Politika 21 September 2026, 16:19 Nga VNA

Kur shtyhen dhe kur skadojnë afatet në Kuvend? Precedentët që rrëzojnë argumentin e socialistëve për “Territorialen”

Ndaje në Whatsapp

ChatGPT Image Sep 21, 2026, 04_26_20 PM.png

Afati i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale mbaroi dhe procedura parlamentare nuk lejon më kthimin pas. Ky ishte, në thelb, argumenti i Taulant Ballës përballë kërkesës së përsëritur të opozitës në tryezën e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, për të shtyrë punën e komisionit.

Por historia e viteve të fundit në Kuvend tregon se afatet e komisioneve të posaçme kanë qenë shumë më elastike nga sa i paraqiti Partia Socialiste sot. 

Shembulli më konkret është ai i Reformës Zgjedhore, një tjetër proces ku konsensusi politik mes mazhorancës dhe opozitës është konsideruar thelbësor nga ndërkombëtarët. 

Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, i ngritur më 13 tetor 2017, e pa mandatin e tij të zgjatej jo një apo dy herë, por të paktën gjashtë herë deri në vitin 2020.

Zgjatja e parë erdhi në mars 2018, me katër muaj. Në korrik të të njëjtit vit, pas kërkesës së bashkëkryetarëve Oerd Bylykbashi dhe Bledi Çuçi, Kuvendi i dha komisionit edhe gjashtë muaj të tjerë. 

Në janar 2019 afati u shty sërish me një muaj, ndërsa në prill të atij viti puna e komisionit u zgjat deri në nëntor.

As në nëntor historia nuk përfundoi. Kuvendi vendosi t'i jepte komisionit edhe tre muaj të tjerë, ndërsa më 16 prill 2020 erdhi zgjatja e gjashtë, këtë herë deri më 30 qershor 2020. Pra, një komision i ngritur në vitin 2017 vijoi punën për afro tre vjet, falë vendimeve të njëpasnjëshme të Kuvendit për t'i shtyrë mandatin.

Komisioni i Reformës Zgjedhore i ngritur në vitin 2022 e pa afatin e tij të shtyhej në mënyrë të përsëritur. Afatet u shtynë në intervale gjashtëmujore dhe veprimtaria e komisionit zgjati deri më 23 gusht 2023.

Edhe dy muaj më parë, afatet nuk ishin kaq të ngurta. Në korrik, Kuvendi vendosi të zgjaste mandatin e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore deri më 30 nëntor. Kërkesa erdhi nga dy bashkëkryetarët, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, të cilët kërkuan më shumë kohë për një reformë të plotë dhe gjithëpërfshirëse. Më 16 korrik, zgjatja mori 78 vota pro në Kuvend.

Thuajse në të njëjtën kohë, Luçiano Boçi kërkonte edhe tre muaj jetë për Komisionin e Reformës Territoriale. Arsyetimi ishte i ngjashëm: puna nuk kishte përfunduar dhe palëve u duhej më shumë kohë. Kërkesa u rrëzua me 82 vota kundër.

Kështu, brenda së njëjtës verë, Kuvendi prodhoi dy vendimmarrje të ndryshme për dy komisione të posaçme. Për këto arsye argumenti i skadimit të mandatit nuk e mbyll debatin. 

Në Kuvendin e Shqipërisë afatet mund të zgjaten, vetëm kur ka vullnet Partia Socialiste.

Video

Vrasja në Sarandë që po shndërrohet në “mollën e sherrit” mes Hitajt dhe Demos

Denoncimet e VNA hapin “pusetën” e tenderave në KQZ, një tjetër kompani kërkon shpjegime: Si u pikëzuam kështu?

Tre muaj mbi tavolinën e KPP-së/ Tenderi 9.8 mln euro i RTSH-së në pritje të vendimit, pse u skualifikua oferta më e lirë dhe u anashkaluan rekomandimet e KLSH-së?

Ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, i kërkoi kreut të SPAK-ut, Klodian Braho, rritjen e mëtejshme të rezultateve konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ajo theksoi se këto rezultate janë një element kyç për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme