Politika 23 September 2026, 06:06 Nga JJ

Shqipëria dhe fati politik i shefave të sekreteve: Nga Koçollari, Gazidede, Klosi dhe Hyseni. Ish drejtuesit që u përballën me akuza

Ndaje në Whatsapp
Shqipëria dhe fati politik i shefave të sekreteve: Nga

Shqipëria nuk ka qenë shumë dashamirëse me drejtuesit e shërbimeve sekrete. Gjatë më shumë se tri dekadave të shtetit demokratik, fati i tyre shpesh është përcaktuar nga politika dhe po politika ka vendosur vulën mbi karrierën e tyre. Profesionistë të fushës, akademikë, matematikanë apo fizikantë, të gjithë janë gjendur në fund përballë të njëjtës të vërtetë: në Shqipëri, shërbimi sekret rrallë ka qenë vetëm institucion sigurie. Shpesh ka qenë edhe instrument pushteti.

Pushteti i informacionit, dosjeve, sekreteve dhe rrjeteve të padukshme është përdorur jo pak herë në funksion të betejave politike. Dhe pikërisht për këtë arsye, drejtuesit e shërbimeve inteligjente shqiptare nuk janë larguar gjithmonë në heshtje. Disa prej tyre janë përballur me akuza, hetime, procedime penale apo masa sigurie.

A do të ketë edhe Vlora Hyseni fatin e paraardhësve të saj? Kjo mbetet për t’u parë, ndërsa VNA risjell historinë e ish-drejtuesve të lartë të SHIK/SHISH që janë përballur me probleme ligjore.

Irakli Koçollari, drejtuesi i parë i SHIK-ut

Irakli Koçollari, drejtuesi i parë i SHIK-ut në vitet 1991-1992, u arrestua në mars 1996 së bashku me ish-ministrin e Brendshëm, Vladimir Hysi, në çështjen e asgjësimit të dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit.

Nuk bëhej fjalë për dokumente të zakonshme administrative, por për materiale të shërbimit sekret të regjimit komunist, që lidheshin me ndjekjen, survejimin dhe veprimtarinë e Sigurimit gjatë diktaturës. Raportimet publike flasin për dhjetëra mijëra dokumente të zhdukura apo të asgjësuara.

Sipas raportimeve të kohës dhe risjelljeve të mëvonshme të kësaj çështjeje, Koçollari u dënua me 6 vite burg, ndërsa Vladimir Hysi me 18 muaj burg. Koçollari doli nga burgu në vitin 1997, në rrethanat e trazirave dhe amnistisë së asaj periudhe.

Asgjësimi i këtij dokumentacioni mbetet një nga plagët e mëdha të tranzicionit, sepse nënkuptonte humbjen e burimeve të pazëvendësueshme për dokumentimin e historisë së diktaturës, Sigurimit të Shtetit dhe represionit komunist.

Bashkim Gazidede, nga SHIK-u te akuzat për vitin 1997

Bashkim Gazidede drejtoi SHIK-un nga viti 1992 deri në vitin 1997, në një nga periudhat më të tensionuara të tranzicionit shqiptar. Emri i tij u lidh fort me pushtetin e kohës, me akuzat për përdorim politik të shërbimit dhe sidomos me ngjarjet dramatike të vitit 1997.

Në vitin 1998, ndaj Gazidedes u ngritën akuza të rënda lidhur me ngjarjet e vitit 1997, përfshirë akuza për krime kundër njerëzimit dhe vepra të tjera të lidhura me detyrën. Më 21 gusht 1998 u raportua për urdhër-arrest ndaj tij, ndërsa më pas u ndërmorën hapa për shpalljen në kërkim dhe ekstradimin.

Por juridikisht ky rast duhet trajtuar me kujdes. Akuzat ndaj Gazidedes nuk u provuan me vendim fajësie të formës së prerë. Pas disa vitesh hetimi, në vitin 2003 procedimi ndaj tij u pushua.

Fatos Klosi, procedim dhe më pas pafajësi

Fatos Klosi drejtoi SHISH-in nga viti 1997 deri në vitin 2002. Pas largimit nga detyra, edhe ai u përball me procedim penal.

Në vitin 2002, ndaj Klosit u ngrit një çështje për shpërdorim detyre, lidhur me administrimin e fondeve të institucionit dhe një dëm ekonomik të pretenduar prej rreth 600 milionë lekësh. Në përfundim të hetimit, Prokuroria kërkoi dënimin e tij me gjobë prej 1 milion lekësh.

Por më 1 qershor 2004, Gjykata e Tiranës e shpalli Fatos Klosin të pafajshëm. Pra, edhe në këtë rast, zhurma politike dhe procedimi penal përfunduan pa dënim.

Vlora Hyseni, drejtuesja e SHISH-it nën masë sigurie

Rasti më i fundit është ai i Vlora Hysenit, drejtuese e SHISH-it që nga viti 2023. Në shtator 2026, ndaj saj u caktua masa e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe u njoftua pezullimi nga detyra.

Sipas njoftimit të SPAK të raportuar në media, Hyseni dyshohet për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”, në një çështje që lidhet me ndihmën e dyshuar ndaj një personi në kërkim dhe me nxjerrjen e informacioneve të klasifikuara.

Procedimi ndaj saj u bë publik në një moment të pazakontë, kur ajo ndodhej jashtë vendit, në përfaqësim të institucionit në një konferencë të drejtuesve të lartë të shërbimeve inteligjente.

Edhe këtu duhet theksuar se hetimi është në vazhdim dhe masa e sigurisë nuk përbën vendim fajësie. Por goditja institucionale është e rëndë: drejtuesja e shërbimit sekret përballet me akuza që lidhen pikërisht me sekretin, besimin dhe ruajtjen e informacionit shtetëror.

Në më shumë se 30 vite, të paktën katër drejtues të lartë të SHIK/SHISH janë përballur me procedime, hetime, akuza apo masa sigurie. Nga asgjësimi i dokumenteve të Sigurimit të Shtetit, te akuzat për ngjarjet e vitit 1997, shpërdorimi i detyrës dhe deri te dyshimet për nxjerrje të të dhënave sekrete.

Në një shtet normal, shërbimi sekret duhet të jetë institucioni që qëndron larg dritave të politikës. Në Shqipëri, shpesh ka ndodhur e kundërta: politika ka hyrë në shërbim, shërbimi është përdorur nga politika dhe në fund shefat e tij kanë mbetur peng të të dyjave.

Fati i Vlora Hysenit mbetet ende për t’u parë. Por historia e paraardhësve të saj tregon se në Shqipëri drejtuesit e shërbimeve sekrete rrallë largohen pa zhurmë. Në një vend ku sekreti shtetëror shpesh ka qenë më shumë politik sesa institucional, edhe fundi i karrierave të tyre ka ardhur zakonisht me shumë zhurmë dhe me pak qartësi.

Lexo gjithashtu

Video

Momente frike janë regjistruar gjatë një eventi me dema dhe kuaj në Murcia të Spanjës, pasi një dem me peshë rreth 508 kilogramë arriti të kalonte barrierën mbrojtëse. Demi përfundoi në korridorin e sigurisë, duke shkaktuar panik mes personave që ndodheshin pranë arenës. Ngjarja ndodhi gjatë aktivitetit përmbyllës të një panairi lokal. Pavarësisht situatës së rrezikshme, nuk u raportua asnjë person i plagosur.

Arrestohet në Rusi Shpëtim “Salvatore” Aliu, 51-vjeçari i kërkuar nga SPAK dhe i dyshuar si një nga figurat kyçe të trafikut ndërkombëtar të kokainës. Sipas SPAK, Aliu dyshohet se siguronte dhe organizonte ngarkesa kokaine nga Amerika Latine drejt Europës, duke bashkëpunuar me disa grupe kriminale shqiptare. Në dosje përmenden lidhje me grupet e drejtuara nga Dritan Gjika, Eldi Dizdari alias Denis Matoshi, Armando Pacani, Jetmir Pepa dhe Sokol Bibaj. Hetimet lidhen me 5 episode të trafikimit të sasive të mëdha të kokainës, ndërsa komunikimet në SKY ECC kanë qenë një nga elementët kryesorë të hetimit. SPAK e akuzon Aliun për trafik narkotikësh, pastrim të produkteve të veprës penale, grup të strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprave penale në kuadër të organizatës kriminale. Pas arrestimit në Rusi, kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

3.2 milionë euro të fshehura në muret e një banese në Itali! Pamjet e publikuara nga autoritetet italiane tregojnë momentin kur karabinierët çajnë muret e banesës dhe nxjerrin shuma të mëdha parash, të fshehura në hapësira të posaçme. Gjatë operacionit në Caivano, pranë Napolit, u sekuestruan rreth 3.2 milionë euro, kryesisht në kartëmonedha 50-euroshe, si edhe 11 orë luksoze me vlerë mbi 127 mijë euro. Operacioni ishte pjesë e një aksioni të gjerë kundër krimit të organizuar në zonën e Napolit.

Protestuesit i zënë rrugën Zegjinesë, shpërthen deputetja: “Po ulni figurën e një femre!”

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme