Ka raste kur një çështje administrative duket e ndërlikuar vetëm sepse është mbuluar me shumë ligje, nene dhe interpretime. Por po ta zhveshësh nga gjuha burokratike, mbetet një pyetje fare e thjeshtë.
VNA publikoi javë më parë një fakt: zonja Ilirjana Nano mban sot dy funksione publike të rëndësishme. Është Kryetare e Komisionit Rregullator të KQZ-së dhe, në të njëjtën kohë, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
VNA nisi të verifikojë nëse këto dy funksione mund të ushtrohen njëkohësisht dhe, mbi të gjitha, nëse janë ndjekur procedurat që ligji kërkon kur një zyrtar i lartë merr përsipër edhe një angazhim tjetër publik.
Për këtë arsye i u drejtuam ILDKPKI-së me një kërkesë për të ditur nëse ky institucion kishte konstatuar diçka të tillë. Përgjigjja erdhi shumë e gjatë dhe në dukje e vështirë për t'u kuptuar. Por në fakt nuk ishte as përgjigja e plotë.
Po rendisim edhe një herë faktet:
Ilirjana Nano u votua më 6 nëntor 2025 për një mandat të ri si Kryetare e Komisionit Rregullator të KQZ-së. Disa muaj më vonë, më 10 prill 2026, ajo u emërua me Urdhrin nr. 46 si Sekretare e Përgjithshme e KLP-së.
Kjo kronologji është e rëndësishme. Kur mori funksionin në KLP, mandati i saj në KQZ ekzistonte tashmë. Pra nuk po flasim për një situatë teorike. Po flasim për dy funksione që prej muajsh ushtrohen paralelisht.
ILDKPKI, në përgjigjen e saj nuk tha se Nano ka shkelur ligjin. Kjo duhet thënë qartë. Por nuk tha as të kundërtën: se gjithçka është e rregullt dhe çështja është e mbyllur.
Inspektorati i u referua një vendimi të Gjykatës Administrative të Apelit, sipas të cilit KLP nuk është pjesë e pushtetit ekzekutiv dhe, për rrjedhojë, ndalimi që Kodi Zgjedhor vendos për funksione të tjera në ekzekutiv nuk mund të shtrihet automatikisht edhe mbi KLP-në.
Ky është një argument në favor të Nanos dhe nuk ka arsye të fshihet. Por përgjigjja nuk mbaron aty. ILDKPKI sjell më pas në vëmendje ligjin për nëpunësin civil, rregullat e etikës dhe dispozitat për veprimtaritë e jashtme.
Dhe aty historia bëhet më interesante.
Ligji, në thelb, thotë diçka që çdo nëpunës i administratës e kupton: kur ushtron një veprimtari tjetër me pagesë, nuk mjafton të mendosh se ajo nuk të pengon. Duhet të njoftosh. Institucioni duhet ta shqyrtojë situatën. Dhe, kur ligji e kërkon, duhet të ketë një vendim me shkrim.
Pra debati nuk është vetëm nëse KLP është apo jo pjesë e ekzekutivit. Debati është edhe nëse, kur Nano mori detyrën e dytë, u ndoq procedura që do t’i kërkohej çdo nëpunësi tjetër. Këtu përgjigjja e ILDKPKI-së mbetet e paplotë. Nuk na thotë nëse Nano ka bërë njoftimin përkatës. Nuk na thotë nëse dikush në KLP e ka shqyrtuar paraprakisht këtë situatë. Nuk na thotë nëse ka një vendim që e ka konsideruar të lejueshëm ushtrimin paralel të dy funksioneve.
Dhe nuk i përgjigjet pyetjes që nisi gjithë këtë histori:
A mund t’i mbajë Ilirjana Nano ligjërisht të dy postet, po apo jo?
Ndoshta përgjigjja është po. Ndoshta procedura është ndjekur deri në fund dhe dokumentet ekzistojnë. Por në administratë ka një rregull të thjeshtë: nëse një procedurë është bërë, ajo duhet të ketë lënë gjurmë.
Një shkresë, një vlerësim, një vendim apo firmë e vulë. Kjo është arsyeja që në fakt çështja nuk është personale. Nuk ka të bëjë me simpati apo antipati ndaj Ilirjana Nanos.
Ka të bëjë me një standard që shteti ua kërkon përditë qytetarëve dhe punonjësve të vet: procedurat respektohen jo sepse janë të bukura në letër, por sepse janë mënyra e vetme për të provuar se pushteti është ushtruar sipas ligjit. E njëjta qeveri që ende s'ka një reagim zyrtar mbi skandalin e drejtueses së një institucioni të rëndësishëm si shërbimi informativ i kërkon qytetarit letra e dokumente edhe për gjënë më të vogël.
Nëpunësit i kërkohet leje. Biznesit i kërkohet autorizim. Dhe nga kjo rrjedh edhe një pyetje për një nga zyrtaret më të larta të shtetit shqiptar, që mban dy poste të rëndësishme në dy institucione po kaq të rëndësishme:
Ku është procedura?
Përgjigjja e ILDKPKI-së nuk e mbylli rastin Nano. Në një farë mënyre, e zgjeron edhe më shumë këndin për të cilin nisi edhe ky investigim. Sepse tashmë dimë jo vetëm se cilat janë dy funksionet, por edhe se ligji kërkon një proces konkret vlerësimi.
A është bërë ky proces?
Kjo është pyetja që ka mbetur.
Dhe është një pyetje që nuk zgjidhet me opinione dhe reflektime. Zgjidhet me dokumente. KQZ dhe KLP janë institucione të shtetit shqiptar dhe pa dyshim punësimi në to është i lakmueshëm nga shumë profesionistë. Pa dyshim që në vorbullën e skandaleve që tronditin thuajse çdo ditë shtetin shqiptar ky mund të duket një problem minor dhe i papërfillshëm. Por ato që konsiderohen si institucionet që garantojnë votën dhe drejtësinë përfshihen le të thoshim në paqartësi të tilla (për të mos thënë shkelje) publiku meriton së paku një sqarim. Ndoshta jo aq i gjatë sa ai i ILDKPKI, por më së paku më i qartë.
Investigimi i VNA-së vazhdon.






















