Nga Desada Metaj
Një ditë pasi ndoqa Vlora Hysenin teksa hynte dhe dilte nga dyert e GJKKO-së, fjalia e vetme që më mbeti në mendje ishte: sa gjynah jemi, në duart e kujt kemi mbetur.
Në fakt, kjo fjali nuk është e re. Më vjen shpesh në mendje sa herë ndjek Parlamentin, dëgjoj debate televizive mes politikanëve, majtas apo djathtas qofshin, apo shoh atë teatër të përditshëm ku shteti trajtohet si pronë private, ndërsa publikut i kërkohet të duartrokasë dekorin. Por këtë herë kishte diçka më të rëndë.
Sepse Vlora Hyseni nuk është Zegjineja apo Elisa, me të cilat mund të tallesh, të ironizosh nivelin e politikës shqiptare dhe të shtysh gjysmën e ditës duke pyetur si u katandis vendi. Vlora Hyseni ka pasur një pushtet shumë herë më të madh se kaq. Dhe për fatin tonë të keq, edhe sot, pas masës së sigurisë, pas pezullimit, pas daljes para gjykatës, ajo ka ende mjaft pushtet për ta ngatërruar më keq lëmshin në të cilin është zhytur politika, shteti dhe shoqëria shqiptare.
Me arrogancën e dikujt që e sheh fundin, por ende nuk pranon ta besojë, Vlora Hyseni iu hakërrye dje ballas kamerave gazetares Klodiana Lala. E shantazhoi publikisht. E bëri pa drojë, pa kujdes, pa as atë maskën minimale që zakonisht ruajnë njerëzit që kanë drejtuar institucione sekrete. Dhe reagimi ishte i fortë, por përsëri nuk u tha e vërteta e madhe.
Shantazhi ndaj Klodiana Lalës nuk ishte thjesht shantazh ndaj një gazetareje. Nuk ishte thjesht nerv i një ish-zyrtareje të lartë përballë mikrofonëve. Nuk ishte as vetëm hakmarrje personale ndaj medias. Ishte mesazh.
Mesazh për SPAK-un. Mesazh për Altin Dumanin. Mesazh për Bledar Maksutin. Mesazh për ata prokurorë që, duhet pranuar, kanë ndërmarrë një nga aktet më të forta juridike me pasoja politike në 30 vitet e fundit në Shqipëri: vendosjen nën masë sigurie të drejtueses së shërbimit sekret të shtetit.
Duke shantazhuar një gazetare që raporton pothuajse çdo ditë nga Prokuroria e Posaçme, Vlora Hyseni nuk po fliste vetëm me Klodianën. Ajo po u kujtonte të gjithëve, përfshirë edhe ata pas dyerve të SPAK-ut, se ka parë, ka dëgjuar, ka ditur dhe ndoshta ka ruajtur mjaftueshëm për të djegur shumëkënd.
Kjo është arsyeja pse ajo skenë nuk duhej trajtuar si incident komunikimi. Nuk ishte debat korridori. Nuk ishte përplasje mes një gazetareje dhe një ish-drejtueseje. Ishte një sinjal force nga një grua që deri dje drejtonte institucionin ku informacioni nuk është thjesht pushtet; është armë.
Por çfarë bëri media?
Në vend që ta lexonte mesazhin, u mor me zhurmën. Në vend që të pyeste pse një ish-drejtuese e SHISH-it shantazhon publikisht një gazetare të kronikës së zezë dhe drejtësisë, një pjesë e studiove televizive u zhytën në skemën më të rehatshme: relativizimin.
Debatet e së enjtes ngjanin si pika uji. Thuajse kudo u tentua që sjellja e Vlora Hysenit të ulej në nivelin e një historie erotike personale me Ergys Agasin. Si të ishte fjala për një dramë rozë, jo për shefen e shërbimit informativ të një shteti anëtar të NATO-s, e dyshuar për nxjerrje sekreti dhe lidhje me një personazh të krimit.
Pastaj erdhën nuancat e tjera, po aq të dobishme për propagandën: SPAK-u a e ka shkelur ligjin? A duhej dhënë masë për një zyrtare kaq të lartë në detyrë? A është kjo luftë klanesh brenda Partisë Socialiste? A po përdoret drejtësia në përplasjet e brendshme të pushtetit?
