
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në orët e para të mëngjesit të së premtes reformën e re administrativo-territoriale, mes tensioneve, debateve të ashpra dhe përplasjeve mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.
Projektligji i propozuar nga Partia Socialiste mori 85 vota pro, duke i hapur rrugën një ndarjeje të re territoriale, e cila parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46. Sipas ndryshimeve të miratuara, 15 bashki do të bashkohen me njësi të tjera vendore, ndërsa numri i qarqeve mbetet i pandryshuar, 12.
Votimi u zhvillua pas rreth 15 orësh debatesh parlamentare, ndërsa opozita kundërshtoi reformën, duke e cilësuar atë të njëanshme dhe të motivuar politikisht.
Situata në sallën e Kuvendit u tensionua veçanërisht në momentet përpara votimit. Deputetët e opozitës bllokuan foltoren, ndërsa pati edhe hedhje shishesh uji dhe vezësh në drejtim të kryeministrit Edi Rama. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, hodhi ujë në drejtim të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila ishte e pranishme në sallë.
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në votimin përfundimtar, ndërsa vëmendje të veçantë tërhoqi qëndrimi i deputetit socialist Erion Braçe. Megjithëse kishte shprehur publikisht kundërshtime ndaj hartës së re territoriale, Braçe votoi në favor të projektligjit. Gjithashtu edhe Elisa Spiropali e cila kishte shprehur kritika, në seancë votoi pro reformës territoriale.
Pas përfundimit të seancës, ai deklaroi për gazetarët se vijonte të ishte kundër reformës dhe paralajmëroi se do të sqaronte arsyet e votës së tij gjatë ditës së premte.
Miratimi i reformës shënon një ndryshim të rëndësishëm në organizimin e pushtetit vendor, 11 vite pas ndarjes territoriale të vitit 2015. Ndërkohë, mbetet për t'u parë se si do të zbatohet harta e re administrative dhe çfarë ndikimi do të ketë bashkimi i bashkive në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.






















