Denion Meidani, të cilin Edi Rama po e transferon nga ambasador në Maqedoni, tani në Kosovë, u dëgjua nga Komisioni Parlamentar për Politikë të Jashtme.
Sigurisht që fjalimi i tij nisi me falënderimin e Edi Ramës. Para kohë falënderoi edhe Begajn, firmën e të cilit e konsideron të dhënë.
“Falënderoj gjithashtu qeverinë dhe Presidentin për besimin që më ka treguar sërish me këtë propozim”,-tha ai.
Deri këtu, elementë të pranueshëm. Pasi u kujtoi deputetëve se ishte i biri i Rexhep Mejdanit “President i Republikës së Shqipërisë, premtoi se dyert e Shqipërisë do të mbeteshin të hapura për vëllezërit tanë nga Kosova, dhe e mbajti fjalën”, Denioni filloi të shfaqë vizionin e vetë si ambasador në Kosovë.
Kështu tek qeveria e Albin Kurtit, shkon me një listë idesh të reja. Ekskursioni i detyrueshëm shkollor në Shqipëri dhe në Kosovë.
“Kjo është nisma që kam më afër zemrës. Propozoj që në të dyja anët e kufirit ekskursionet në vendin tjetër të bëhen të detyrueshme për çdo shkollë të mesme. Shqiptarët duhet ta njohin njëri-tjetrin, gjeografinë dhe historinë e tyre, nga Vlora në Prekaz e nga Prizreni në Krujë”,-tha Mejdani.
Ai shkoi edhe më tutje, kur i propozon Kosovës të ndërtojnë një rrjet digjital si AKSHI ynë.
“Shqipëria ka një përvojë të vlefshme me platformën e-Albania dhe me përdorimin e inteligjencës artificiale në administratë. Propozoj shkëmbimin e kësaj përvoje, njohjen reciproke të identitetit elektronik dhe të nënshkrimit digjital, si dhe investime të përbashkëta në përdorimin e inteligjencës artificiale duke filluar me një model të përbashkët në gjuhën shqipe. Gjuha jonë ka mbijetuar shekuj; tani duhet të sigurojmë që ta flasë edhe teknologjia”,-tha Mejdani.
Denioni kishte edhe ide artistike, si një film i ri për Skënderbeun.
“ Si projekte kulturore me peshë do të veçoja ato që mbartin tematika historike, që shërbejnë për promovimin e identitetit dhe të vlerave tona kombëtare, e që i bëjnë drejtësi epopesë sonë të lavdishme. Ndërtosh, propozoj një angazhim të përbashkët serioz të Shqipërisë, Kosovës dhe diasporës tonë për të realizuar një film të ri për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, me standarde ndërkombëtare, me angazhim studiosh prestigjioze ndërkombëtare, por edhe me historianë, skenaristë, aktorë dhe ekipe shqiptare nga të dyja anët e kufirit”.
Ambasadori i ri kujtoi se filmi i xhiruar më shumë se shtatë dekada më parë mbetet një vepër e bukur dhe aktorët sovjetikë luajnë shumë mirë.
“Por pas sipas së fundi "Odisenë", mendoj se ka ardhur koha që edhe ne si komb të gjejmë guximin për një projekt të tillë. Modeli ekziston: Greqia me një rimbursim prej 40% të shpenzimeve të prodhimit tërhoqi xhirimet e "Odisesë" së Christopher Nolan dhe sot Pylos-i, Kalaja e Methoni-t dhe plazhi i Voidokilia-s shihen në ekranet e gjithë botës”,-tha ai.






















