Politika 22 September 2026, 15:43 Nga VNA

Nga Prishtina në krye të sekreteve të Tiranës/ Kush është Vlora Hyseni, gruaja që Rama e quajti “garanci” dhe sot hetohet për nxjerrje të sekretit shtetëror

Ndaje në Whatsapp

fvdddfvfvd.jpg

“Ne jemi aty ku të tjerët nuk janë, sigurojmë informacione që të tjerët nuk i kanë dhe bëjmë më të mirën për sigurinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve.”

Është motoja që qëndron në faqen zyrtare të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe mban poshtë emrin e drejtoreshës së tij, Vlora Hyseni. Sot, tre vjet e gjysmë pasi mori drejtimin e institucionit që duhet të ruajë sekretet më të ndjeshme të shtetit shqiptar, pikërisht fjala “sekret” është në qendër të dosjes penale që ka ndryshuar në mënyrë dramatike pozitën e saj.

Me kërkesë të SPAK, GJKKO ka vendosur ndaj Hysenit masat “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga detyra”. Drejtuesja e SHISH është person nën hetim për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror ose të shërbimit, në një hetim që lidhet me dosjen e AKSHI-t dhe Ergys Agasin. Akuzat janë në fazë hetimi dhe Hyseni gëzon prezumimin e pafajësisë. 

Por kush është gruaja që, në vetëm pak vite, kaloi nga largimi i papritur prej shërbimit sekret të Kosovës, në zyrën e kryeministrit shqiptar dhe prej andej në krye të institucionit më sekret të Shqipërisë?

Vlora Hyseni ka lindur në Kosovë në vitin 1984 dhe mban shtetësi kosovare dhe shqiptare. Është diplomuar për Drejtësi dhe ka përfunduar master shkencor në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Karrierën profesionale e nisi në vitin 2008 në Prishtinë, pranë një organizate ligjore ndërkombëtare amerikane që punonte për promovimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Dy vjet më vonë hyri në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ku do të ndërtonte pjesën më të rëndësishme të karrierës së saj. 

Brenda AKI-së, Hyseni u ngjit deri në drejtimin e Marrëdhënieve me Jashtë dhe në shkurt 2019 u emërua zëvendësdrejtore. Kur drejtori Kreshnik Gashi u largua në dhjetor 2020, ajo mori përkohësisht drejtimin e agjencisë dhe qëndroi në krye të saj për rreth katër muaj, deri në emërimin e Petrit Ajetit në prill 2021. 

Dy muaj më vonë erdhi kthesa e parë e madhe e karrierës së saj. Më 30 qershor 2021, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti firmosën shkarkimin e Hysenit nga posti i zëvendësdrejtores së AKI-së. Në njoftimin zyrtar nuk u dha një arsye konkrete për largimin. Vendimi e detyronte të dorëzonte të gjitha materialet që administronte dhe të ruante informacionet e klasifikuara të marra gjatë detyrës, duke rikujtuar se zbulimi ose mosruajtja e tyre përbënte vepër penale. Ky formulim nuk provon se Hyseni ishte shkarkuar për një shkelje të tillë; arsyeja e largimit të saj nuk u bë publike. 

Karriera e ndërprerë në Prishtinë do të rifillonte shumë shpejt në Tiranë. Në shtator 2021, Hyseni u bë këshilltare për sigurinë e kryeministrit Edi Rama. Për rreth një vit e gjysmë qëndroi larg vëmendjes së madhe publike, deri më 17 mars 2023, kur Rama njoftoi se ia kishte propozuar Presidentit Bajram Begaj për postin më të lartë të inteligjencës shqiptare. 

Argumenti i Ramës ishte i fortë. Kryeministri fliste për “përgatitjen e spikatur”, eksperiencën e saj dhe respektin që, sipas tij, Hyseni gëzonte në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës. Të gjitha këto, deklaronte ai, përbënin “një garanci të plotë” për reformimin e mëtejshëm të SHISH-it. 

