogël njerëzish dhe më pas të përhapet te miliona të tjerë.Ndryshe nga gjenet, kultura nuk ka nevojë për riprodhim biologjik.
Një ide mund të kalojë brenda pak sekondash nga një person në Shqipëri te dikush në Australi. Rrjetet sociale e kanë bërë këtë proces jashtëzakonisht të shpejtë.Një vallëzim në TikTok mund të kopjohet miliona herë, por pothuajse çdo person që e përsërit mund t’i shtojë diçka të vetën.
Në këtë kuptim, ai “evoluon”.
Loh përdor edhe shembuj shumë më të vjetër.
Këngët fetare të murgjve në Malin Athos janë transmetuar për më shumë se një mijë vjet.
Meloditë vazhdojnë të ekzistojnë jo sepse janë ruajtur në ADN, por sepse njerëzit ua kanë mësuar njerëzve të tjerë brez pas brezi.Edhe kafshët kanë forma të kulturës. Studimet me shimpanzetë kanë treguar se grupe të ndryshme mund të përdorin teknika të ndryshme për të gjetur ushqim apo për të përdorur mjete. Të vegjlit i mësojnë këto sjellje duke vëzhguar të rriturit.
Pra, informacioni nuk trashëgohet vetëm biologjikisht.
Ai mësohet. Për njerëzit, ky proces ka arritur një nivel krejt tjetër. Gjuha, muzika, arti, moda, feja, teknologjia dhe zakonet janë sisteme të mëdha informacioni që ndryshojnë vazhdimisht.
Një ide që njerëzit e pëlqejnë kopjohet. Një tjetër harrohet. Disa mbijetojnë për mijëra vjet. Të tjera zhduken brenda një jave.
Por pyetja bëhet edhe më interesante me inteligjencën artificiale.
Deri tani, evolucioni kulturor ka qenë kryesisht produkt i mendjes së njerëzve dhe, në forma më të thjeshta, i disa kafshëve.
Po çfarë ndodh nëse makinat fillojnë jo vetëm të kopjojnë informacionin tonë, por të krijojnë, ndryshojnë dhe përmirësojnë vetë kodin dhe idetë e tyre? Loh sugjeron se kjo mund të hapë rrugën drejt një forme të re evolucioni. Pas evolucionit biologjik, që vepron përmes gjeneve, dhe atij kulturor, që vepron përmes ideve, mund të shfaqet një sistem i tretë ku informacioni ndryshon dhe transmetohet nga makinat.
Kjo nuk do të thotë se një këngë, një kulturë apo një inteligjencë artificiale është “e gjallë” në kuptimin biologjik. Por ideja sfidon mënyrën tradicionale se si e përcaktojmë evolucionin.
Sepse ndoshta gjëja që evoluon nuk ka pse të jetë gjithmonë një organizëm.
Mund të jetë edhe një ide.






















