
Presidenti Bajram Begaj pritet të mbledhë të hënën Këshillin e Sigurisë Kombëtare, pas zhvillimeve të fundit që lidhen me ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është vendosur masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Pas njoftimit për mbledhjen, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kërkoi nga Presidenti përgjigje lidhur me procedurat dhe verifikimet e kryera përpara dekretimit të Hysenit në krye të SHISH.
Bardhi e cilësoi mbledhjen e Këshillit si të pamjaftueshme për të zëvendësuar, sipas tij, nevojën për llogaridhënie institucionale. Ai kërkoi sqarime edhe për sigurinë e informacionit të klasifikuar dhe funksionimin e Shërbimit Informativ të Shtetit.
“Shqiptarët nuk kanë nevojë për një mbledhje formale dhe as për një shfaqje institucionale”, deklaroi Bardhi, duke kërkuar përgjigje konkrete nga kreu i shtetit.
Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare vjen në një kohë kur Hyseni po hetohet nga SPAK dhe dyshohet për veprat penale të “Përkrahjes së autorit të krimit” dhe “Zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete”. Hetimet lidhen me çështjen e biznesmenit Ergys Agasi, ndërsa akuzat ndaj Hysenit mbeten objekt i procesit penal.





















