
Vetëm pak javë pasi VNA denoncoi atë që po ndodhte me një nga tenderët e Bashkisë Tropojë, historia merr një kthesë të fortë. Komisioni i Prokurimit Publik ka ndërhyrë sërish në procedurën për ndërtimin e rrugës “Auto Kika – Gj. Dragobisë – Qafë Pajë”, duke i dhënë një tjetër goditje mënyrës se si Bashkia e drejtuar nga Rexhë Byberi e çoi tenderin përsëri te kompania e kushëririt të tij.
Bëhet fjalë për procedurën me fond limit 82.9 milionë lekë, të cilin VNA e denoncoi më 31 gusht. Në qendër të historisë ishte një garë ku ofertat më të lira u nxorën njëra pas tjetrës nga loja, ndërsa rruga drejt kontratës iu hap bashkimit të operatorëve “Griald”, “Ina” dhe “Vllaznimi”. Kjo e fundit është kompania e Bashkim Byberit, kushëririt të kryebashkiakut Rexhë Byberi.

Mënyra se si u zhvillua gara tregon qartë se çfarë ndodhi me këtë tender.
“Cara” SHPK ofroi ta ndërtonte rrugën për 49.4 milionë lekë. “Rroku Guest” kërkoi 51.6 milionë, “Nika” 52.2 milionë, “Florida” 53 milionë, bashkimi “HTSH–Smovataksi” 56.7 milionë dhe “Desaret Company–R.S.M Construction” 60.5 milionë lekë.
Por të gjitha këto oferta u skualifikuan.
Në garë mbeti vetëm bashkimi i kompanive “Griald–Ina–Vllaznimi”, me ofertën prej 63.8 milionë lekë. Pra, vetëm nëse krahasohet me atë që paraqiti subjekti “Cara”, oferta që u shpall fituese e kontratës ishte mbi 14 milionë lekë më e shtrenjtë.
Por “Cara” nuk u tërhoq. Kompania nisi një betejë të gjatë administrative, duke kundërshtuar skualifikimin dhe duke e çuar çështjen në Komisionin e Prokurimit Publik. KPP i dha pjesërisht të drejtë dhe kërkoi rivlerësimin e procedurës. Aty nisi edhe kalvari i një tenderi që, në vend të asfaltit, prodhoi për muaj të tërë ankesa, vendime, kundërshtime dhe përplasje institucionale.
Pavarësisht tyre, Bashkia Tropojë arriti ta çonte procedurën deri në fund. Më 21 gusht 2026, kontrata u firmos me kompanitë ku bënte pjesë edhe “Vllaznimi” SHPK e kushëririt të tij.
Megjithatë, historia nuk kishte përfunduar me firmën mbi kontratë.
Më 22 shtator, KPP ka dalë me një vendim të ri, duke rrëzuar sërish mënyrën se si ishte trajtuar oferta e “Cara”-s dhe duke e kthyer çështjen kundër vendimmarrjes së Bashkisë Tropojë.
Një prej argumenteve të përdorura për skualifikimin e kompanisë ishin gabimet aritmetike në preventiv. Por KPP ka konstatuar se këto gabime nuk kalonin kufirin prej 2 për qind të ofertës. Në këto kushte, Bashkia duhej të kërkonte korrigjimin sipas procedurës dhe jo ta përdorte automatikisht si biletë për ta nxjerrë kompaninë jashtë garës.
Edhe më problematik është një tjetër konstatim i KPP-së. Gjatë shqyrtimit të ankesës, ndaj “Cara”-s ishin shtuar arsye të reja skualifikimi, të cilat nuk i ishin komunikuar kompanisë në vlerësimin fillestar. Për KPP-në, këto arsye ishin shtuar në tejkalim të kompetencave.

Vendimi i KPP-së nuk është thjesht një tjetër pengesë administrative për tenderin e Bashkisë Tropojë. Ai rikthen në vëmendje një mënyrë të administrimit të fondeve publike që VNA e ka denoncuar edhe më parë, veçanërisht për kontratat që kanë përfunduar te kompania “Vllaznimi” e Bashkim Byberit, kushëririt të kryebashkiakut.
Por në vend që të shërbente edhe si një kambanë alarmi për institucionet shtetërore dhe organet e drejtësisë, ka ndodhur e kundërta. Denoncimet nuk duket se kanë shqetësuar mazhorancën. Përkundrazi, në vend që Byberit t’i kërkohej llogari për pikëpyetjet e ngritura mbi procedurën, përfaqësuesi i mazhorancës u shfaq në krah të tij për ta shitur investimin si histori suksesi.
VNA e publikoi denoncimin për këtë tender më 31 gusht. Më 17 shtator, ndërsa çështja vazhdonte të ishte në shqyrtim në KPP, Rexhë Byberi doli përpara banorëve për të lajmëruar nisjen e punimeve. Në krah kishte edhe drejtuesin politik të Partisë Socialiste, Erion Malaj, ndërsa aktiviteti u shoqërua edhe nga kamerat e RTSH Kukës.

Në kronikën e publikuar, Byberi dhe Malaj shfaqen së bashku me përfaqësues të kompanisë që e kishte fituar padrejtësisht, duke prezantuar investimin. Pra, ndërsa tenderi vazhdonte betejën e tij institucionale, në terren gjithçka paraqitej sikur historia të kishte marrë fund, kamerat ishin ndezur, përfaqësuesit politikë flisnin për investimin dhe punimet prezantoheshin si një tjetër projekt për zonën.
Një tjetër paradoks ky, ku qeveria në vend që t’i tërheqë veshin kryebashkiakut për denoncimet dhe pikëpyetjet e ngritura mbi tenderët, shkon dhe bën propagandën e radhës krah Rexhë Byberit.


Por, ndërsa mazhoranca duket se është mësuar tashmë me skandalet që shpërthejnë deri në nivelet më të larta të shtetit, rastet e Bashkisë Tropojë ndoshta i duken shumë larg për t’i bërë përshtypje.
E vetmja shpresë mbetet te institucionet e drejtësisë, kryesisht te SPAK-u, që të merret sërish me atë që po ndodh në Bashkinë Tropojë dhe me kryebashkiakun e saj. Sepse përballjet e mëparshme duket se jo vetëm nuk e kanë kthjelluar Rexhë Byberin, por, po t’u referohesh denoncimeve të njëpasnjëshme, e kanë bërë edhe më të zellshëm për të ndarë tenderët me kushëririn e tij.






















