
Komiteti Disiplinor i Dhomës së Avokatisë vendosi t’i pezullojë me dy vjet licensën avokatit Lefter Xhengo, i cili theu vendimin për bojkotin e proceseve në Gjykatën e Posaçme. Mbrojtësi ligjor ishte i pranishëm në seancën për caktimin e masës së sigurisë ndaj Leli Kajës, administrator i ECO ALB, i dyshuar për korrupsion.
Ndërkohë për Mirgen Gjoci që përfaqësoi Greta Gjocin, nënën e cila mbahej në burg me foshnjën, Komiteti vendosi të mos marrë masë për të, por vetëm t’i bëjë vërejtje dhe këshillim. Nga shqyrtimi i rastit, rezultoi se avokati Gjoci e theu bojkotin për arsye humanitare për shkak se gruaja kishte fëmijë 4 muajsh dhe njëherazi ishte gruaja e vëllait të tij.
Avokatët kanë vendosur të bojkotojnë proceset gjyqësore dhe seancat për caktimin e masave të sigurisë në shënje revolte ndaj rregullores së GJKKO.






















