Syze, kapele, këmisha nate, kitara, mobilie, autoportrete dhe madje qaforet e qenve të saj. Qindra objekte personale të Brigitte Bardot kanë dalë në ankand në Paris, duke tërhequr koleksionistë të gatshëm të paguajnë mijëra euro për një copëz nga jeta e një prej ikonave më të njohura të kinemasë franceze.
Në ankand u ofruan 285 objekte dhe shitjet arritën në total afro 1 milion euro, shumë më tepër nga sa ishte parashikuar fillimisht. Interesi tregoi se, edhe dekada pasi Bardot u largua nga kinemaja, emri i saj vazhdon të ketë një fuqi të jashtëzakonshme mes koleksionistëve.
Mes objekteve më të pazakonta ishin qaforet e qenve të saj. Disa prej tyre u shitën së bashku për rreth 9,400 euro. Për Bardot, ky detaj nuk është rastësor. Pas largimit nga kinemaja, mbrojtja e kafshëve u bë një nga angazhimet kryesore të jetës së saj dhe në vitin 1986 ajo krijoi fondacionin që mban emrin e saj.
Në shitje kishte edhe objekte shumë më personale, nga veshjet e natës dhe syzet deri te instrumentet muzikore dhe mobiliet që kishin qenë pjesë e jetës së saj private. Një autoportret i Bardot arriti një çmim pranë 40 mijë eurove.
Aktorja franceze u kthye në një simbol ndërkombëtar pas suksesit të filmit “And God Created Woman” në vitet 1950. Pamja e saj, flokët biondë dhe stili i lirshëm ndikuan jo vetëm në kinema, por edhe në modën dhe kulturën pop të një epoke të tërë.
Por Bardot u largua nga industria e filmit në vitin 1973, kur ishte vetëm 39 vjeçe. Që prej atëherë, pjesën më të madhe të energjisë së saj ia kushtoi aktivizmit për kafshët.
Ankandi ka sjellë edhe diskutime për faktin se disa nga objektet janë tepër intime. Jo çdo anëtar i familjes e ka parë me të njëjtin entuziazëm idenë që sende kaq personale të dalin në publik dhe të përfundojnë në duart e koleksionistëve.
Megjithatë, ankandi tregoi edhe një herë se tregu për objektet e personazheve të famshëm mund t’u japë vlera të jashtëzakonshme sendeve që, të shkëputura nga historia e pronarit të tyre, do të ishin krejt të zakonshme.
Një palë syze mbeten syze dhe një qafore qeni mbetet një qafore. Por kur kanë qenë pjesë e jetës së Brigitte Bardot, për një koleksionist mund të vlejnë mijëra euro.






















