Politika 24 September 2026, 14:24 Nga VNA

Skandali me SHISH përplas Kuvendin: Opozita bllokon foltoren, mazhoranca hesht për akuzat; protesta dhe tensione jashtë Parlamentit

Ndaje në Whatsapp

fvdvfd.PNG

Me debate të forta, bllokim të foltores dhe tensione brenda e jashtë sallës është zhvilluar këtë të enjte seanca plenare e Kuvendit. Në qendër të përplasjes mes mazhorancës dhe opozitës ishte situata në Shërbimin Informativ të Shtetit dhe zhvillimet që lidhen me ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni. Pas rreth tre orësh diskutime dhe ndërprerjesh, Kuvendi iu rikthye rendit të ditës dhe miratoi projektligjet e parashikuara, mes tyre edhe pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura shqiptare në operacionin e Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit në Gaza.

Tensionet nisën që në fillim të seancës, kur Partia Demokratike kërkoi ndryshimin e rendit të ditës dhe zhvillimin e një debati me kryeministrin Edi Rama për situatën në SHISH. Kryeministri ndodhej në Shtetet e Bashkuara, ku po merrte pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Kërkesa e opozitës për ndryshimin e rendit të ditës u hodh në votim, por u rrëzua nga mazhoranca.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, lëshoi akuza të forta ndaj ish-drejtueses së SHISH dhe qeverisë, duke pretenduar se çështja Hyseni kishte cenuar sigurinë kombëtare. Ai ngriti gjithashtu pretendime për lidhjet e saj me Ergys Agasin dhe për përdorimin e informacioneve dhe mjeteve të SHISH në funksion të interesave kriminale. Berisha kërkoi që debati parlamentar të përqendrohej te kjo çështje dhe kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Akuzave të Berishës iu përgjigj deputeti socialist Blendi Klosi. Ai deklaroi se mazhoranca nuk do të marrë në mbrojtje asnjë funksionar që duhet të përballet me drejtësinë, duke thënë se përgjegjësia është individuale. Klosi e zhvendosi më pas debatin te periudha kur Berisha ishte në pushtet, duke iu referuar ish-kreut të SHIK-ut, Bashkim Gazidede, dhe përplasjeve të mëparshme të kreut demokrat me institucionet e sigurisë.

Përplasja politike u shoqërua edhe me tensione në sallë. Pas rrëzimit të kërkesës për ndryshimin e rendit të ditës, deputetët demokratë bllokuan foltoren dhe nisën t'u binin tavolinave, duke penguar vijimin normal të punimeve. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u bëri thirrje disa herë deputetëve të ktheheshin në vendet e tyre, ndërsa në kushtet e krijuara vendosi ndërprerjen e përkohshme të seancës.

Socialistët kishin vendosur që të mos komentonin skandalin e fundit, ndërsa akuzave të opozitës u përgjigjeshin me raste deputetët e rinj. Nga qeveria foli vetëm ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, e cila iu përgjigj opozitës duke ricikluar akuzat e vjetra dhe duke iu kthyer historisë të ish-SHIK-ut dhe mënyra se si ky institucion ishte përdorur gjatë qeverisjes së mëparshme të demokratëve. Mazhoranca mbajti qëndrimin se përgjegjësia për çdo çështje konkrete duhet të përcaktohet nga organet e drejtësisë.

Ndërkohë që brenda Kuvendit vijonte përplasja politike, situata u tensionua edhe jashtë godinës së Parlamentit. Protestuesit tentuan t'i afroheshin Kuvendit, ndërsa policia kishte vendosur një perimetër sigurie për të penguar kalimin e tyre. Në disa momente pati shtyrje dhe përplasje mes protestuesve dhe efektivëve, ndërsa disa persona u shoqëruan nga policia.

Pas ndërprerjeve, seanca rifilloi dhe mazhoranca kërkoi mbylljen e diskutimeve dhe kalimin në votimin e projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës.

Ndërsa opozita vijoi protestën në sallë, mazhoranca procedoi direkt me votimet.

Një prej vendimeve kryesore ishte miratimi në tërësi, me 106 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, i pjesëmarrjes së Forcave të Armatosura të Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit në Gaza. Projektligji parashikon mundësinë e angazhimit të një kontingjenti shqiptar me deri në 40 ushtarakë.

Me përfundimin e votimeve u mbyll edhe seanca plenare, pas rreth tre orësh të dominuara nga debati për SHISH, përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës, bllokimi i foltores dhe tensionet që shoqëruan protestën jashtë Kuvendit.

Lexo gjithashtu

Video

Klodiana Lala ka bërë të ditur se ka depozituar një denoncim ndaj Hysenit, duke deklaruar se emri i saj është përdorur për të ushtruar presion ndaj të tjerëve. Lala paralajmëroi se do të ndërmarrë hapa ligjorë edhe në Britaninë e Madhe. Në “Opinion”, ajo ngriti gjithashtu pretendime të forta mbi materiale sensitive të SHISH-it që, sipas saj, janë gjetur në automjetin e Ergys Agasit, si dhe mbi komunikime që pretendon se janë pjesë e dosjes hetimore.

Këto janë momentet kur dhjetëra delegatë largohen nga salla e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, teksa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ngjitet në foltore për të mbajtur fjalimin e tij. Largimi i delegatëve u zhvillua në shenjë proteste. Duke reaguar nga foltorja, Netanyahu i cilësoi ata që u larguan si “frikacakë moralë”.

Tani radha është e shtetit. SPAK dhe GJKKO duhet të tregojnë nëse kjo ishte vetëm shpifje e dëshpëruar, apo përdorim publik i informacionit sekret nga një ish-shefe shërbimi që sot është nën hetim pikërisht për nxjerrje sekretesh. Sepse nëse shteti hesht, atëherë Vlora Hyseni nuk ka kërcënuar vetëm Klodin. Na ka kërcënuar të gjithëve.

Çfarë ndodhi sot jashtë Parlamentit?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme