Pasi ka zgjidhur hallet e inteligjencës në Shqipëri, Edi Rama vendosi t’i tregojë edhe botës se si duhet të përballet me Inteligjencën Artificiale. Kryeministri e përdori pjesën dërrmuese të fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të folur për algoritmet, manipulimin, sovranitetin digjital dhe rrezikun që teknologjia të bjerë në duart e njerëzve të gabuar.
Koha e këtij “predikimi”, siç e quajti vetë Rama fjalimin e tij, vështirë se mund të ishte më ironike.
Në Tiranë, Vlora Hyseni, drejtuesja e SHISH deri pak ditë më parë, ndodhet në “arrest shtëpie” dhe nën hetim nga SPAK, e dyshuar ndër të tjera për zbulimin e informacionit të klasifikuar personave të paautorizuar. Masa ndaj saj u vendos më 21 shtator dhe Hyseni është pezulluar nga detyra.
Në Nju Jork, ndërkohë, Rama mburrej me një tjetër inteligjencë: Diellën.
“Shqipëria u bë vendi i parë që solli një instrument të inteligjencës artificiale në arkitekturën e qeverisë”, deklaroi Kryeministri, duke e paraqitur vendin si një lloj laboratori të së ardhmes dhe Diellën si instrument për një shtet më transparent dhe më llogaridhënës.
Madje Rama paralajmëroi botën se problemi më i madh nuk është që Inteligjenca Artificiale të rebelohet kundër njerëzimit.
“Rreziku më i madh do të jetë që do t’i bindet në mënyrë të përkryer individit të gabuar”, tha ai.
Një fjali që në Shqipëri tingëllon veçanërisht interesante këto ditë, kur SPAK po heton se kujt dyshohet se i janë dhënë informacione që duhet të qëndronin brenda shërbimit sekret.
Por Rama nuk u mjaftua me Diellën. Ai i shpjegoi OKB-së edhe se si Inteligjenca Artificiale mund të manipulojë qytetarët, zgjedhjet dhe demokracinë.
Si shembull solli protestat në Shqipëri dhe atë që e quajti “revolucioni i flamingove”, duke folur për narrativën e një “pushtimi izraelit” të bregdetit shqiptar. Sipas Ramës, një histori e fabrikuar u personalizua për kategori të ndryshme qytetarësh: për disa si tradhti kombëtare, për të tjerë si provokim fetar apo pushtim i huaj.
“Qytetarët kishin arsyet e tyre për të protestuar, mos më keqkuptoni, por befas nisën të protestonin edhe kundër një armiku fantazmë”, tha Rama.
Kryeministri argumentoi se algoritmet mund të përdorin frikën dhe zemërimin e njerëzve për t’i mobilizuar politikisht, duke arritur në përfundimin se sot “sovraniteti nuk gërryhet më në kufi, gërryhet nëpër feed-e”.
Dhe Shqipëria, sipas Ramës, e ka edhe zgjidhjen.
Ai njoftoi ndërtimin e një “pasqyre digjitale” me Inteligjencë Artificiale, e cila do të identifikojë manipulimet në kohë reale, do të kontrollojë pretendimet dhe do të zbulojë fushatat e koordinuara. Rama siguroi se sistemi nuk do të jetë një “ministri e së vërtetës”, por një “infrastrukturë transparence”.
Nga OKB-ja ai kërkoi gjithashtu një marrëveshje ndërkombëtare për Inteligjencën Artificiale: identifikimin e përmbajtjeve politike të prodhuara artificialisht, transparencë mbi financimin dhe shpërndarjen e tyre, përgjegjësi njerëzore për vendimet e AI në institucionet publike dhe një sistem paralajmërimi mes demokracive kundër manipulimit.
Pra, fotografia e Shqipërisë në këtë fund shtatori është të paktën e pazakontë: drejtuesja e inteligjencës së shtetit nën “arrest shtëpie”, ndërsa Kryeministri në OKB prezanton ministren e Inteligjencës Artificiale dhe u shpjegon vendeve të tjera si duhet mbrojtur demokracia nga algoritmet.
Rama e përfundoi “predikimin në shkretëtirë” me pyetjen se kujt do t’i bindet makina dhe në shërbim të cilit qëllim njerëzor.
Në Shqipëri, ndërkohë, SPAK ka një çështje më pak futuriste për të zbardhur: kujt dyshohet se i është bindur inteligjenca njerëzore.






















