
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit që lidhen me drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, duke ngritur akuza të forta ndaj saj dhe kryeministrit Edi Rama.
Gjatë një konference me gazetarët, Berisha e cilësoi çështjen si një nga ngjarjet më të rënda për institucionet e sigurisë kombëtare, ndërsa pretendoi se drejtuesja e SHISH kishte vënë institucionin në funksion të krimit.
“Në histori keni lexuar, keni dëgjuar që shefat e shërbimeve të kenë punuar në kundërshtim me ligjet për diktatorë, për agjenci të tjera, por kjo është hera e parë që dëgjoni se shefja e shërbimit në një vend ishte në funksion dhe mbështetje të krimit”, tha Berisha.
Kreu i PD-së përsëriti gjithashtu akuzat e tij për lidhje të afërta mes Hysenit dhe Ergys Agasit, duke pretenduar se ky i fundit kishte ndikim mbi SHISH. Sipas Berishës, Hyseni dhe Agasi takoheshin rregullisht në Tiranë.
“Në mënyrë të përsëritur kam denoncuar se SHISH e kontrollonte Ergys Agasi. Se sa të lidhur ishin Vlora me Gysin dhe Gysi me Vlorën, këtë e tregon dhe një fakt. Është një lokal aty afër shtëpisë sime. Të paktën dy herë në javë drekonin së bashku”, deklaroi ai.
Berisha u ndal edhe te rasti i Belinda Ballukut, duke pretenduar se Vlora Hyseni ishte përfshirë në ushtrimin e presionit ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me një vendimmarrje që kishte të bënte me Ballukun.
“Vlora Hyseni, famëzeza, u mor në mënyrë aktive me presione ndaj gjykatësve kushtetues në rastin e vendimit të Ballukut”, deklaroi Berisha.
Ai ngriti më tej akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe pretendoi se Hyseni kishte lidhje edhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiç. Sipas Berishës, situata ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin e SHISH, ndërsa përgjegjësinë politike për këtë ia atribuoi kreut të qeverisë.
Në fund, Berisha kërkoi që SPAK të lëshojë një mandat arresti ndërkombëtar ndaj Hysenit, duke pretenduar se ajo ndodhet jashtë Shqipërisë.






















