Një email kërcënues, në të cilin pretendohet se janë vendosur mjete shpërthyese në ndërtesa institucionesh, ka shkaktuar alarm këtë të premte në Shqipëri.
Mesazhi është dërguar në 150 adresa elektronike të disa institucioneve, ndërsa personi që qëndron pas tij prezantohet si udhëheqës i milicisë serbe dhe kërcënon me shpërthime e vrasje të shqiptarëve.
Në përmbajtjen e emailit, autori pretendon se ka vendosur personalisht një mjet shpërthyes në ndërtesën e institucionit të cilit i drejtohet, duke paralajmëruar se shpërthimi do të ndodhë brenda një ore.
Kërcënimi përmban gjithashtu mesazhe që lidhen me Kosovën, ku autori deklaron se sulmet ndaj shqiptarëve do të vazhdojnë derisa Kosova të njihet si territor i Serbisë.
Pas marrjes së emailit, policia ka nisur hetimet për identifikimin e personit që qëndron pas kërcënimeve, si dhe verifikimin e pretendimeve për vendosjen e mjeteve shpërthyese.
Deri më tani, nuk ka konfirmim për praninë e eksplozivëve në institucionet që kanë marrë mesazhin, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Përmbajtja e emailit:
“Përshëndetje. Jam udhëheqësi i Milicisë Serbe. Kemi ardhur të hakmerremi ndaj jush.
Sapo kam vendosur personalisht një mjet shpërthyes në ndërtesën tuaj. Shpërthimi do të ndodhë pas një ore. Nga ju do të mbeten vetëm copa mishi. Do të vrasim shqiptarë derisa ta njihni Kosovën si territor të Serbisë. FAT TË MBARË”.
Nderkohe policia ka nisur punën për identifikimin e personit që qëndron pas dërgimit të e-mailit. Autoritetet po hetojnë rastin për të zbardhur rrethanat e plota të kërcënimit dhe për të verifikuar përmbajtjen e mesazhit.






