Të gjitha këto mund të kenë vend për diskutim në rrafshe të veçanta. Por problemi është se, kur këto pyetje hidhen menjëherë mbi tavolinë, pa u ndalur te thelbi, ato nuk ndihmojnë publikun të kuptojë çfarë ka ndodhur. Ndihmojnë vetëm që thelbi të mbytet.
Dhe thelbi është ky: një ish-drejtuese e shërbimit sekret, nën masë sigurie nga SPAK, përdori publikisht gjuhë shantazhi ndaj një gazetareje, në një moment kur dosja që e prek atë ka tronditur themelet e sigurisë kombëtare.
Kaq do të mjaftonte që të paktën në studiot televizive kjo pjesë të mos kalonte në heshtje. Kaq do të mjaftonte që media të mos humbiste energji duke u përdorur për llogari të Vlora Hysenit. Sepse publiku, me instinktin e vet të thjeshtë, e ka kuptuar shumë mirë çfarë ka ndodhur. Ndonjëherë publiku sheh më qartë se ekspertët e ftuar në studio, pikërisht sepse nuk ka nevojë të justifikojë asgjë.
Publiku e di se kur një zyrtare e tillë del dhe flet me gjuhë kërcënimi, nuk po mbron dinjitetin e saj. Po tregon se çfarë pushteti ka pasur dhe çfarë pushteti beson se ka ende.
Publiku e di se kur një histori me sekrete shtetërore tentohet të kthehet në histori rozë, dikush po kërkon ta zbusë skandalin. Sepse një skandal i kthyer në thashethem nuk prodhon përgjegjësi. Prodhon vetëm zhurmë.
Publiku e di se kur sulmohet SPAK-u për procedurë, ndërsa heshtet për përmbajtjen, nuk kemi më debat juridik. Kemi operacion politik.
Dhe këtu hyn Edi Rama. Edhe pse i “zhdukur” për më shumë se 72 orë, Rama apo më saktë ata që merren me orientimin e propagandës nuk e kanë humbur busullën. Sulmi ndaj SPAK-ut nuk bëhet gjithmonë me deklarata të drejtpërdrejta. Ndonjëherë bëhet më bukur, më hollë, më me finesë: duke ngritur dyshime, duke shpërndarë mjegull, duke zhvendosur diskutimin nga shërbimi sekret te dhoma e gjumit, nga sekreti shtetëror te thashethemi, nga përgjegjësia institucionale te “lufta e klaneve”.
Kjo është mënyra më e vjetër për të vrarë një skandal pa e mohuar atë: e hollon derisa të mos duket më. E shpërndan në studio. E mbulon me “analiza”. E përzien me gjysmë të vërteta. Dhe në fund, qytetarit i mbetet vetëm lodhja.
Por kjo histori nuk mund të trajtohet si lodhje politike. Sepse këtu nuk kemi të bëjmë me një deputete që bën shopping online gjatë seancës, as me një ministre që lexon fjalime bosh, as me një tjetër episod banal të arrogancës së pushtetit. Këtu flitet për institucionin që duhet të dijë aty ku të tjerët nuk dinë, të shohë aty ku të tjerët nuk shohin dhe të mbrojë vendin pikërisht nga ata që e përdorin informacionin si monedhë pushteti.
Nëse SHISH-i kthehet në zyrë private, në strehë lidhjesh, në kanal komunikimi me botën e krimit apo në arkiv shantazhi, atëherë nuk kemi më Shërbim Informativ Shtetëror. Kemi Shërbim Informativ Antikombëtar.
Dhe ky është problemi që media duhet ta kishte kuptuar para se të futej në rolin e korit shoqërues. Sepse të përdorësh ekranet për të relativizuar këtë histori nuk është gazetari. Është humbje kohe në rastin më të mirë. Në rastin më të keq, është shpërdorim energjish në shërbim të dikujt që e di shumë mirë se arma e fundit që i ka mbetur është frika.
Vlora Hyseni dje nuk foli si një njeri që kërkon drejtësi. Foli si një njeri që kujton se ende mund të trembë.
Dhe pikërisht këtu fillon testi i vërtetë: jo vetëm për SPAK-un, por edhe për median.
Sepse nëse publiku e ka kuptuar çfarë ka ndodhur, ndërsa media ende bën sikur po kërkon nuanca, atëherë problemi nuk është më vetëm te shërbimi sekret.
Problemi është edhe te shërbimi publik i së vërtetës.






















