Elisa Spiropali, me kostumin e shtrenjtë dhe bishtin ndër shalë. Erion Braçe, me kokën ulur dhe një shpjegim të premtuar për të nesërmen. Kjo ishte panorama e dy rebelëve socialistë pas mesnatës në Kuvend, kur të dy ngritën kartonin jeshil për ndarjen e re territoriale që deri pak orë më parë e kishin kundërshtuar.
85 vota pro. Mes tyre edhe dy votat e kundërshtarëve të reformës.
Braçe, pasi shpjegoi me pasion pse ishte kundër, votoi pro. Pastaj premtoi se sot do të na shpjegonte pse votoi pro një reformë që vazhdonte ta kundërshtonte.
Por dita po mbyllet dhe shpjegimi ende nuk është dukur. Ndoshta nuk i ka dalë gjumi. Ndoshta po kërkon argumentin që do të pajtojë fjalimin e djeshëm me votën e mesnatës. Sepse nuk është edhe aq e lehtë të bindësh publikun se ke mbetur kundër, ndërkohë që vota jote është numëruar pro.
Elisa ka një problem disi më letrar.
Me gjasë, është duke poetizuar statusin e ardhshëm. Një tjetër reflektim të gjatë për parimet, dinjitetin, ndërgjegjen dhe përgjegjësinë politike. Ndoshta edhe ndonjë kritikë elegante për qeverinë, pa harruar të ruajë respektin për Skënderbeun e saj.
Atë Skënderbe që dikur e ngrinte në piedestal me një zell që do ta kishin zili edhe kronikanët e oborrit mbretëror.
Në fund, njeriu që ajo kishte veshur me gjithë madhështinë e historisë kombëtare, politikisht e trajtoi si një leckë për të fshirë pluhurat e sallës së Kuvendit. Pastaj numëroi 85 votat dhe vazhdoi punën.
Asnjë dramë. Asnjë tragjedi shekspiriane. Madje as nevoja për një monolog.
Vetëm një karton jeshil.
Tani presim Braçen të na shpjegojë se si votohet pro duke qenë kundër.
Dhe Elisën të na tregojë, mundësisht në prozë këtë herë, si ndihet një njeri kur Skënderbeu i tij e zbret nga kali dhe e vë të fshijë pluhurat e Kuvendit.
Sepse mbrëmë u miratua një hartë e re territoriale, por u vizatua edhe një hartë tjetër: ajo e kufijve të rebelimit brenda Partisë Socialiste.
Dhe kufiri, siç u pa, mbaron pikërisht aty ku fillon urdhri i Edi Ramës.






