Emërimi megjithatë nuk kaloi pa debat. Opozita kërkoi që Presidenti të informohej nga autoritetet kosovare për arsyet e shkarkimit të saj nga AKI. Kur Rama u pyet në fund të marsit 2023 për këto pikëpyetje dhe për një hezitim të mundshëm të Presidentit, ai i cilësoi ato si “thashethemet e katundit tonë politik dhe mediatik”. Më 3 prill 2023, Bajram Begaj firmosi dekretin nr. 51 dhe Hyseni u bë drejtuesja e 11-të e SHISH-it dhe gruaja e parë në krye të shërbimit shqiptar. 

Gjatë tre viteve në krye të SHISH-it, profili i saj ndërkombëtar u rrit. Ajo mori pjesë në Samitin e NATO-s në Vilnius në vitin 2023 dhe në takime me drejtues të inteligjencës amerikane dhe të NATO-s. Në vitin 2025 mori drejtimin e Komitetit të Inteligjencës Civile të NATO-s, CIC. Ajo është shfaqur gjithashtu në një numër delegacionesh zyrtare të drejtuara nga Rama, përfshirë vizita me komponent sigurie dhe politike të jashtme. 

Dhe pikërisht këtu biografia e saj merr sot kthesën më të fortë. Gruaja që drejtoi dy shërbime inteligjence shqiptare në dy anët e kufirit, që Rama e prezantoi si “garanci të plotë” dhe që vetë e përkufizoi misionin e SHISH-it me sigurimin e informacioneve “që të tjerët nuk i kanë”, është pezulluar nga drejtimi i këtij institucioni dhe ndodhet nën hetim për një vepër penale që lidhet pikërisht me nxjerrjen e sekretit shtetëror ose të shërbimit. 

Hetimi duhet të përcaktojë çfarë informacioni dyshohet se është nxjerrë, kujt i është dhënë, në çfarë rrethanash dhe çfarë roli konkret i atribuon SPAK Hysenit. Deri atëherë, masa e sigurisë nuk është vendim fajësie.

Por për një drejtuese shërbimi sekret, kontrasti është i jashtëzakonshëm: karriera e saj shqiptare nisi me fjalën “garanci”; sot, tre vjet më vonë, vazhdon nën akuzën për sekretet që institucioni i saj ekziston për t’i ruajtur.

Lexo gjithashtu

Video

Një zjarr ka rënë në fshatin Shën Pjetër, në zonën e Gjirit të Lalëzit, pranë vijës bregdetare. Sipas burimeve nga shërbimi zjarrfikës, për arsye sigurie janë evakuuar disa turistë që ndodheshin pranë një hoteli në zonë. Në vendngjarje janë angazhuar një numër i madh efektivësh dhe mjetesh zjarrfikëse nga repartet e Durrësit, Tiranës, Kamzës dhe Shijakut, të cilët po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve.

Autoritetet amerikane kanë ndaluar pranë brigjeve të Floridës një varkë me 22 emigrantë që dyshohet se po tentonin të hynin ilegalisht në SHBA. Mes tyre ndodheshin 13 shtetas kinezë. Varka u diktua pranë Key Largo, ndërsa më pas ndërhynë agjentët kufitarë dhe Roja Bregdetare amerikane. Gjatë operacionit u ndalua edhe një person i dyshuar si trafikant kuban. Sipas burimeve të cituara nga Fox News, tentativa konsiderohet e pazakontë dhe shumë e rrezikshme, pasi shtetasit kinezë rrallë përdorin rrugët detare të Karaibeve për të hyrë në SHBA.

Lian Yunji, një vajzë vetëm 6 vjeçe nga Kina, ka thyer dy herë brenda tri ditësh rekordin botëror për femra në zgjidhjen e Kubit të Rubikut. Fillimisht, ajo regjistroi një mesatare prej 4.52 sekondash në një garë në Wuhan. Vetëm pak ditë më vonë, në Guangzhou, Lian e përmirësoi rekordin në 4.27 sekonda. Sipas BBC-së, ajo është femra e parë në botë që e zgjidh kubin me një mesatare nën 4.5 sekonda. Vogëlushja nga provinca Sichuan ka mësuar mbi 1,300 algoritme për zgjidhjen e tij. Gjatë vitit të fundit, ajo është stërvitur intensivisht nga dy deri në tri orë çdo ditë.

Pyetje që doktori ka 35 vjet që i dëgjon dhe 35 vjet që premton se do t’i zgjidhë sapo të marrë pushtetin

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme