
Gjykata e Posaçme ka vendosur shtyrjen me gjashtë muaj të ekzekutimit të dënimit për Antoneta Malo (Pepkolaj), e dënuar për mashtrim përmes call center-ave. Vendimi është marrë këtë të premte, më 9 tetor, nga gjyqtari Erjon Çela, pas kërkesës së paraqitur nga Malo më 5 tetor 2026.
Sipas njoftimit zyrtar të GJKKO-së, ekzekutimi i dënimit do të shtyhet për një periudhë gjashtëmujore, duke nisur nga 9 tetori 2026 deri më 9 prill 2027. Dënimi ndaj Antoneta Malos ishte dhënë më 27 tetor 2025 nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe ishte lënë në fuqi më 5 tetor 2026 nga Gjykata e Posaçme e Apelit.
Ky është vendimi i dytë i ngjashëm brenda dy ditëve. Një ditë më parë, Gjykata e Posaçme vendosi shtyrjen e ekzekutimit të dënimit edhe për Greta Gjocin, e cila mbahej në burg së bashku me foshnjën e saj katërmuajshe.
Në vendimin për Antoneta Malon, GJKKO urdhëron SPAK-un dhe shërbimet e policisë gjyqësore të zbatojnë vendimin, ndërsa shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të dënuarës.
Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda pesë ditëve nga dita pas njoftimit të tij.
Vendimi:
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E POSAÇME E SHKALLËS SË PARË
PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR
NJOFTIM PËR MEDIAT
1. Kërkuesja Antoneta Malo (Pepkolaj) më datë 05.10.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Shtyrjen e ekzekutimit të vendimit nr. 66, datë 27.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i lënë në fuqi me vendimin nr. 51, dt. 05.10.2026 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 471 dhe 476/1 shkronja “c” të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 679, datë 09.10.2026, vendosi:
1. Pranimin e kërkesës së kërkueses (të dënuarës) Antoneta Malo (Pepkolaj).
2. Shtyrjen e ekzekutimit të dënimit që i është caktuar kërkueses (të dënuarës) Antoneta Malo (Pepkolaj) me vendimin nr. 66, datë 27.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i lënë në fuqi me vendimin nr. 51, dt. 05.10.2026 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për një periudhë kohore prej 6 (gjashtë) muaj, duke filluar nga data 09.10.2026 deri në datën 09.04.2027.
3. Shpenzimet gjyqësore i lihen në ngarkim kërkueses (të dënuarës) Antoneta Malo (Pepkolaj).
4. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe shërbimet e policisë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
5. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 5 ditëve, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të gjykatës.
Tiranë, më datë 09.10.2026






















