
Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale ka njoftuar mbajtjen e një seance dëgjimore më 13 tetor 2026, ora 10:00, ku janë thirrur drejtuesit e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Kjo thirrje e drejtuesit të komisionit, Fatmir Xhafaj, vjen në një kohë kur autoriteteve të drejtësisë nuk u është dhënë ende asnjë zgjidhje konkrete për sigurinë në gjykata, madje edhe sot, një vit pas ngjarjes tragjike të vrasjes së gjyqtarit.
Mungesa e masave reale mbetet e mbuluar pas propagandës politike dhe nismave me ekskursione deputetësh nëpër dyert e gjykatave, ndërkohë që përplasjet me sistemin e drejtësisë kanë qenë të vazhdueshme.
Pasi u përplasën me magjistratët për çështjen e pagave duke u ofruar vetëm një rritje minimaliste, si dhe pasi prezantuan ndryshime të pakonsultuara në Kodin e Procedurës Penale, të cilat u refuzuan me forcë nga prokurorët, bilanci i bashkëpunimit mbetet kritik.
Drejtuesi i komisionit, Fatmir Xhafaj, nuk e fsheh dëshirën për t'i parë e trajtuar të gjitha institucionet e tjera nga sipër e në një pozicion shtypës.
Mirëpo, kur vjen puna te bashkëpunimi real dhe zgjidhja e problemeve me të cilat përballet çdo ditë sistemi i drejtësisë, përtej propagandës nuk ka asnjë rezultat konkret.






















