Politika 24 September 2026, 06:22 Nga D.M

Të pandehurit që flasin si gazetarë investigues: Si po përgatit Mirel Mërtiri intervistën e radhës pas rëndimit të akuzave për inceneratorin e Tiranës

Ndaje në Whatsapp
Të pandehurit që flasin si gazetarë investigues: Si po

Nuk dihet ende çfarë sfondi ka zgjedhur këtë herë Mirel Mërtiri për të folur për inceneratorët. Një kryq në mur, për të sugjeruar pendesë. Apo një bibliotekë serioze, si ish-ortaku i tij politik Arben Ahmetaj, për të dhënë pamjen e njeriut që nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka lexuar dosjet e veta.

Sipas informacioneve të VNA-së, Mirel Mërtiri po përgatitet të japë një intervistë në një media austriake, në një moment kur pozita e tij penale është rënduar ndjeshëm pas akuzave të reja të SPAK për dosjen e inceneratorit të Tiranës.

Prej disa vitesh në arrati dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar, Mërtiri është një nga emrat qendrorë të aferës së inceneratorëve. Ai nuk është më vetëm një personazh i përmendur në dosje apo një emër që qarkullon në prapaskenën e kontratave publike. Sot, sipas akteve të SPAK, ai është i pandehur në dosjen e inceneratorit të Tiranës për akuza të rënda: mashtrim me pasoja të rënda, pastrim të produkteve të veprës penale dhe veprim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Dosja e inceneratorit të Tiranës është dërguar për gjykim nga SPAK. Në qendër të saj janë Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të cilët prokuroria i konsideron pronarë “de facto” të shoqërisë koncesionare. Sipas SPAK, nga kontrata e Tiranës janë përfituar shuma të mëdha publike, ndërsa investimi real nuk ka korresponduar me fondet e arkëtuara. Prokuroria pretendon se paratë janë nxjerrë përmes faturave fiktive, kompanive të lidhura dhe mekanizmave të pastrimit të parave.

Në këtë pikë, një intervistë e re nuk është më thjesht dalje publike. Është pjesë e të njëjtit ritual që tashmë e kemi parë: sa herë rëndohet pozita penale, njerëzit e inceneratorëve rishfaqen me versionin e tyre të së vërtetës. Jo para gjykatës. Jo para prokurorëve. Por para kamerave.

Mërtiri ka folur edhe më parë publikisht. Në intervistën e tij në “Çim Peka Live”, ai tentoi të jepte versionin e vet për aferën, duke hedhur akuza ndaj SPAK-ut dhe prokurorit të çështjes. Por intervista nuk e ndryshoi statusin e tij procedural. Ai vijoi të mbetej person në kërkim, i dënuar në mungesë për inceneratorin e Elbasanit dhe i akuzuar në dosjet e tjera të inceneratorëve.

Tani, me dosjen e Tiranës të dërguar për gjykim dhe me akuza më të rënda mbi shpinë, një tjetër intervistë nga jashtë vendit duket më shumë si përpjekje për të rihapur narrativën publike sesa si akt transparence.

Modeli nuk është i panjohur.

Edhe Arben Ahmetaj, ish-zëvendëskryeministri i shpallur në kërkim, ka zgjedhur të flasë nga arratia. Edhe ai ka dhënë intervista ku ka tentuar të zhvendosë përgjegjësinë, të tregojë versionin e tij dhe të paraqitet si viktimë e një përplasjeje politike. Por SPAK, në aktet e veta, e ka vendosur Ahmetajn në një tjetër pozicion: si të pandehur për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie, duke pretenduar se ai ka përfituar nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri pagesa, udhëtime, investime dhe përfitime të tjera.

Sa herë dalin publikisht, Mirel Mërtiri dhe Arben Ahmetaj ndjekin pothuajse të njëjtën skemë: përpiqen të pastrojnë veten duke përmendur emra të tjerë. Emra që fare thjesht mund t’i thoshin para drejtësisë, para prokurorëve që kanë hetuar dosjet e inceneratorëve, nga Klodian Braho dhe Ened Nakuçi te Dritan Prençi, Altin Dumani dhe Enkeleda Millonai. Por mesa duket është më e lehtë të shfaqesh si gazetar investigativ nga arratia, sesa si i pandehur përballë akteve të dosjes. Sepse në fund, pavarësisht toneve dramatike dhe sfondit të zgjedhur për intervista, Mërtiri dhe Ahmetaj nuk janë komentatorë të aferës. Janë njerëz të përfshirë me zë, figurë dhe akuzë në një nga skemat më të mëdha të abuzimit me paratë publike në Shqipëri.

Në këtë pikë, Mërtiri dhe Ahmetaj takohen jo vetëm në dosje, por edhe në mënyrën se si përpiqen të rikthehen në publik: nga arratia, përmes intervistave, me tone vetëmbrojtëse dhe me akuza ndaj të tjerëve.

