Kush tha që e dëgjura dhe patriotizmi nuk mbushin barkun? Për të gjithë bashkatdhetarët tanë përtej Oqeanit që ndjejnë nostalgji për atdheun, ose për një kafe me vezë të skuqura pa paguar asnjë dollar, Kryeministri Edi Rama ka përgatitur një ofertë që nuk mund t'i thuhet "jo".
Tashmë që udhëtimet diplomatike janë kthyer në një turne të vërtetë kulinaro-patriotik, mbledhja e radhës me diasporën po mbahet në "Hilton Staten Island".
Dhe që pjesëmarrja të jetë garantuar e lartë, posteri zyrtar i takimit e bën të qartë dhe me ikona kafenesh në fund: "Breakfast Included" (Mëngjesi i përfshirë).
Lajmin për këtë sipërmarrje "bujare" e ka shpërndarë me entuziazëm nga SHBA-ja vetë Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili ka udhëtuar së bashku me Kryeministrin. Ndreu ka vendosur t'u bëjë një ftesë të ngrohtë por edhe pak me spec kritikëve dhe protestuesve të mundshëm:
"Nesër në 10 presim shqiptarët në New York, takim me Edi Ramen. Mirëpresim këdo që vjen për të biseduar, për të dëgjuar e për t'u dëgjuar. Presim edhe ndonjë që vjen me një furgon me njerëz, vezë në xhepa dhe me pretendimin se përfaqëson gjithë komunitetin! ? Në fund, komunitetin nuk e përfaqëson ai që bën më shumë zhurmë, por ai që ka njerëzit pas vetes."
Duket se strategjia e përfaqësimit këtë herë është e qartë: nëse dikush vjen me vezë në xhep, më mirë t'i hedhë ato në tiganin e mëngjesit falas të hoteli Hilton sesa drejt foltores!
Nuk dihet ende nëse menuja e mëngjesit do të përmbajë petulla me mjaltë apo djathë Gjirokastre, por një gjë është e sigurt: në Nju Jork shqiptarët mund të dëgjojnë fjalime të gjata, por së paku nuk do të largohen me stomakun bosh.























