Pas votimit të mbrëmshëm në Kuvend, Edi Rama ka zgjedhur të mos festojë thjesht miratimin e hartës së re territoriale. Ka vendosur të bëjë edhe një apel force, me një mesazh që, ndonëse u drejtohet publikisht kundërshtarëve, duket se ka adresë edhe brenda Partisë Socialiste.
Me një postim në rrjetet sociale, kryeministri e ka cilësuar votimin e mbrëmshëm si një tjetër «shtysë modernizuese» për Shqipërinë. Por pjesa më interesante e reagimit nuk është modernizimi. Është paralajmërimi.
"Përtej të gjithë debateve të brendshme, spekulimeve të jashtme dhe peripecive të një kohe të ngatërruar nga gjithfarë duarsh të pista, ca të dukshme e ca të padukshme po jo të pazbuluara tanimë, votimi i mbrëmshëm në Kuvend i dha Shqipërisë një tjetër shtysë modernizuese", shkruan Rama.
Dhe më pas vjen fjalia që duket se përmbledh gjithë filozofinë e pushtetit të tij:
«Nuk duhet të bëjnë asnjëherë hesape pa hanxhinë me Partinë Socialiste».
Në pamje të parë, një mesazh për opozitën. Por përmendja e «debateve të brendshme» dhe e «duarve të pista», të cilat kryeministri pretendon se tashmë janë zbuluar, e bën reagimin të tingëllojë edhe si një paralajmërim për socialistët që mund të kenë menduar se kanë hapësirë për llogari të pavarura.
Rama nuk jep emra. Nuk shpjegon kujt i përkasin duart e pista, çfarë kanë bërë ato dhe si janë zbuluar. Por kujdeset të njoftojë se ai e di.
Sepse bashkitë mund të shkrihen, kufijtë mund të ndryshojnë dhe reforma mund të quhet modernizim. Por një gjë, sipas logjikës së këtij reagimi, mbetet e pandryshueshme: kush bën hesapet dhe kush është hanxhiu.
Dhe për ata që nuk e kanë kuptuar ende, mesazhi është i thjeshtë: Në rresht, gatitu!






