Por faktet procedurale mbeten kokëforta.

Mirel Mërtiri është dënuar në mungesë për inceneratorin e Elbasanit. Është i pandehur në dosjen e inceneratorit të Tiranës. Është raportuar prej vitesh si person në kërkim ndërkombëtar. Ndërsa Arben Ahmetaj është dërguar për gjykim nga SPAK në një tjetër fraksion të dosjes së inceneratorëve.

Të dy janë pjesë e të njëjtës histori të madhe: një aferë që ka nisur me kontrata publike, ka kaluar përmes kompanive koncesionare, pagesave të dyshimta, faturave, udhëtimeve, vilave, lidhjeve politike dhe sot ka përfunduar në gjykatë.

Megjithatë, Mërtiri dhe Ahmetaj nuk janë të vetmit.

Afera e inceneratorëve nuk mund të lexohet vetëm si histori e dy njerëzve në arrati. Ajo është një mekanizëm shumë më i gjerë. Në rrugë, sipas dosjeve dhe hetimeve, janë përfshirë ministra, ish-zyrtarë, administratorë kompanish, njerëz të afërt me pushtetin, ndërmjetës, firma private dhe përfitues të tjerë që kanë marrë pjesën e tyre në një skemë që u pagua me paratë e qytetarëve shqiptarë.

Prandaj, nëse sot Mirel Mërtiri del sërish në media, pyetja nuk është vetëm çfarë do të thotë ai.

Pyetja është pse tani.

Pse pas dërgimit për gjykim të dosjes së inceneratorit të Tiranës?

Pse pas rëndimit të pozitës së tij penale?

Pse pas viteve të arratisë, kur drejtësia shqiptare e kërkon, ndërsa ai shfaqet në ekran nga jashtë vendit?

Dhe mbi të gjitha: a është kjo një përpjekje për të rrëfyer të vërtetën, apo një tjetër episod në serialin e vetëmbrojtjes së njerëzve që SPAK i konsideron përgjegjës për një nga aferat më të mëdha të korrupsionit në vend?

Sepse historia e inceneratorëve nuk është më vetëm histori kontratash. Është histori e një bande politike, administrative dhe biznesi që, sipas akuzave të SPAK, ka futur duart në qindra milionë euro para publike. Disa prej tyre janë në burg. Disa presin gjykimin. Disa janë në arrati. Dhe disa, sa herë u rëndohet pozita, shfaqen në studio televizive për të treguar se nuk janë ata problemi, por dikush tjetër.

Por shqiptarëve nuk u duhen më rrëfime mallëngjyese nga arratia.

U duhen përgjigje.

Ku shkuan paratë?

Kush i mori?

Kush i mbrojti?

Kush i zëvendësoi pronarët e parë me përfitues të rinj?

Dhe pse njerëzit që SPAK i konsideron në qendër të aferës vijojnë të flasin nga jashtë, ndërsa miliona euro të buxhetit publik mbeten ende pa llogari të plotë?

Intervista e mundshme e Mirel Mërtirit në Austri mund të jetë episodi i radhës mediatik. Por dosja e inceneratorëve nuk zgjidhet me intervista. Zgjidhet me dokumente, me gjykim, me përgjegjësi penale dhe me kthimin e parave të vjedhura nga shqiptarët.

Lexo gjithashtu

Video

Klodiana Lala ka bërë të ditur se ka depozituar një denoncim ndaj Hysenit, duke deklaruar se emri i saj është përdorur për të ushtruar presion ndaj të tjerëve. Lala paralajmëroi se do të ndërmarrë hapa ligjorë edhe në Britaninë e Madhe. Në “Opinion”, ajo ngriti gjithashtu pretendime të forta mbi materiale sensitive të SHISH-it që, sipas saj, janë gjetur në automjetin e Ergys Agasit, si dhe mbi komunikime që pretendon se janë pjesë e dosjes hetimore.

Këto janë momentet kur dhjetëra delegatë largohen nga salla e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, teksa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ngjitet në foltore për të mbajtur fjalimin e tij. Largimi i delegatëve u zhvillua në shenjë proteste. Duke reaguar nga foltorja, Netanyahu i cilësoi ata që u larguan si “frikacakë moralë”.

Tani radha është e shtetit. SPAK dhe GJKKO duhet të tregojnë nëse kjo ishte vetëm shpifje e dëshpëruar, apo përdorim publik i informacionit sekret nga një ish-shefe shërbimi që sot është nën hetim pikërisht për nxjerrje sekretesh. Sepse nëse shteti hesht, atëherë Vlora Hyseni nuk ka kërcënuar vetëm Klodin. Na ka kërcënuar të gjithëve.

Çfarë ndodhi sot jashtë Parlamentit?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme