Politika 24 September 2026, 17:36 Nga VNA

Kërkohet Edi Rama, por jo me radarët e Vlorës

Ndaje në Whatsapp
Kërkohet Edi Rama, por jo me radarët e Vlorës

Edi Rama nuk është zhdukur nga Facebook-u. Aty vijojnë postimet e propagandës, si zakonisht, me Shqipërinë që ecën, punët që vazhdojnë dhe realitetin që del gjithmonë i larë, i krehur dhe me dritë të mirë.

Por Rama i lajmit, Rama i krizës, Rama që zakonisht nuk lë takim ndërkombëtar pa foto dhe as skandal të madh pa regji politike, prej më shumë se 24 orësh nuk ka dhënë asnjë shenjë aktuale nga Shtetet e Bashkuara, ku zyrtarisht ndodhet për sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Postimi i fundit me peshë politike ishte ai për shkarkimin e Vlora Hysenit nga drejtimi i SHISH-it. Që prej atëherë, heshtje për thelbin.

Dhe pyetja tani është pikërisht kjo: çfarë po ndodh?

A po pret Rama të kalojë vala e parë e skandalit? A po mat dëmin politik? A po pret të shohë deri ku shkon dosja e SPAK-ut? Apo po përgatitet një tjetër lëvizje, një tjetër shkarkim, një tjetër emër, një tjetër surprizë nga ato që zakonisht vijnë kur pushteti kërkon të zhvendosë vëmendjen nga plaga te spektakli?

Në Tiranë, ish-shefja e SHISH-it është nën arrest shtëpie. Shërbimi sekret është në krizë besimi. Dosja prek sigurinë, informacionin e klasifikuar, lidhjet me njerëz nën hetim dhe hijen e rëndë të një shteti që duket se nuk ka kontrolluar dot as institucionin që duhet të kontrollojë rreziqet.

Në këtë situatë, mungesa e një reagimi të ri nga kryeministri nuk është thjesht mungesë postimi. Është boshllëk politik.

Sepse Rama di të flasë kur do. Di të dominojë lajmin kur i intereson. Di të dalë para kamerave edhe për shumë më pak. Ndaj kur hesht në një moment të tillë, pyetja nuk është pse nuk poston. Pyetja është çfarë po pret.

A ka ende diçka që nuk është thënë? A ka emra të tjerë që mund të dalin? A është Vlora Hyseni vetëm fillimi i një dosjeje më të madhe? A do ta përdorë Rama krizën për një spastrim politik, për një emërim të ri në SHISH, për një riorganizim të sigurisë, apo thjesht për të mbyllur kapitullin me një fjali të thatë në rrjetet sociale?

Për momentin, dihet vetëm kaq: propaganda vazhdon, por kryeministri mungon nga ngjarja.

Dhe në një vend ku pushteti zakonisht flet shumë edhe kur nuk ka çfarë të thotë, heshtja është gjithmonë lajm.

Pyetja mbetet e hapur: çfarë po ndodh me Edi Ramën në këtë histori? Dhe më shumë akoma, çfarë pritet të ndodhë pas kthimit të tij nga Amerika?

Lexo gjithashtu

Video

Klodiana Lala ka bërë të ditur se ka depozituar një denoncim ndaj Hysenit, duke deklaruar se emri i saj është përdorur për të ushtruar presion ndaj të tjerëve. Lala paralajmëroi se do të ndërmarrë hapa ligjorë edhe në Britaninë e Madhe. Në “Opinion”, ajo ngriti gjithashtu pretendime të forta mbi materiale sensitive të SHISH-it që, sipas saj, janë gjetur në automjetin e Ergys Agasit, si dhe mbi komunikime që pretendon se janë pjesë e dosjes hetimore.

Këto janë momentet kur dhjetëra delegatë largohen nga salla e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, teksa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ngjitet në foltore për të mbajtur fjalimin e tij. Largimi i delegatëve u zhvillua në shenjë proteste. Duke reaguar nga foltorja, Netanyahu i cilësoi ata që u larguan si “frikacakë moralë”.

Tani radha është e shtetit. SPAK dhe GJKKO duhet të tregojnë nëse kjo ishte vetëm shpifje e dëshpëruar, apo përdorim publik i informacionit sekret nga një ish-shefe shërbimi që sot është nën hetim pikërisht për nxjerrje sekretesh. Sepse nëse shteti hesht, atëherë Vlora Hyseni nuk ka kërcënuar vetëm Klodin. Na ka kërcënuar të gjithëve.

Çfarë ndodhi sot jashtë Parlamentit?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme