
Ushtria izraelite ka ndërmarrë një operacion të gjerë në qytetin Biddu, në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke arrestuar rreth 50 palestinezë. Operacioni nisi pas vrasjes së një izraeliti pranë vendbanimit Neve Tzuf.
Sipas autoriteteve palestineze, një palestinez i dyshuar për përfshirje në vrasje u plagos me armë zjarri teksa përpiqej të largohej dhe më pas u arrestua.
Kryetari i Bashkisë së Biddu-s, Nazmi Mansour, deklaroi se qindra ushtarë dhe dhjetëra automjete ushtarake izraelite hynë në qytet gjatë mbrëmjes. Forcat kryen kontrolle në banesa, ndërsa në disa ndërtesa të sekuestruara u ngritën pika për marrjen në pyetje të banorëve.
Sipas tij, dhjetëra persona u morën në pyetje, një pjesë e të cilëve u liruan, ndërsa të tjerë mbetën të ndaluar. Autoritetet izraelite kanë bërë të ditur se rreth 50 persona janë arrestuar dhe operacioni vijon.
Kreu i ushtrisë izraelite, gjenerali Eyal Zamir, kishte paralajmëruar më herët një operacion në Biddu për identifikimin e personave që dyshohet se mund të kenë ndihmuar në sulmin ku humbi jetën izraeliti.
Operacioni zhvillohet në një periudhë tensionesh të larta në Bregun Perëndimor, ku që prej tetorit të vitit 2023 janë shtuar përplasjet, bastisjet dhe arrestimet.






















