Politika 9 October 2026, 12:50 Nga VNA

Kujt po i jep lamtumirën Edi Rama? Një luan, Zoti dhe stuhitë e kryeministrit që kërkon ngushëllim te videot motivuese

Ndaje në Whatsapp

Kujt po i jep lamtumirën Edi Rama? Një luan, Zoti dhe stuhitë e

Edi Rama ka zgjedhur një mënyrë disi të pazakontë për të përcjellë mesazhin e radhës. Një luan në video, Zoti në rrëfim dhe një histori për njerëzit që largohen nga jeta jonë, stuhitë që na godasin dhe barrët që duhet të mbajmë.

Në pamje të parë, një nga ato mesazhet motivuese që qarkullojnë rëndom në rrjetet sociale. Por kur publikohet nga një kryeministër që ka mbi një dekadë në pushtet, edhe një reflektim shpirtëror mund të marrë kuptim politik.

Në fakt, Rama duket se ka huazuar edhe një zakon nga VIP-at e rrjeteve sociale, të cilët sa herë ndërrojnë partner, prishin një miqësi apo kalojnë një krizë sentimentale, nxitojnë të publikojnë video motivuese për njerëzit toksikë, energjitë negative dhe Zotin që largon nga jeta e tyre personat e gabuar.

Vetëm se këtë herë nuk kemi të bëjmë me një personazh të showbiz-it që sapo ka mbyllur një histori dashurie, por me kryeministrin e Shqipërisë. Dhe në vend të ish-partnerëve, pyetja është se cilët janë njerëzit që nuk e meritojnë më të ecin përkrah tij.

Sepse kur një kryeministër nis të flasë si një VIP pas ndarjes, kurioziteti nuk është më vetëm për mesazhin. Është edhe për atë që mund të ketë mbetur jashtë fotografisë së radhës.

“I kërkova Zotit dashuri. Ai largoi njerëz nga jeta ime”, nis rrëfimi.

Dhe përgjigjja që vjen më pas është ndoshta pjesa më interesante: “Jo kushdo që ecën pranë teje është i destinuar të ecë bashkë me ty”.

Kujt po ia kujton Rama këtë të vërtetë? Njerëzve që dikur i kishte pranë dhe sot nuk i ka më? Bashkëpunëtorëve që kanë dalë nga rrethi i tij politik? Apo atyre që vazhdojnë të jenë aty, por që ndoshta nuk e kanë më të sigurt vendin?

Rama nuk jep asnjë emër. Dhe pikërisht kjo e bën mesazhin të hapur për interpretime.

Më tej vijnë stuhitë. Kryeministri shpërndan një rrëfim ku paqja nuk gjendet duke iu shmangur atyre, por duke qëndruar në këmbë ndërsa gjithçka përreth tronditet.

Pastaj vijnë barrët, zhgënjimet dhe sprovat. Të gjitha të paraqitura si pjesë e një plani hyjnor që të forcon, edhe kur nuk e kupton përse po të ndodh.

Është një zgjedhje interesante për një politikan që zakonisht preferon t’u shpjegojë të tjerëve çfarë duhet të bëjnë, jo të flasë për sprovat që duhet të përballojë vetë.

Sigurisht, videoja mund të jetë thjesht një mesazh motivues, pa ndonjë adresë konkrete. Por koha dhe personazhi që e publikon e bëjnë të vështirë të mos kërkosh edhe një lexim tjetër.

Sepse në politikë njerëzit nuk largohen gjithmonë nga rruga jote me vullnetin e Zotit. Disa largohen nga vota, disa nga drejtësia, disa nga interesat që ndryshojnë. Dhe të tjerë largohen sepse dikush vendos se nuk i duhen më.

Në fund mbetet luani, simboli i forcës dhe i pushtetit, dhe një kryeministër që flet për njerëzit e gabuar, për stuhitë dhe për qëndresën.

Pyetja është nëse Rama po u jep lamtumirën atyre që kanë ecur deri dje përkrah tij, apo po përgatit veten për stuhitë që mund të vijnë.

Sepse Zoti mund t’i zgjedhë sprovat, siç thotë rrëfimi. Por në politikë, faturat zakonisht i sjellin njerëzit.

Lexo gjithashtu

Video

Të pandarë

Nga duart në kokë te buzëqeshja vesh më vesh/ Kështu u mbyll nata e “Territoriales” në Kuvend

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme