
Një grabitje e përmasave të mëdha ka goditur një prej prodhuesve më të njohur të verës në Itali. Shtatë persona të maskuar kanë vjedhur rreth 30 mijë shishe vere luksoze, me vlerë afërsisht 5 milionë euro, nga magazinat e kompanisë historike Marchesi Antinori në rajonin e Toskanës.
Sipas gazetës britanike Financial Times, grabitja ndodhi mbrëmjen e së shtunës në një magazinë në Cortona, pikërisht në kohën kur kompania po përgatitej të dërgonte jashtë vendit një sasi të konsiderueshme të verërave të saj më të shtrenjta.
Autorët, të cilët dyshohet se janë pjesë e një grupi profesionist, arritën të çaktivizonin sistemin e alarmit dhe të largonin mijëra kuti me verë duke përdorur dy kamionë të mëdhenj. Mes produkteve të vjedhura ishin edhe disa prej etiketave më prestigjioze të kompanisë, si Tignanello, Solaia dhe Guado al Tasso, çmimet e të cilave në treg variojnë nga 150 deri në 500 euro për shishe.
Vjedhja u zbulua vetëm mëngjesin e së hënës, kur punonjësit mbërritën në magazinë dhe konstatuan mungesën e produkteve. Kompania disponon pamje të shumta nga kamerat e sigurisë, ndërsa policia italiane ka nisur hetimet. Deri tani nuk raportohet për persona të arrestuar.
Drejtori ekzekutiv i Marchesi Antinori, Renzo Cotarella, ka shprehur shpresën se sasia e madhe e verës së vjedhur mund të ndihmojë në identifikimin e autorëve dhe gjetjen e produkteve.
Ai ka theksuar se është e vështirë të imagjinohet se si dy kamionë të mbushur me verë mund të zhduken pa lënë gjurmë, apo se si një sasi kaq e madhe produktesh mund të shitet në tregun ndërkombëtar pa tërhequr vëmendjen.
Cotarella u ka bërë thirrje tregtarëve dhe njohësve të verës të tregohen të kujdesshëm ndaj ofertave të pazakonta, veçanërisht kur verërat prestigjioze shiten me çmime shumë më të ulëta se ato të tregut. Sipas tij, ekziston rreziku që produktet e grabitura të përfundojnë në kanale të ndryshme tregtare.
Marchesi Antinori është prodhuesja më e madhe familjare e verës në Itali, me një histori që daton që nga viti 1385. Kompania, me seli në Firence, eksporton produktet e saj në rreth 170 vende dhe vitin e kaluar regjistroi të ardhura prej afro 263 milionë eurosh.
Grabitja e saj nuk është një rast i izoluar. Gjatë muajve të fundit, industria italiane e verës është përballur me një sërë vjedhjesh të organizuara, ku autorët kanë treguar njohuri të hollësishme për produktet më të shtrenjta dhe mënyrën e ruajtjes së tyre.
Gjatë verës, dy persona të veshur si punonjës, me helmeta dhe jelekë fosforeshentë, arritën të depërtonin në restorantin e njohur Affinatore në Milano, duke hapur vrima në xhamin rezistent ndaj thyerjes. Ata vodhën disa shishe të rralla të verës Romanée-Conti, me vlerë totale rreth 280 mijë euro.
Një tjetër rast u regjistrua në kantinën historike Banfi di Montalcino, ku u vodhën rreth 3 mijë shishe të verërave më të mira Alta Langa nga një magazinë në Piemonte. Sipas kompanisë, autorët kishin përzgjedhur me kujdes produktet, çka ngriti dyshimet se kishin njohuri të specializuara për verërat që po vidhnin.
Ndërkohë, muajin e kaluar, katër persona grabitën rreth 3 mijë shishe vere Barolo nga kantina Conterno Fantino, gjithashtu në Piemonte. Grabitja u realizua në më pak se tri orë, ndërsa autorët përdorën një pirun ngritës për transportimin e kutive brenda magazinës.
Megjithatë, grabitja e Marchesi Antinori konsiderohet ndër më të mëdhatë e regjistruara në Itali dhe në nivel ndërkombëtar, si për numrin e shisheve të vjedhura, ashtu edhe për vlerën e tyre financiare.
Për drejtuesit e kompanisë, dëmi nuk kufizohet vetëm te humbja ekonomike. Cotarella ka treguar se disa prej punonjësve shpërthyen në lot kur mësuan për grabitjen, duke theksuar se vera përfaqëson shumë më tepër sesa një produkt tregtar për një kompani me histori shumëshekullore.
Megjithëse Marchesi Antinori ka kapacitetin financiar për ta përballuar humbjen, drejtori ekzekutiv e ka cilësuar ngjarjen si një goditje të rëndë për kompaninë dhe njerëzit që kanë kontribuar në ndërtimin e reputacionit të saj ndër breza.






















