Politika 23 September 2026, 10:06 Nga VNA

A do të bëhet Skënder Hitaj “kurbani” i Ergys Agasit? Arrestimi që mund t’i kushtojë postin drejtorit të Policisë

Ndaje në Whatsapp
A do të bëhet Skënder Hitaj “kurbani” i Ergys Agasit?

Tashmë nuk është më e fshehtë se mes ministrit të ri të Brendshëm, Ervin Demo, dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, kanë nisur përplasjet e para.

Sinjali i parë erdhi që në takimin mes tyre, kur, sipas burimeve të VNA, Hitajt iu desh të priste jo pak në paradhomën e ministrit të ri. Mund të dukej një episod pa rëndësi, nëse vetëm pak ditë më vonë ngjarja e Sarandës nuk do të nxirrte në sipërfaqe një marrëdhënie që duket se ka nisur keq. Demo kërkoi ndërhyrje në zinxhirin drejtues të policisë lokale, duke e bërë të qartë se me drejtorin e Policisë nuk ndan domosdoshmërisht të njëjtën mënyrë të administrimit të strukturës.

Por burime të VNA thonë se arsyeja e vërtetë e ftohjes mund të jetë shumë më e hershme dhe mban një emër: Ergys Agasi.

Agasi, i kërkuar nga SPAK, për muaj me radhë kishte lëvizur i lirë në aksin Elbasan–Durrës–Tiranë. Sipas dyshimeve që po hetohen, ai kishte pasur mbrojtje në nivele të larta të institucioneve të sigurisë. Emri i ish-drejtorit të Policisë Ilir Proda është futur tashmë në hetim, ndërsa zhvillimet e fundit në dosjen e drejtueses së SHISH-it, Vlora Hyseni, kanë ngritur dyshime edhe për mbrojtjen që Agasi mund të ketë pasur nga institucioni i inteligjencës. Hyseni është nën hetim dhe ndaj saj është vendosur masa “arrest në shtëpi”; këto mbeten akuza në proces dhe jo fakte të provuara me vendim përfundimtar.

Por Agasi vazhdoi të ishte i lirë edhe pasi drejtimin e Policisë së Shtetit e mori Skënder Hitaj.

Deri në momentin kur u arrestua.

Dhe pikërisht arrestimi i Ergys Agasit, sipas burimeve të VNA, shënon pikën kur marrëdhënia mes Hitajt dhe Kryeministrit Edi Rama ndryshoi.

Kjo ngre një pyetje që deri tani nuk ka marrë përgjigje: a kishte marrë Skënder Hitaj porosi që Ergys Agasi të mos prekej? Dhe, nëse po, a ishte arrestimi i tij momenti kur drejtori i Policisë humbi mbështetjen politike që kishte deri atëherë?

Në këtë sfond, largimi i Besfort Lamallarit nga Ministria e Brendshme dhe ardhja e Ervin Demos marrin një tjetër peshë. Sidomos tani që përplasjet e para mes Demos dhe Hitajt nuk po vonojnë të shfaqen.

Nuk ka deri tani prova publike që lidhin emërimin e Demos me Agasin dhe as prova se Hitaj kishte marrë një urdhër për të mos e arrestuar atë. Por kronologjia e zhvillimeve e bën të pashmangshme pyetjen nëse Skënder Hitaj po paguan sot pikërisht arrestimin e njeriut që për muaj të tërë kishte arritur t’i shpëtonte Policisë së Shtetit.

Saranda mund të jetë vetëm përplasja e parë e dukshme. Problemi i vërtetë për Hitajn mund të ketë nisur shumë më herët.

Në ditët dhe javët që vijnë do të kuptohet nëse drejtori i Policisë do ta kalojë këtë krizë apo nëse ndryshimi në Ministrinë e Brendshme ishte paralajmërimi i një ndryshimi tjetër.

Sepse sot pyetja nuk është më vetëm pse Ergys Agasi u arrestua. Pyetja është nëse arrestimi i tij do t’i kushtojë Skënder Hitajt postin.

Lexo gjithashtu

Video

Momente frike janë regjistruar gjatë një eventi me dema dhe kuaj në Murcia të Spanjës, pasi një dem me peshë rreth 508 kilogramë arriti të kalonte barrierën mbrojtëse. Demi përfundoi në korridorin e sigurisë, duke shkaktuar panik mes personave që ndodheshin pranë arenës. Ngjarja ndodhi gjatë aktivitetit përmbyllës të një panairi lokal. Pavarësisht situatës së rrezikshme, nuk u raportua asnjë person i plagosur.

Arrestohet në Rusi Shpëtim “Salvatore” Aliu, 51-vjeçari i kërkuar nga SPAK dhe i dyshuar si një nga figurat kyçe të trafikut ndërkombëtar të kokainës. Sipas SPAK, Aliu dyshohet se siguronte dhe organizonte ngarkesa kokaine nga Amerika Latine drejt Europës, duke bashkëpunuar me disa grupe kriminale shqiptare. Në dosje përmenden lidhje me grupet e drejtuara nga Dritan Gjika, Eldi Dizdari alias Denis Matoshi, Armando Pacani, Jetmir Pepa dhe Sokol Bibaj. Hetimet lidhen me 5 episode të trafikimit të sasive të mëdha të kokainës, ndërsa komunikimet në SKY ECC kanë qenë një nga elementët kryesorë të hetimit. SPAK e akuzon Aliun për trafik narkotikësh, pastrim të produkteve të veprës penale, grup të strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprave penale në kuadër të organizatës kriminale. Pas arrestimit në Rusi, kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

3.2 milionë euro të fshehura në muret e një banese në Itali! Pamjet e publikuara nga autoritetet italiane tregojnë momentin kur karabinierët çajnë muret e banesës dhe nxjerrin shuma të mëdha parash, të fshehura në hapësira të posaçme. Gjatë operacionit në Caivano, pranë Napolit, u sekuestruan rreth 3.2 milionë euro, kryesisht në kartëmonedha 50-euroshe, si edhe 11 orë luksoze me vlerë mbi 127 mijë euro. Operacioni ishte pjesë e një aksioni të gjerë kundër krimit të organizuar në zonën e Napolit.

Protestuesit i zënë rrugën Zegjinesë, shpërthen deputetja: “Po ulni figurën e një femre!”

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme