
Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, është e para nga radhët e mazhorancës që reagon publikisht lidhur me incidentin e ndodhur mes ish-drejtueses së SHISH-it dhe gazetares së njohur të kronikës, Klodiana Lala, përpara dyerve të GJKKO-së.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Luarasi e ka dënuar sjelljen ndaj gazetares dhe i ka bërë thirrje SPAK-ut si dhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të marrin masa të menjëhershme për trajtimin e kallëzimit dhe garantimin e mbrojtjes së saj.
Më poshtë vijon reagimi i plotë i Iris Luarasit:
"Deklarata e ish-drejtueses së SHISH-it ndaj Klodiana Lala në hyrje të GJKKO-së është e papranueshme. Një gazetare po bënte një pyetje me interes publik. Në vend të përgjigjes mori insinuata që dëmtojnë reputacionin, integritetin profesional dhe sigurinë e saj personale.
Si zëvendëskryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Median, i bëj thirrje SPAK-ut që ta trajtojë me seriozitet dhe me përparësi kallëzimin e gazetares. I bëj thirrje gjithashtu institucioneve përgjegjëse që të garantojnë mbrojtjen e saj.
Pyetjet e gazetarëve duhet të marrin përgjigje, jo kërcënime. Mbrojtja e gazetarëve është detyrim i shtetit dhe kusht për demokracinë. Gazetarët që bëjnë pyetje nuk janë armiq. #LiriaEShtypit #PressFreedom #SafeJournalists #StopIntimidimitTëGazetarëve"






















